presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Ueli Maurer

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim presidentin e Konfederatës së Zvicrës, z. Ueli Maurer.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Maurer biseduan për zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe proceset integruese. Ata theksuan se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Zvicrës janë shumë të mira dhe shtuan se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të thellohet edhe më tej, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve. Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Maurer dhanë deklarata para gazetarëve, të cilat po i sjellim në vijim: Presidentja Jahjaga: Me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Ueli Maurer, patëm një bisedë shumë miqësore dhe të përzemërt. Kosova dhe Zvicra kanë një histori të gjatë të lidhjeve mes tyre dhe unë, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të vendit, i shpreha falënderimin Presidentit Maurer për ndihmën që Zvicra i ka dhënë Kosovës, në hapjen e kapitullit të ri të shtetndërtimit dhe të një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse. Që prej më shumë se 14 vjetësh, forcat paqeruajtëse të Zvicrës, në kuadër të Forcave të NATO-s, kanë ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin për ndërtimin e një Kosove të përparuar. Ndihma e forcave zvicerane vazhdon të jetë e domosdoshme në stabilizimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe ndërtimit të kapaciteteve tona të sigurisë. Lidhjet mes dy vendeve tona janë të pashkëputshme, sepse Zvicra për dekada të tëra ka treguar gatishmërinë për të ndihmuar qytetarët e Kosovës, duke pranuar një numër të bashkatdhetarëve tanë, të cilët sot janë të integruar dhe të respektuar, jetojnë e punojnë me dinjitet, si dhe janë një urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. Konfederata e Zvicrës është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe duke dhënë përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Kosova sot vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe këtë e ka dëshmuar edhe me angazhimin e plotë të saj në bisedimet në Bruksel me Republikën e Serbisë, duke arritur edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Rruga e integrimeve evropiane kalon përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, duke zbatuar në plotëni të gjitha ato marrëveshje të arritura deri tani. Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë dhe të drejtën kushtetuese dhe ligjore duhet ta shfrytëzojnë të gjithë, përfshirë edhe qytetarët tanë të komunitetit serb që jetojnë në veri të vendit. Me zgjedhjet lokale që kanë përfunduar dje në pjesën e veriut të territorit të vendit, po e rrumbullakojmë procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb që jeton në veri, në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës dhe po e përmbyllim kapitullin e përplasjeve dhe kundërthënieve në vend. Zgjedhjet komunale do të dëshmojnë kompaktësinë e vendit dhe njëkohësisht përmbyllin procesin e integrimit të brendshëm për të vazhduar me përkushtim kapitullin e integrimeve evropiane. Kjo rrugë na bashkon të gjithë neve – qytetarëve të vendit – pa dallim.  Presidenti Maurer: Zonja Presidente, të nderuar zonja dhe zotërinj, ju falënderoj edhe njëherë për këtë mikpritje kaq të përzemërt. Zvicrën dhe Kosovën i lidhin shumë miqësi. Në të njëjtën kohë, ju e dini që mbi 170 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në Zvicër. Në ndërkohë ata janë të integruar, janë bërë qytetar të Zvicrës dhe kjo e bën raportin mes Zvicrës dhe Kosovës edhe më të posaçëm.Sa për të thënë në kllapa, gjysma e kombëtares sonë përbëhet nga komuniteti juaj, kështu që vërtet edhe kualifikimi në Brazil është falë bashkëqytetarëve tuaj. Shaqiri është bërë vërtet një shembull për të gjithë qytetarët e Kosovës e po ashtu edhe në Zvicër.Mirëpo, unë jam këtu para së gjithash të bisedojmë rreth bashkëpunimit tonë në të ardhshëm. Sigurisht që Zvicra është akoma e interesuar që të kontribuon në ndërtimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës. Dëshiroj që t’ju përgëzoj për gjitha sukseset dhe përparimet që keni arritur. Ata që vijnë rrallë në Kosovë i vërejnë më së miri këto ndryshime, kështu që vërtet para rastin sot që t’i shoh ato. Për Zvicrën dhe ekonominë zvicerane nevojitet edhe më tepër stabilitet politik dhe në fushën e sigurisë gjithashtu në këtë vend, në mënyrë që Kosova të bëhet më tërheqëse për investime edhe nga Zvicra. Mirëpo, edhe në këtë fushë janë arritur suksese të mëdha, andaj dëshiroj edhe njëherë që ta përgëzoj Presidenten për të gjitha këto përparime, mirëpo edhe për imazhin personal që e gëzon në të gjitha nivelet ndërkombëtare. Kjo është me rëndësi sepse përveç stabilitetit ekonomik dhe atij politik, janë gjithmonë të rëndësishme kontaktet personale, që do të ndikojnë më tepër në mbështetjen e mëtutjeshme. Mes dy vendeve kemi marrëveshje të shumta bilaterale. Disa funksionojnë shumë mirë, ndërsa te disa të tjera duhet të punohet edhe më tepër derisa të funksionojnë si duhet. Bashkëpunimin mes dy vendeve ne nga Zvicra e konsiderojmë si partneritet, ndërsa vet fjala partneritet do të thotë që të dyja palët japin kontributin e barabartë në këtë bashkëpunim. Po, megjithatë besoj që jemi në rrugë të mbarë, edhe pse besoj që nevojiten edhe shumë hapa të tjerë, mirëpo ne në ndërkohë kemi krijuar një raport shumë të mirë personal dhe natyrisht institucional, dhe nuk do të këtë problem. Dhe shtetit tuaj i dëshiroj për të ardhmen vërtet gjitha të mirat e shumë fat, ndërsa Presidentes posaçërisht shëndet e fat dhe ju premtoj se do të mbetemi partnerë të mirë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.