presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim shefin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotëri Bernd Borchardt, me të cilin bisedoi për procesin e zgjedhjeve komunale në Kosovë me theks të posaçëm për rivotimin në tri qendrat në veri të Mitrovicës, që do të zhvillohet më 17 nëntor.

Presidentja Jahjaga theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ata të komunitetit serb në pjesën veriore të territorit të vendit, duhet të kenë siguri për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në mënyrë të lirë dhe pa frikë. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zgjedhje demokratike, të qeta dhe të drejta ku qytetarët do të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë e legjitimë në mënyrë të lirë. Ajo tha se misioni i EULEX ka një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe vlerësoi punën e tij edhe gjatë zgjedhjeve të organizuara më 3 nëntor. Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotëri Bernd Borchardt, theksoi gatishmërinë e misionit për të siguruar një proces të qetë dhe paqësor gjatë rivotimit në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e koordinimit të të gjithë mekanizmave që garantojnë sigurinë gjatë procesit zgjedhor. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.