DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Jahjaga për zgjedhjet e 3 nëntorit‏

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet komunale të 3 Nëntorit janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit.

Presidentja Jahjaga përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet komunale dhe mbarëvajtjen e tyre demokratike, të përgjegjshme dhe të lirë.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga shpreh indinjatën e thellë dhe dënon fuqishëm frikësimin dhe pengimin e qytetarëve të komunitetit serb, që jetojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale dhe për të shprehur në mënyrë të lirë vullnetin e tyre qytetar.Parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në disa vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit, është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cenon rrugën e integrimit evropian të vendit.Incidentet dhe parregullsitë që kanë ndodhur në disa pjesë të Kosovës, si përpjekje për të cenuar votën e lirë të qytetarëve, janë duke u hetuar dhe duke u procesuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e procesit, duke dëshmuar bashkërendimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të Kosovës për të siguruar zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e vendit gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve.Dhuna e shprehur ndaj stafit vendorë dhe ndërkombëtarë në disa prej qendrave të votimit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe përdorimi i gazit lotsjellës në këto qendra, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Aktet e tilla do të pasohen me veprim të shpejtë të mekanizmave të sigurisë me qëllim të vendosjes së rendit dhe të qetësisë dhe të sundimit të ligjit, sq shumë të nevojshëm e të domosdoshëm për këtë pjesë të vendit.  Presidentja Jahjaga vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e partive e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet komunale, për mbarëvajtjen e procesit dhe për një fushatë përgjithësisht të qetë e demokratike parazgjedhore dhe për respektimin e parimit demokratik në procesin e zgjedhjeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.