presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Dita e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës kundër stigmës dhe pro ngritjes së vetëdijes për drejtësinë e munguar

Në kuadër të 14 prillit – Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, përfaqësues të UN Women, Agjencisë për Barazi Gjinore si dhe organizata që merren me barazinë gjinore.

Presidentja Osmani ka theksuar se kjo ditë do të jetë mundësi për ta dëgjuar zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes për drejtësinë e munguar për viktimat e kësaj dhune.

“Me këtë ditë ne do t`u kushtojmë forcën të mbijetuarave dhe do kërkojmë drejtësi për to. Do ta luftojmë stigmën dhe do të angazhohemi maksimalisht për integrimin e tyre në shoqëri”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në kuadër të aktiviteteve të kësaj dite, në oborrin e Presidencës së Kosovës është hapur një ekspozitë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, në të cilën janë prezantuar punime artistike të këtyre grave.

Presidentja Osmani në hapje të ekspozitës ka theksuar se këto punime artistike të ekspozuara janë portrete të këtyre grave të fuqishme, të cilat janë shndërruar në modele të mbijetesës dhe në luftëtare të thyerjes së paragjykimeve dhe stigmës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.