DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga takoi përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve komunale në Kosovë: kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zonjën Valdete Daka, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zotëri Enver Peci, kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, zotëri Fejzullah Hasani, kryeprokurorin e shtetit, zotëri Ismet Kabashi, prokuroren e shtetit, zonja Laura Pula, kryetarin e PZAP, zotëri Shukri Sulejmani dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni.

Përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve e njoftuan Presidenten Jahjaga me përgatitjet e deritashme të secilit institucion për zgjedhjet komunale dhe angazhimin e tyre për të siguruar dhe garantuar një proces të rregullt e të qetë zgjedhor. Ata thanë se kanë shtuar kapacitet për ditën e zgjedhjeve për të garantuar proces demokratik zgjedhor. Presidentja Jahjaga dhe përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për organizimin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve theksuan rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta, demokratike, të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Pas takimit Presidentja Jahjaga ka dhënë një deklaratë për media, të cilën po e botojmë të plotë: Kemi hyrë në një proces shumë të rëndësishëm për Kosovën në një periudhë të avancimit të proceseve demokratike për vendin, gjatë së cilës duhet të tregojmë pjekurinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës. Në këtë rrafsh kam takuar sot përfaqësuesit e të gjithë mekanizmave për të  garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kryeprokurorin e shtetit dhe kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, drejtorin e Policisë, koordinatoren speciale të prokurorisë për zgjedhjet, kryetarin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të pasur një proces të rregullt, të lirë dhe të drejtë zgjedhor, që është i garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Zgjedhjet e 3 nëntorit janë të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ato sigurojnë tërësinë territoriale dhe subjektivitetin e vendit. Zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, janë testi ynë i demokracisë dhe mbarëvajtja e tyre garanton rrugën tonë drejt integrimeve evropiane, drejt përparimit dhe një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.  Zgjedhjet e ndershme, demokratike, të drejta dhe të lira e hapin perspektivën tonë si vend dhe si shoqëri dhe mundësojnë ndërtimin e shtetit tonë mbi parimet demokratike dhe, në veçanti, mbi parimin e sundimit të ligjit. E drejta e secilit qytetar për të votuar dhe për t’u votuar është e garantuar me Kushtetutë dhe cenimi i kësaj të drejte, sikurse edhe cenimi i votës së lirë të qytetarit, ndëshkohet me ligj. Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës do të ndëshkohet fuqishëm. Shkeljet janë të patolerueshme dhe të papranueshme, sepse ato do ta pengojnë rrugën tonë drejt ndërtimit të shtetit demokratik, të lirë dhe të barabartë me të gjitha shtetet e tjera kudo në Evropë. Zgjedhjet lokale, që përfshijnë edhe komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do të mundësojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb të këtyre komunave, në shoqërinë dhe në institucionet e vendit, duke ndihmuar kështu në përshpejtimin e rrugës evropiane për Kosovën. E drejta e qytetarëve të komunitetit serb, qoftë në veri apo në jug, apo në cilëndo pjesë tjetër, për të marrë pjesë në proceset e zhvillimit të përgjithshëm të vendit, është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime, në çdo cep të Republikës së Kosovës, do të sigurojë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë e legalë, që do të punojnë me përkushtim për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për mirëqenien e përgjithshme në vendin tonë.     I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosës pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, fetare apo gjinore, që të dalin të gjithë në zgjedhje dhe të votojnë njerëzit që konsiderojnë që e meritojnë të i përfaqësojnë interesat e tyre në zbatim të Kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, të rendit dhe të sundimit të Ligjit në Republikën e Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.