DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua me ish-Sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Madeleine Albright, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe përpjekjet për shtimin e njohjeve të reja për vendin.

Presidentja Jahjaga e njoftoi ish-sekretaren Albright me qëllimet strategjike të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe tha se ato janë mënyra më e mirë për të ofruar kornizën brenda të cilës do të ndërmerreshin reformat dhe konsolidimi i vazhdueshëm demokratik i Kosovës dhe rajonit.

Presidentja Jahjaga përmendi në veçanti nevojën që Kosova ka për të vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe me Aleancën Veriatlantike përmes programit të saj për Partneritet për Paqe.

Ajo i paraqiti zonjës Albright idenë për krijimin e grupit “Miqtë e Kosovës”, që ka për synim ngritjen e imazhit të Kosovës dhe promovimin e saj nëpër vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Zonja Madeleine Albright, duke e përgëzuar Presidenten Jahjaga për punën dhe lidershipin e saj, tha se mbetet mike e madhe dhe e përkushtuar e Kosovës,.

Ajo shprehu përkrahjen për Kosovën dhe rrugën e saj të qartë në procesin e integrimeve evropiane. Ish-sekretarja amerikane e shtetit tha se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor janë të vetmet pjesë që mungojnë për ta përmbushur vizionin për një Evropë të bashkuar dhe të lirë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.