DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Austrisë, zotëri Heinz Fischer për ta falënderuar atë në emër të qytetarëve të Kosovës për vendimin e institucioneve të Austrisë për të shtuar numrin e ushtarëve austriakë në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-it.

Presidentja theksoi se ky shtim i numrit të ushtarëve austriakë, të cilët në Kosovë arritën pas tërheqjes së ushtarëve francezë për shkak të prioriteteve të tjera, kontribuon jo vetëm në sigurinë e Kosovës, por edhe në stabilitetin e gjithë rajonit. Gjatë bisedës telefonike, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po përmbyll një vit me bërjen e disa hapave të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit evropian, përfshirë lansimin e negociatave për MSA-në, si dhe zhvillimet e tjera të rëndësishme në dialogun me Serbinë dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Presidentja Jahjaga theksoi se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor gjendet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit dhe stabilizimit, e cila do të sjellë mundësi të reja të zhvillimit, të nevojshme për të ruajtur suksesin e përbashkët që është arritur në dekadën e fundit. Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidentin Fischer për mikpritjen gjatë vizitës së fundit në Austri, në qershor të këtij viti, dhe njëherësh e ftoi atë për vizitë shtetërore në Kosovë. Presidenti i Austrisë, zotëri Heinz Fischer e siguroi Presidenten e Republikës së Kosovës se qeveria e re austriake do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane, dhe njëherit pranoi ftesën për të vizituar Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.