Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takime të ndara, përfaqësuesin e Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD) zotëri Betim Musliun dhe përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare Demokracia në Veprim.
Përfaqësuesi i IKD-së, zotëri Betim Musliu e njoftoi Presidenten Jahjaga për përgatitjet për të vëzhguar punën e institucioneve të drejtësisë dhe gjyqësisë të angazhuara në procesin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ai tha se është bërë një punë e madhe në parandalimin e keqpërdorimeve gjatë procesit zgjedhor dhe se Instituti i tij do të vëzhgojë nga afër punën e këtyre institucioneve në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi që qytetarët të votojnë të lirë dhe të sigurt dhe nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike e me standarde evropiane.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në takim me përfaqësuesit e Koalicionit Demokracia në Veprim, bisedoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për angazhimin e Koalicionit në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.
Përfaqësuesi i Koalicionit Demokracia në Veprim, zotëri Ismet Kryeziu e njoftoi Presidenten me përgatitjet e Koalicionit për të vëzhguar nga afër gjithë procesin e zgjedhjeve në të gjitha vendvotimet, përfshirë edhe vendvotimet në katër komunat në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se Koalicioni do të jetë i angazhuar plotësisht në vëzhgim dhe raportim të mbarëvajtjes së procesit të zgjedhjeve.
Presidentja Jahjaga tha se angazhimi i shoqërisë civile në procesin e zgjedhjeve është i një rëndësie të veçantë, sepse këto zgjedhje janë një test i demokracisë për Kosovën dhe i pjekurisë politike në vend. Ajo tha se zgjedhjet lokale në Kosovë duhet të jenë të lira dhe të ndershme dhe për këtë puna e vëzhguesve qoftë vendorë dhe ndërkombëtarë është e nevojshme për të garantuar procesin e rregullt zgjedhor.