Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në një takim përfaqësuesit e Rrjetit evropian të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve (ENEMO).
Presidentja Jahjaga tha se ka ftuar organizatat vëzhguese të sigurojë qytetarët e Republikës së Kosovës se vota e tyre është e lirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë. Ajo e vlerësoi angazhimin e vëzhguesve edhe vendorë edhe atyre ndërkombëtarë dhe në këtë rrafsh e përshëndeti dhe falënderoi ENEMO-n për përkushtimin dhe punën në përcjelljen e procesit të zgjedhjeve komunale. Presidentja Jahjaga tha se zgjedhjet e 3 nëntorit kanë dëshmuar pjekurinë politike në vend dhe theksoi se pret që i tërë procesi i zgjedhjeve komunale të përfundojë me sukses, i qetë dhe i ndershëm. Shefi i misionit ENEMO, Zlatko Vujoviq, tha se kjo është hera e tretë që ata vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë dhe theksoi se vërehet një përparim i përgjithshëm në përgatitje dhe mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se edhe në përsëritjen e zgjedhjeve në veri por edhe në raundin e dytë në disa komuna, ENEMO do të angazhojë vëzhgues.