presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani bëri homazhe te pllakat përkujtimore të Masakrës në lagjen e Kovaçëve

Mitrovicë, 14 prill 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu në kuadër të vizitës së saj në komunën e Mitrovicës, ka vendosur kurorë lulesh tek pllaka përkujtimore në lagjen e Kovaçëve.

Në praninë e shumë familjarëve dhe të pranishmëve, Presidentja Osmani ka thënë se sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndë, është një ditë e dhimbshme për gjithsecilin prej jush, por të jeni të sigurt që është ditë e rëndë dhe e dhimbshme për gjithsecilin prej nesh.

“Jemi këtu së bashku me kryetarin e komunës z. Hamza, për ta ndarë këtë dhimbje me ju. Sepse, ata kanë qenë  familjarë të të gjithë neve, kanë qenë qytetarët tanë të dashur, të cilët u vranë në mënyrën më barbare të mundur nga forcat serbe. Natyrisht që dhimbja nuk  mund të përshkruhet me fjalë, por në të njëjtën kohë që të gjithë bashkërisht jemi krenarë që ka qenë pikërisht sakrifica e njerëzve tanë, qytetarëve tanë nga Mitrovica, e gjithandej nga Kosova që i kanë ndërtuar themelet e shtetit tonë të lirë, sepse pa këtë sakrificë ne kurrë nuk do të mund ta gëzonim shtetin tonë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani tha se liria jonë kurrë nuk do të jetë e plotë në qoftë se nuk ka drejtësi për të gjithë ata që i humbëm.

“Fatkeqësisht edhe  sot e kësaj dite kur po e kujtojmë këtë masakër, e çdo ditë tjetër kur përkujtojmë edhe masakrat tjera në Mitrovicë dhe anekënd Kosovës, duhet ta përsërisim që kriminelët që kanë kryer këto krime enden të lirë. Serbia ata i mbron, as nuk i vendos para drejtësisë e as nuk kërkon falje për ato krime, por përkundrazi i glorifikon dhe i mbron kriminelët”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ne do të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për drejtësi, ka thënë Presidentja,  ndërkaq gjaku i të gjithë atyre që dhanë jetën për liri asnjëherë nuk do të shkojë huq.

“Do t’i përkujtojmë përjetësisht brez pas brezi sepse e meritojnë jo vetëm nderimin tonë, por e meritojnë edhe përkujtimin tonë më të lartë në mënyrë që shembulli që ata e dhanë të shndërrohet në fanar ndriçues në rrugën tonë, të institucioneve tona, për ta bërë shtetin ashtu siç e ëndërruan të gjithë martirët tanë dhe të gjithë dëshmorët tanë.  Lavdi të gjithë atyre që u vranë këtu në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë dhe të gjithë martirëve dhe të rënëve për liri”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.