Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim përcjellës, para nisjes në detyrë, ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Valdet Sadiku, i cili me dekret të veçantë është emëruar Shef i Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd.
Presidentja Jahjaga theksoi se hapja e misionit të posaçëm diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë kontribuon në zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ambasadori Valdet Sadiku shprehu gatishmërinë për të kryer me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë të gjitha detyrat pasi që ky mision ka specifikat e veta, duke marrë parasysh të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe synimin e përbashkët të integrimeve evropiane.