Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete jahjaga, u takua sot në Tegucigalpa, me presidentin zgjedhur të Republikës së Hondurasit, zotëri Juan Orlando Hernández Alvarado. Presidentja Jahjaga po qëndron në Honduras me ftesë të Presidentit Juan Orlando Hernández Alvarado, për të marrë pjesë në cerëmoninë e inaugurimit presidencial, ku do të marrin pjesë edhe një numër i presidentëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shteteve të ndryshme, kryesisht të Amerikës Qendrore dhe Jugore.
Presidentja Jahjaga fillimisht e përgëzoi Presidentin Juan Orlando Hernández Alvarado për zgjedhjen e tij dhe e falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial. Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që po kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe është një promotor i fqinjësisë së mirë. Ajo tha se Republika e Kosovës po konsolidon subjektivitetin e saj ndërkombëtare dhe po synon anëtarësimin në të gjitha institucionet ndërkombëtare, në BE, NATO dhe në OKB. Presidentja Jahjaga vlerësoi se ndihma e Hondurasit në procesin e njohjeve të pavarësisë, në veçanti në pjesën e Amerikës Qendrore do të ndihmonte në vazhdimin e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Presidenti i Republikës së Hondurasit, zotëri Juan Orlando Hernández Alvarado, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e inaugurimit presidencial, i vlerësoi marrëdhëniet e shtetit të tij me Republikën e Kosovës dhe theksoi se vendi i tij po i përcjell nga afër të gjitha zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore. Ai tha se Hondurasi do të bëjë çdo gjë për të ndihmuar përparimin e Kosovës dhe avancimin e procesit të njohjeve në Amerikën Jugore dhe në organizata ndërkombëtare.