Me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë.
Në urim thuhet:
Me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë u përcjell urimet e mia më të përzemërta.
Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, i karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve.
Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti.
Si në gjithë festat tona, edhe në këtë ditë të shënuar, të kujdesemi për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë, të dëshmojmë edhe një herë ndjenjën tonë të solidaritetit.
Në këtë ditë, të përkujtojmë me respekt të gjithë ata që sot nuk janë në mesin tonë, të gjithë ata që me sakrificën e tyre bënë që ne sot të kemi shtetin tonë, të jetojmë të lirë.
Paçi gjithmonë gëzime në familjet tuaja! U qoftë me fat festa e Bajramit të Madh!