presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga bëri homazhe në kompleksin memorial të familjes Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga bëri homazhe dhe vendosi kurorë lulesh në kompleksin memorial të familjes Jashari, me rastin e 15 vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe 54 anëtarëve të familjes Jashari.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha se vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari është bazamenti i përpjekjeve për liri, si dëshmi e fuqishme për t’i dalë zot atdheut dhe për të jetuar të lirë.  “Epopeja e Jasharajve shënon veprën më sublime të heroizmit dhe të flijimit për lirinë. Vepra e Komandantit legjendar të UCK-së, Adem Jashari është bazamenti i përjetësimit të të gjitha përpjekjeve tona shekullore për liri, duke dëshmuar vullnetin dhe organizimin për t’i dalë zot atdheut, për të jetuar të lirë, për të pasur një të ardhme të sigurt për të gjithë brezat e ardhshëm për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për Kosovën shtet anëtar të Bashkimit Evropian, NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” tha Presidentja Jahjaga. Presidentja Jahjaga tha se sot i kujtojmë gjithë ata burra dhe gra që nuk kursyen asgjë nga vetvetja dhe që gjithnjë punuan që ne sot të jemi popull i lirë dhe i barabartë me popujt tjerë.“Në këtë ditë, ne i kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra që nuk kursyen asgjë nga vetvetja, që nuk heshtën dhe nuk pushuan asnjëherë së punuari për lirinë, që ne sot të jemi një popull i lirë, që ne sot të jemi një popull i barabartë dhe i dinjitetshëm në një të ardhme të sigurt të shtetit tonë”, tha Presidentja Jahjaga. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.