Prishtinë, 14 prill 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 14 prillit – Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pritur në një takim Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës si dhe organizatat joqeveritare të platformës “Bëhu zëri im”, për shënimin e 14 Prillit, dhe në të njëjtën kohë për të filluar edhe zyrtarizimin e këtij procesi nëpërmjet nismës legjislative.
Pas takimit, Presidentja Osmani së bashku me organizatat joqeveritare dhe anëtarët e komisionit qeveritar, kanë bërë hapjen e ekspozitës me rastin e kësaj dite, me vepra arti nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në vijim, janë fjalimet Presidentes Osmani, znj, Shyhrete Tahiri si dhe znj. Feride Rushiti, Udhëheqëse e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës.
Fjala e Presidentes Osmani:
Të nderuar të pranishëm,
E nderuar znj Shyhrete,
Të nderuar përfaqësues të komisionit qeveritar,
Të nderuara përfaqësuese të organizatave që vazhdimisht keni qenë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës,
Të nderuar pjesëmarrëse,
Shumë të dashura heroina të vendit tonë,
Para një viti, po këtë ditë, kam propozuar që 14 prilli të jetë dita e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pas iniciativës së heroinës sonë, deputetes dhe zërit të fuqishëm të të mbijetuarave, zonjës Vasfije Krasniqi.
Një vit pas, ne po takohemi së bashku me një pjesë të madhe prej jush, pas diskutimeve që kishim në zyrën time për të diskutuar edhe zyrtarizimin e këtij procesi nëpërmjet nismave legjislative.
Shënimi i 14 prillit – muajit edhe kur ka pas më së shumti dhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë do të ishte vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë dhe do të ishte bashkim i zërave tonë për të treguar se si gra e burra të Kosovë përkundër vuajtjeve të mëdha e shndërruan vuajtjen e tyre në forcë për të ngritur zërin për drejtësi. Do të ishte thirrje e jona e fuqishme për të dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë e kudo në botë, do të ishte solidarizim, bashkëndjenjë dhe rreshtimi më i sinqertë përkrah atyre tek të cilët kujtimet e luftës rikthehen me çdo frymëmarrje si dhe atyre që s’janë më me ne. Do të ishte mesazhi më i qartë që do i përçonim botës me thirrjen, kurrë më!
Sot 23 vite pas luftës në Kosovë kur ne shpresonim që Evropa e bota nuk do zgjohej më me imazhe e me dhimbje në sy të vajzave e grave por jo vetëm, dhimbja dhe trishtimi zuri vend sërish në kontinentin tonë. Sot disa prej jush, por edhe shumë gra të tjera në Kosovë bashkëndjenjë dhe kuptojnë më së miri dhimbjen, trishtimin e zhgënjimin që janë duke përjetuar vajzat dhe gratë në Ukrainë por edhe në vendet e tjera të botës.
Por historia ka dëshmuar se e mira dhe e drejta triumfojnë gjithnjë. Historia na ka dëshmuar se sa herë që kanë tentuar të na poshtnojnë e të tentojnë të humbin dinjitetin tonë, gjithnjë jemi kthyer edhe më të fortë dhe më të zëshëm. Ju vajza e gra, burra e gra, jeni shndërruar në rrëfyesin më të vërtet e më të sinqertë të vuajtjeve dhe përjetimeve të popullit tonë. E njëkohësisht jeni shndërruar në motivin tonë të përditshëm në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt drejtësisë.
Heshtja për këto krime nuk ka vend në përpjekjet tona për drejtësi sepse drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelet që kryen këto krime do të ballafaqohen me drejtësi.
Lirinë e kemi fituar, por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë përderisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra të jetë përfundimtar. Ju keni bërë thirrje që ne të jemi zëri juaj kurse unë ju them edhe sot që zëri juaj do të jem sot e çdo ditë, ju garantoj që zëri ynë është e do të jetë përherë edhe zëri juaj.
