Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga votoi sot paradite në qendrën e votimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Në një deklaratë dhënë me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:
Sot unë kreva obligimin tim qytetar për të votuar. U bëj apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke dalë masovisht sot për të votuar.
Këto zgjedhje janë test i pjekurisë tonë politike, janë test i demokracisë tonë të brendshme dhe janë dëshmia e një shteti gjithëpërfshirës, të cilin ne jemi duke e krijuar si Republikë e Kosovës.
Dita kur shprehet vullneti politik është një ditë kremte, është edhe përkujtimi më i mirë për sakrificën nëpër të cilën ka kaluar shoqëria.

