DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi komunat e Skënderajt e të Klinës, të goditura nga vërshimet

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot disa komuna të Kosovës, të cilat janë prekur nga vërshimet e fundit dhe u njoftua për dëmet e shkaktuara. Ajo u njoftua nga autoritetet komunale për aktivitetet e ndërmarra për t’u dalë në ndihmë banorëve për sanimin e këtyre dëmeve.

Fillimisht, Presidentja Jahjaga ka vizituar komunën e Skënderajt, e cila ka qenë një nga komunat më të dëmtuara si pasojë e vërshimeve.E shoqëruar nga ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Republikën e Kosovës, z.Blerand Stavileci dhe nga udhëheqës komunalë të Skënderajt, Presidentja Jahjaga ka parë dëmet e shkaktuara në Skënderaj dhe në fshatrat Llaushë e Acarevë.Ajo ka biseduar me banorët, pronat e të cilëve janë dëmtuar nga vërshimet, është njoftuar për gjendjen nëpër të cilën ata kanë kaluar dhe për punën që po bëhet për kapërcimin e dëmeve të shkaktuara. Gjithashtu, edhe për masat që po ndërmerren për parandalimin e vërshimeve në të ardhmen.Pas komunës së Skënderajt, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe komunën e Klinës. Në një takim në Komunën e Klinës, ajo u njoftua nga kryetari i Klinës, z. Sokol Bashota, lidhur me gjendjen e krijuar në ditët e fundit në këtë komunë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë disa vendbanime, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet, Presidentja Jahjaga ka vizituar fshatin Zajm, që është një nga vendbanimet që ka pësuar më së shumti dëme nga të reshurat e rrëmbyeshme të shiut.Duke folur para gazetarëve, Presidentja Jahjaga tha se vizita e saj e sotme ka për qëllim njoftimin me gjendjen e krijuar pas vërshimeve në komunën e Skenderajt dhe të Klinës, respektivisht në disa prej vendbanimeve të këtyre komunave.“Kam ardhur këtu që të jem me autoritetet komunale dhe me qytetarët, në mënyrë që të shprehim përkrahjen tonë, por edhe që të shohim për së afërmi dëmet që janë shkaktuar gjatë këtyre ditëve”, tha Presidentja Jahjaga.“Fatkeqësitë natyrore janë raste të pashmangshme, të papritura dhe janë gjithsesi edhe më të rënda kur përcillen me fatkeqësi, siç është rasti i Izbicës ku kemi rastin e humbjes së jetës së një vajze. I shprehim ngushëllimet e thella familjes dhe të gjithë banorëve të fshatit Izbicë. Këto janë raste kur ne si institucione por edhe si qytetarë duhet të tregojmë solidaritetin tonë, t’u gjendemi afër dhe të ofrojmë gjithë përkrahjen”, tha Presidentja Jahjaga.Presidentja Jahjaga ishte sot edhe në Rakovinë, ku pa nga afër dëmtimin e urës, e cila ka pamundësuar qarkullimin në rrugën Prishtinë-Gjakovë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.