presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti presidentin e Këshillit Evropian, Van Rompuy

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, zotëri Herman Van Rompuy. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Van Rompuy biseduan për agjendën evropiane të Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, liberalizimin e vizave, bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjes së arritur në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Presidentja Jahjaga tha procesi i integrimit evropiane është fuqizuar me vendimin për fillimin e negociatave për MSA, që shënon një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke konfirmuar përparimin e arritur. Ajo tha se Kosova është e gatshme për fillimin e negociatave për MSA, dhe mbetet e fokusuar në përmbushjen e reformave të nevojshme dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.Presidentja Jahjaga tha se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është një sinjal i qartë për vendet e tjera të rajonit që ky progres është i mundur kur ndërtohet konsensusi i brendshëm, sigurohet gjithëpërfshirja dhe përmbushen kriteret e kërkuara.Ajo tha se deri më tani Kosova ka treguar angazhimin e saj të qartë për bashkëpunim rajonal dhe qëllimi është që të mbahet momentumi, që është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Presidentja Jahjaga theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në të gjitha nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare duhet të bëhet në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse.Presidentja Jahjaga theksoi marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe ajo gëzon mbështetjen e shumicës së spektrit politik, dhe tha se se zbatimi i saj është i rëndësishëm.Presidenti i Këshillit Evropian Van Rompuy theksoi se është i kënaqur që po viziton Kosovën, me një mesazh pozitiv për të ardhmen evropiane të vendit. Ai tha se projekti evropian nuk do të jetë i përfunduar pa integrimin e vendeve të Ballkanit në BE.Presidenti i Këshillit Evropian theksoi se rezultatet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të mëdha dhe se kanë krijuar një dinamikë të re në rajon. Ai tha se vullneti politik ka ekzistuar dhe ende ekziston, dhe për këtë arsye është e rëndësishme të mbahet momentumi dhe të fokusohemi në zbatimin e marrëveshjeve. Ai mirëpriti ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës.Presidenti Van Rompuy tha se fillimi i procesit të MSA-së e sjell Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe pas këtij procesi është një agjendë e gjerë reformash në të cilat Kosova duhet të fokusohet. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.