Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po merr pjesë në samitin e Bërdos, të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, që organizohet nga Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic.
Në samitin e Bërdos po merr pjesë edhe Presidenti i Republikës së Francës, Francois Hollande.
Në samitin e Bërdos po marrin pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, presidenti i Shqipërisë, presidenti i Maqedonisë, presidenti i Serbisë dhe presidenti i Bosnje Hercegovinës.
Samiti i Bërdos është përqendruar në bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vijim fjala e Presidentes Jahjaga në sesionin plenar të Samitit:
I nderuari President Hollande,
Presidenti Pahor dhe Presidenti Josipovic,
Presidentë të vendeve të regjionit,
Është kënaqësi e posaçme të takohemi përsëri në një periudhë kohore të shkurtër, në mënyrë që t’i ripërtërijmë dedikimet tona ndaj agjendës evropiane dhe t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale, platformë kjo e cila unifikon të gjithë qytetarët tanë dhe e cila ka shtruar rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit në regjionin tonë.
Jam posaçërisht e lumtur që kemi në mesin tonë Presidentin Hollande, që mbështet iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë për ndihmë gjashtë vendeve të tjera të regjionit drejt përmbushjes së kritereve të nevojshme për anëtarësim në BE, si dhe drejt forcimit të marrëdhënieve fqinjësore. Kam bindjen e plotë se ne të gjithë do të bëhemi anëtarë të BE-së në një të ardhme të afërt. Rruga evropiane e secilit shtet duhet të jetë e garantuar dhe e qëndrueshme.
Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj gjersa jemi duke ndërmarrë reformat interne në secilin vend tonin, përderisa jemi duke i adresuar mospajtimet e mbetura me njëri-tjetrin dhe i hapim rrugë dialogut të sinqertë si fqinj. Prezenca juaj dhe vullneti i juaj politik që ta vazhdoni politikën e zgjerimit demonstron se periudhat fatkeqe të historisë së shekullit të kaluar nuk do të përcaktojë të ardhmen e regjionit.
Ne duhet t’i përkujtojmë vetvetes qëllimin dhe arsyet për të cilat u themelua Bashkimi Evropian dhe pse u tregua aq i suksesshëm. Evropa ka parë progres në pesë dekadat e fundit si asnjëherë më parë. Jo vetëm që shtetet themeluese kanë pasur zhvillim të vazhdueshëm, por Bashkimi ka ndihmuar uljen e dallueshmërisë zhvillimore në Evropë duke u ofruar ndihmë vendeve të cilat kishin ngecur për shkak të ngjarjeve të dekadave të shkuara.
Paqja solli jo vetëm rritje dhe zhvillim të paparë, por solli edhe një periudhë të stabilitetit politik, liri të lëvizjes dhe një mirëkuptim më të thellë në mes të njerëzve dhe kombeve.
Në mënyrë të ngjashme, progresi politik të cilin e kemi parë në regjion vetëm gjatë vitit të kaluar ishte i paparamendueshëm vetëm një vit më parë. Ky ndryshim i cili ka përfshirë shtetet u mundësua vetëm nga një cak i qartë dhe nevoja për integrim evropian dhe është arritur nëpërmjet dialogut.
Është një vizion i përkrahur nga qytetarët tanë, pasi që ne kemi shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian. Në perceptojmë integrimin tonë në BE si një rezultat me të cilin fitojnë të gjithë.
Vullneti politik dhe lidershipi që të reformojmë ekonomitë tona dhe të konsolidojmë sundimin e ligjit si fusha kyçe – duhet të ndërmarrin këtë hap të madh siç është zotimi i vendeve të BE-së që të na udhëzojnë gjatë këtij procesi. Pjesa më ë madhe e kësaj pune të rëndë duhet të kryhet nga vetë shtetet aspiruese dhe, siç e kam thënë, ne në Kosovë nuk do të kërkojmë për rrugë të shkurtra sepse ne kemi nevojë për këto reforma në mënyrë që të sigurojmë qëndrueshmëri.
Përderisa jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohet secili shtet dhe për punën që mbetet për t’u kryer, ne po ashtu duhet të jemi të vetëdijshëm rreth mundësive të cilat rrjedhin nga bashkëpunimi regjional. Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të falënderoj Slloveninë dhe Kroacinë që kanë ndërmarrë mbi vete lehtësimin dhe definimin e kornizave të këtij bashkëpunimi kaq të nevojshëm.
Mbi premisat e bashkëpunimit në të ardhmen për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, ne, shtetet e regjionit, duhet të punojmë së bashku. Ne kishim një të kaluar të hidhur, një të kaluar nga e cila mund të mos jemi këndellur akoma, dhe pasojat e së cilës po vazhdojmë t’i vuajmë, por tani jemi duke u bashkuar drejt vizionit premtues të një Evrope të bashkuar.
Është jetësore që ky bashkëpunim i yni të jetë i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës. Asnjë lloj bashkëpunimi në regjion nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Kosovës; asnjë nga politikat regjionale nuk do të mund të vihet në funksion pa përfshirjen e Kosovës dhe projekti i Bashkimit Evropian do të jetë i papërfunduar pa anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi ynë mund të marrë formën e një të ashtuquajturi “mini Shengeni”, si dhe atë të praktikave të mira evropiane nëpërmes të cilave vendet aspiruese mund të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta bilaterale dhe bashkëpunim regjional, të investojnë në ndërtimin e mekanizmave dhe politikave të cilat do të ushqejnë bashkëpunimin ekonomik, të krijojnë mundësi dhe shtytje për njëri-tjetrin në mënyrë që të stimulojnë zhvillimin ekonomik, të intensifikojnë numrin e projekteve të përbashkëta të investimeve kapitale, duke përthithur fonde të Bashkimit Evropian apo fondeve të ndryshme zhvillimore.
Ne të gjithë do të jemi përfitues nga projektet e përbashkëta dhe do të jemi të lidhur nga këto projekte, në mënyrë që të sigurojmë paqe të qëndrueshme për gjeneratat që do të vijnë.
Presidenti Hollande, Presidenti Pahor dhe Presidenti Josipovic,
Presidentë të shteteve të Ballkanit Perëndimor,
Perspektiva evropiane duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të vazhdojë të ofrojë shpresë dhe shtytje konkrete për transformim ekonomik dhe shoqëror.
Perspektiva regjionale e anëtarësimit, e cila na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë pa asnjë dyshim mbi dyshimet rreth arsyeshmërisë së politikës së dyerve të hapura, sepse kjo perspektivë deri tani ka dhënë rezultate shumë të prekshme.
Procesi në mes të të cilit gjendemi tani, duhet të jetë i pakthyeshëm.
Ne do të bëjmë çdo gjë të nevojshme në mënyrë që të ndikojmë mbi qeveritë tona që ata të zhvillojnë programe konkrete të bashkëpunimit dhe që të arrihen kriteret e kërkuara për anëtarësim në BE.