Sot po ashtu kemi zgjedhur artin që të flasim për dhimbjen, kemi zgjedhur pikturën për të folur edhe për stigmën për të cilën janë ballafaquar gra e burra të vendit tonë, për paragjykimet dhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar e ballafaqohen të mbijetuarit e dhunës seksuale. Sot këto imazhe do të flasin më shumë se çdo fjalë sepse nëpërmjet tyre gra e burra kanë treguar se si do të donin ata e ato ta shohin botën.
Sot thirrja jonë është po ashtu ndaj institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë të gjitha këto raste me prioritet por në të njëjtën kohë meqenëse prezent e kemi edhe komisionin qeveritar për njohjen e statusit të të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës dua t’i bëj thirrje grave e burrave të këtij vendi që kanë kaluar nëpërmjet vuajtjeve të tilla dhe kanë qenë viktima të një krimi të tillë, që të aplikojnë para këtij komisioni sepse procesi është i sigurt, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë këtu për t’ju mbështetur, janë këtu jo vetëm për të njohur statusin e personave që janë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës por edhe për t’ju dhënë mbështetjen maksimale në mënyrë që të jemi bashkë në ndarjen e dhimbjes por mbi të gjitha në mënyrë që të jemi bashkë që të këtë drejtësi për këto krime që janë kryer ndaj qytetarëve tanë dhe që të ngrisim zërin brenda Kosovës dhe jashtë Kosovës që e gjitha bota t’i njeh vuajtjet e popullit tonë.
Fjala e znj. Shyhrete Tahiri:
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës zonja Vjosa Osmani,
Të nderuar të pranishëm,
Jam e nderuar që sot bashkë me organizatat e platformës “Bëhu zëri im” në këtë datë të veçantë të përkujtimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u takuam me presidenten e Kosovës për të paraqitur kërkesat tona të përbashkëta me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të të mbijetuarave të dhunës në Kosovë. Në emër të të gjithë të të mbijetuarave të luftës unë i bëj ftesë presidentes Osmani, kryeministrit Albin Kurti si dhe të gjithë deputetëve të Kosovës që të angazhohen maksimalisht në plotësimin e kërkesave tona.
Të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë; të shqyrtohen dhe plotësohen kërkesat për ndryshime ligjore të renditura në letrën avokuese në mënyrë që të plotësohen zbrastirat ligjore dhe të mbijetuarit e luftës të përfitojnë nga këto ndryshime.
Po ashtu i bëj thirrje të gjithë të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në ligj dhe të mbështetura nga katër organizatat e autorizuara, të aplikojnë për njohjen e statusit si dhe të angazhohen edhe më shumë për qasje në drejtësi.
Ju faleminderit!
Fjala e znj. Feride Rushiti, Udhëheqëse e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës
E nderuar presidente Vjosa Osmani,
Të nderuar anëtar të komisionit,
Organizata joqeveritare të platformës “Bëhu zëri im”,
Të nderuar media,
Sot dita 14 prilli është një ditë e veçantë për ne si organizata joqeveritare dhe pikërisht është kërkuar nga presidentja e vendit që këtë ditë ta mbështes si ditë të veçantë e ku kujtojmë vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificën e mijëra grave dhe burrave të cilët padrejtësisht u dhunuan gjatë periudhës së luftës.
Në këtë ditë, ne kemi kërkuar që të kem përkrahjen e vazhdueshme nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, në mënyrë që kauza e të mbijetuarëve të dhunës seksuale të luftës të avancohet edhe më tutje përmes ndryshimeve ligjore. Më lejoni më poshtë të përmendi disa pika të cilat organizatat jo qeveritare nën platformën “Bëhu zëri im” e udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitim, Medika Kosova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Medika Gjakova, kanë dalë me pikat të cilat mendojmë që i kontribuojnë edhe më tej avancimit të kauzës së të mbijetuarëve të dhunës seksuale të luftës. Pra, fillimisht siç tha edhe zonja presidente, 14 Prilli, të jetë ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Emërtimi i komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës të ndryshohet nga verifikim dhe të jetë vetëm njohje e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.
