presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në instalacionin “Mendoj për ty”, në Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ngjarjen “Grumbullimi i Fustaneve/fundeve”, e organizuar në sheshin “Ibrahim Rugova në Prishtinë, qëllimi i së cilës është kontributi në instalacionin artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio, i cili i dedikohet grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ngjarja është e organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i themeluar dhe i udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga.
 
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga, bashkë me organizatoret pranoi një numër fustanesh dhe fundesh të dhuruara nga personalitete të ndryshme dhe qytetarë, që iu bashkuan kësaj nisme.
 
Presidentja Jahjaga dhuroi fustanin e parë që do filloj fushatën mbarë kombëtare.
 
Pjesë e aktivitetit të sotëm ishin përfaqësues të institucioneve të vendit, deputete të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë të shteteve të akredituar në Kosovë si dhe udhëheqës të misioneve ndërkombëtare.
 
Në një deklaratë të bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga theksoi:
 
Siç e keni parë, sot ka qenë dita në Prishtinë që me vetë prezencën, jo vetëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, të ambasadave dhe përfaqësive ndërkombëtare këtu në Kosovë, por edhe një masë shumë e madhe e qytetarëve që nga mëngjesi i sotëm kanë qenë afër kësaj çadre këtu, në mënyrë që përmes kësaj vepre artistike dhe të këtij instalacioni të artistes së mirënjohur, Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio ne jemi duke u munduar që të përçojmë një mesazh edhe më të fuqishëm jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe në rajon dhe më gjerë. Përmes kësaj vepre artistike, përmes këtij instalacioni ne jemi duke thënë jo vetëm në atë se, ne e dimë pafajësinë e të gjitha këtyre viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, se ne jemi NJË dhe jemi me të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, por që ne do të vazhdojmë të tregojmë përkrahjen tonë të fuqishme edhe si institucione edhe si shoqëri, deri në atë moment që të gjitha këto viktima së pari ta ndjejnë qetësinë shpirtërore në shpirtin e gjithsecilës viktimë që kanë qenë në luftën e fundit në Kosovë, por ajo që është më e rëndësishmja të sjellim drejtësinë në vend për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ju keni dëgjuar disa herë duke thënë se turpi nuk është mbi to, turpi është mbi të gjithë ata që e kanë kryer këtë vepër makabre ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ky mesazh është që të përçojmë atë se turpi nuk është mbi këto viktima, por mbi ata të cilët e kanë kryer këtë vepër makabre.
 
Përmes Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës dhe përmes një përkrahje që ka qenë e vazhdueshme në kuadër të këtij këshilli, për një vit të plotë të punës së vazhdueshme që është kryer, ne do të vazhdojmë të punojmë në rehabilitimin, riintegrimin dhe në risocializimin e të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, për një punë të vazhdueshme të institucioneve, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, të botës artistike dhe akademike, të korit diplomatik, pra është një punë e përbashkët e të gjithë neve.
 
Simbolika që ka filluar me artistë për një javë të plotë, nëpër të gjitha qytetet e Kosovës që ta dhurojmë nga një fund/fustan është që të tregojmë pastërtinë e të gjitha këtyre viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe të përçojmë mesazhin se në këtë luftë nuk jemi NE dhe ATO, jemi NE dhe jemi NJË.
 
Instalacioni do të realizohet duke vendosur mijëra fustane dhe funde të grave në varëse të rrobave në fushën e stadiumit të Prishtinës. Fundet dhe fustanet do të mblidhen në të gjithë vendin në evente të organizuara me mbështetjen e organizatave jo qeveritare. Secili fund dhe fustan i dhuruar do bëhet pjesë e instalacionit.
 
Ky instalacion është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.