presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti admiralin Bruce W. Clingan dhe gjeneralin Salvatore Farina

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim komandantin e NATO-s në komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Salvatore Farina.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi rolin e NATO-s në Kosovë në ruajtjen dhe vendosjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit dhe ndihmën që Aleanca i ka dhënë Kosovës në fushën e sigurisë. Ajo gjithashtu e vlerësoi edhe ndihmën e NATO-s në aftësimin dhe përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me BE-në dhe tha se e sheh shumë të nevojshëm përafrimin me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe. Duke folur për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve më 3 nëntor, Presidentja Jahjaga tha se ato kanë treguar pjekurinë politike dhe gjithashtu kanë dëshmuar nivelin e demokracisë në vend dhe gjithëpërfshirje. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që më 17 nëntor, kur do të përsëriten votimet në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës, qytetarët të kenë mundësinë që në mënyrë të lirë e pa frikë të votojnë për përfaqësuesit e tyre legalë e legjitimë. Ajo tha se mekanizmat e sigurisë në vend, përfshirë edhe misionin paqeruajtës të NATO-s, kanë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve dhe pret që ato të garantojnë sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit, e posaçërisht për qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës. Admirali Clingan dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina, e njoftuan Presidenten Jahjaga për gatishmërinë e forcës paqeruajtëse në Kosovë, së bashku me të gjithë mekanizmat e tjerë të sigurisë në vend, për ditën e rivotimit në veri të Mitrovicës. Ata thanë se KFOR-i është i gatshëm dhe do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.