Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim shefin e misionit të vëzhguesve të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, zotëri Roberto Gualtieri, që shoqërohej nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, zonja Ulrike Lunachek, si dhe eurodeputeti Antonio Cancian, që i janë bashkuar misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi shumë të rëndësishëm angazhimin e misionit vëzhgues të BE-së i cili, tha ajo, do të vëzhgojë nga afër zgjedhjet lokale në Kosovë dhe pret nga ky mision një raportim real dhe të hapur për gjetjet gjatë mbajtjes së zgjedhjeve. Ajo tha se zgjedhjet lokale në Kosovë, që mbahen më 3 nëntor, janë një test i demokracisë dhe i perspektivës evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë që këto zgjedhje të jenë të lira, demokratike e të ndershme në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga tha se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në gjithë territorin e vendit njëkohësisht dhe ato do të jenë gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se është me rëndësi pjesëmarrja masive e qytetarëve në zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë e legalë që do të punojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shefi i misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, zotëri Roberto Gualtieri, e njoftoi presidenten Jahjaga me gjithë punën e deritashme të këtij misioni dhe shtrirjen e tij në komunat e Kosovës. Ai tha se ky mision do të vëzhgojë nga afër gjithë procesin e zgjedhjeve dhe në përfundim të tij do të hartojë një raport për gjithë mbarëvajtjen e procesit. Zotëri Gualtieri tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kosovën dhe për proceset e saj integruese. Eurodeputetët Lunachek dhe Cancian u interesuan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe gjithashtu edhe për procesin e zgjedhjeve, me theks të posaçëm në mbajtjen e tyre në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.