presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ministrin e mbrojtjes të Portugalisë, José Pedro Aguiar-Branco

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e mbrojtjes të Portugalisë, zotëri José Pedro Aguiar-Branco.

Presidentja Jahjaga dhe ministri Aguiar-Branco biseduan për çështje të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve si dhe proceset integruese për Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë që ka për Kosovën marrëdhënia e mirë me Portugalinë dhe në veçanti vlerësoi angazhimin e Portugalisë për Kosovën, përmes pranisë ushtarake në kuadër të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Presidentja Jahjaga tha se KFOR-i vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe si kontribuues për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ajo theksoi se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE dhe në NATO, që do të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në rajon. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një promotor i fqinjësisë së mirë në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ministri i Mbrojtjes i Portugalisë, zotëri José Pedro Aguiar-Branco, i vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Ballkanit është e qartë. Ai tha se prania e forcave paqeruajtëse në Kosovë, dhe edhe e atyre portugeze, ka ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe tha se Portugalia do të vlerësojë mundësinë e vazhdimit të kontributit në kuadër të kësaj force. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.