presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në New York, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, z.Avni Spahiu, u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Presidentja Jahjaga e falënderoi ish-presidentin finlandez Maarti Ahtisaari për punën dhe mbështetjen e tij për Kosovën dhe tha se vendi ka shënuar përparime të mëdha në veçanti në zbatimin e planit të hartuar nga zoti Ahtisaari.

Presidentja Jahjaga tha se Plani Ahtisaari ka ofruar mundësi të mëdha për komunitetin serb dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së tij edhe në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton atje. Ajo tha se shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe  komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po zhvillon marrëdhënie normale dhe miqësore me vendet fqinje dhe tha se promovimi i këtyre marrëdhënieve, përfshirë edhe me Serbinë, është në interes të stabilitetit afatgjatë të rajonit. Ajo tha se dialogu me Serbinë, që po zhvillohet me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura, por theksoi se ndarja ose shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe e njohur ndërkombëtarisht. Ajo tha se Kosova dhe Serbia kanë synim integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato duhet që ta ndihmojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në që të thellojë reformat e brendshme dhe të përshpejtojë procesin e përafrimit me strukturat euroatlantike. Ajo tha se Kosova ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga miqtë e saj për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj dhe për lobim dhe njoftoi ish-Presidentin Ahtisaari për idenë e krijimit të grupit “Miqtë e Kosovës”, në të cilin përfshihet edhe vetë zotëri Ahtisaari.      Ish-presidenti finlandez Ahtisaari e përgëzoi Presidenten për punën e saj dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës në kohët e fundit. Ai tha se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare por theksoi se është i shqetësuar me procesin e ngadalshëm të njohjeve të pavarësisë së saj. Ish-presidenti Ahtisaari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese. Ai tha se duhet të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat. Ish-Presidenti Ahtisaari tha se shpreson për ndryshim të gjendjes në veri të Kosovës dhe për integrimin e serbëve të kësaj pjese.   *****Po sot, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim miqësor me udhëheqësit Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, me të cilët diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi. Në takim, Presidentja Jahjaga vlerësoi kontributin shumë të madh që kanë dhënë shqiptarët në Amerikë në përkrahje të Kosovës, ne të gjitha periudhat.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.