Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler, i cili përfundon së shpejti misionin në vendin tonë.
Presidentja Jahjaga e ka falënderuar gjeneralin Buhler për kontributin e tij për paqen dhe sigurinë në vend, në krye të forcave të KFOR-it. Ajo çmoi profesionalizmin e gjeneralit.Buhler dhe tha se KFOR-i është një nga institucionet më të respektuara në Kosovë.Presidentja theksoi se me shkuarjen e gjeneralit Buhler, nga Kosova po shkon një profesionist, por se Kosova ka fituar një mik të madh. Ajo tha se e çmon lart përkushtimin e gjeneralit Buhler dhe të KFOR-it në përkrahje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rrugën e kësaj force drejt përmbushjes së kapaciteteve të plota operacionale dhe drejt ngritjes sa më të lartë profesionale të kësaj force.Duke folur për gjendjen e përgjithshme në vend, Presidentja Jahjaga tha se mbështet fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar dhe shuarjen e strukturave të paligjshme. Gjenerali Erhard Buhler theksoi nga ana e tij se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it dhe tha se është me rëndësi që në veri të zhvillohen dhe kryhen hetimet. Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer të tij dhe të KFOR-it me Presidenten Jahjaga.Duke folur për FSK-në ai tha se është i bindur në të ardhmen e kësaj force. Gjenerali Buhler gjithashtu theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.