presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza

Mitrovicë, 14 prill 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të vizitave në komunat e vendit, gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Mitrovicës.

Presidentja Osmani fillimisht ka mbajtur një takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, me të cilin ka biseduar për prioritetet dhe sfidat e kësaj komune.

“Është kënaqësi e veçantë që sot të jem në komunën time të lindjes, në komunën e Mitrovicës, dhe të bashkëbisedojmë me kryetarin Hamza dhe me bashkëpunëtorët e tij për prioritet që i kanë për komunën e Mitrovicës, dhe për qytetarët që të gjithë bashkërisht t’i përfaqësojmë. Natyrisht që kjo komunë përballet me sfida të mëdha shumë prej të cilave janë specifike, siç i përmendi edhe kryetari, që nënkupton që ne duhet t’i bashkojmë forcat tona në mënyrë që t’i trajtojmë ato sfida sa më parë që të jetë e mundur dhe gjithnjë duke pas parasysh interesin e qytetarëve mbi të gjitha”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha se është e inkurajuar që kryetari Hamaza ka vendosur arsimin e shëndetësinë si top prioritete nw mandatin e tij.

“Gjithnjë duke kuptuar që investimi në qytetarët tanë, investimet në arsim e shëndetësi nënkupton investim në kapitalin tonë njerëzor që është kapitali më i rëndësishëm i shtetit tonë. Komuna e Mitrovicës siç e dini, ka ndoshta numrin më të madh të kërkesave për asistencë sociale, sepse papunësia është e madhe dhe është një problem i trashëguar që nga vitet e 90-ta e këndej që do të thotë se ka nevojë sa më shumë përkrahje. Trajtimi i nivelit të papunësisë natyrisht do të mund të bëhet edhe me investime brenda Kosovës, por edhe me investime nga jashtë Kosove”, ka shtuar Presidentja.

E para e vendit ka thënë se jemi duke bërë çmos që të rritet numri i investitorëve nga jashtë e sidomos investimet që fokusohen në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe natyrisht që këtu Mitrovica duhet të jetë ndër qytetet prioritare, sepse e ka edhe potencialin për një gjë të tillë.

“Nga potenciali i investimeve në sektorin e energjisë e deri në potenciali në sektorin e turizmit sidomos në rajonin e Shalës së Bajgores, komuna e Mitrovicës paraqet një destinacion të shkëlqyeshëm për investitorët e jashtëm, dhe tanimë kemi pas mundësi të shumta që këtë potencial ta paraqesim edhe në shtetet e tjera, dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë me ngulm derisa bashkërisht të shohim suksese konkrete në komunën e Mitrovicës”, ka pohuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani dhe kryetari Hamza, kanë folur edhe për çështjen e mbrojtjes së ambientit si dhe për sigurinë në qytet.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se ishim të nderuar që zonja presidente, zonja Osmani ka gjet kohën përkundër angazhimeve shumë të mëdha të vjen dhe ta viziton komunën e Mitrovicës.

Ai tha se me Presidenten Osmani kanë biseduar për projektet të cilat duhet të zhvillohen në Mitrovicë, janë duke u zhvilluar në Mitrovicë dhe për prioritetet tona që ne i kemi caktuar e që janë  arsimi, shëndetësia, kultura, rinia e sporti e ambienti pa i anashkalu edhe prioritetet tjera në infrastrukturë në përputhje me mundësitë tona financiare.

Presidentja Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar strehimoren strehimoren “Raba Voca”, Teatrin “Muharrem Qena” si dhe takim me OJQ-të e ndryshme, me fushëveprim në rini, kulturë, art, dhe mbrojtje të ambientit, si dhe OJQ “Përparimi Rinor i Ashkalive të Mitrovicës”.

E para e vendit, në përmbyllje të vizitës së saj në komunën e Mitrovicës, gjithashtu ka vizituar edhe agro-biznesin “Agro Serra”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.