Afati që viktimat të aplikojnë për njohjen e statusit tyre të mos kufizohet pesë vite ashtu siç është aktualisht në ligj, por të jetë e drejtë e përhershme e garantuar me ligj. T’i mundësohet viktimave të cilave u është njohur statusi si viktimë e dhunës seksuale, të gëzojnë të drejtën në pension personal që nga data e aplikimit për njohjen e statusit, pasataj, të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës t’ju mundësohen të drejtat e barabarta sikurse edhe kategorive tjera të dala nga lufta, sipas ligjit për vlerat e luftës, ju e dini që i trajtonë të gjitha kategoritë e dala nga lufta, ne kërkojmë si organizata joqeveritare, kërkojmë edhe me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani që të na mbështes më tutje që të drejtat dhe përfitimet të cilat parashihen në ligjin për vlerat e luftës të jenë të barabarta sikur edhe për kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Kërkojmë po ashtu që komisioni të këtë përbërje të shtuar në kuptimin e aspekteve psiko-sociale për faktin se dimë që ky krim i luftës me kalimin e kohës nuk është e lehtë të shpaloset para komisionit, pra kërkojmë që komisioni të këtë në vetvete edhe ekspert të fushave psiko-sociale të tjera.
Në rastin e shqyrtimit të ankesave, kërkojmë që të rregullohet dy shkallshmëria siç është edhe e rregulluar me mekanizma të tjerë ligjor dhe krejt në fund, kërkojmë që afati i aplikimit prej momentit kur aplikojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale në komision të jetë vetëm gjashtë muaj, pra të jetë një periudhë kohore ku të mbijetuarit e dhunës seksuale mund të presin vendimin e komisionit qeveritar për njohjen, për verifikimi siç është aktualisht për njohjen e statusit të viktimave seksuale.
Unë dua ta shfrytëzoj këtë ditë e cila është ditë e veçantë për ne edhe për familjarët e të mbijetuarëve të dhunës seksuale të luftës edhe njehërë t’ju bëj thirrje pikë së pari familjarëve sepse shumë herë të mbijetuarit e dhunës seksuale dëshirojnë të aplikojnë e t’u njihen të drejtat që tani më institucionet e Kosovës ua garantojnë, por për shkak të stigmës, paragjykimit, mbylljes së kësaj plage brenda për brenda familjes, hezitojnë familjarët dhe t’iu garantojmë që këtu e kemi prezent edhe komisionin sepse ky proces është plotësisht i garantuar dhe identiteti i të mbijetuarave të dhunës seksuale asnjëherë nuk shpaloset, dmth, janë të gjitha masat e parapara që të mbijetuarit e dhunës seksuale të mos iu shpaloset identiteti, t’iu ruhet konfidencialiteti edhe privatësia.
Edhe njëherë, në këtë ditë të veçantë shpresoj shumë që institucionet e Kosovës ashtu siç kanë qenë do të vazhdojnë të jenë përkrahës të kësaj kauze në mënyrë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës përtej të drejtës për reperacion, t’iu sigurojnë institucionet e Kosovës, që të kenë mundësi edhe të aplikojnë dhe të kërkojnë drejtësi, drejtësi kjo që tani më është mohuar me vite të tëra, qoftë nga proceset të cilat i kanë bartur institucionet administratat e ndryshme ndërkombëtare por tani i kemi institucionet e Kosovës dhe dua ta shfrytëzoj rastin që me 14 prill ditë e cila po shënon ditën e të mbijetuarëve të dhunës seksuale t’i ftoj të gjitha gratë dhe burrat që t’i qasen institucioneve të drejtësisë në mënyrë për të vënë drejtësi në vend kërkesë e cila është e pareshtur tek familjarët dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.
Ju faleminderit presidente për këtë organizim!