presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Presidentin e Francës, Francois Hollande

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot në Bërdo pranë Kranjit, të Sllovenisë, me Presidentin e Republikës së Francës, zotëri Francois Hollande. Presidenten Jahjaga në takim me Presidentin Hollande e shoqëroi ministri i punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, zotëri Enver Hoxhaj.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidentin Hollande për mbështetjen që Republika e Francës i ka dhënë Kosovës që prej para, gjatë dhe pas luftës, në procesin e rindërtimit dhe të shtetndërtimit, si dhe në forcimin e konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një rrëfim suksesi i qytetarëve dhe institucioneve të saj, si dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës gjithashtu po bëhet me ndihmën e miqve të saj, përfshirë edhe Francën. Ajo tha se është me rëndësi qëndrimi i vendeve anëtare të BE-së, posaçërisht i atyre që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe lëvizja drejt pranimit të shtetit të Kosovës do të ndihmonte në avancimin e proceseve integruese të vendit.Duke folur për marrëdhëniet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka dëshmuar se është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe promotor i fqinjësisë së mirë. Ajo tha se me Republikën e Serbisë është arritur marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, marrëveshje e arritur gjatë procesit të dialogut të zhvilluar në Bruksel. Presidentja Jahjaga theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane do të sjell paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe do të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Ajo tha se marrëveshja e arritur duhet të zbatohet në tërësi, meqë kjo hap perspektivën evropiane të të dyja vendeve dhe ndihmon në integrimin e komunitetit serb në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës tha se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe theksoi se me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova dhe BE-ja kanë hapur një marrëdhënie të re kontraktuale. Ajo tha se reformat e nevojshme dhe të domosdoshme në vend dhe procesi i forcimit të demokratizimit të vendit do të përshpejtohen në kuadër të rrugës së anëtarësimit në BE. Presidentja tha se Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve në vendet e BE-së dhe vlerësoi se ndihma e Francës në këtë proces do të ishte e më se e nevojshme.Presidentja Jahjaga i vlerësoi të mira marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës dhe tha se bashkëpunimi duhet  të shtrihet posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve. Ajo i bëri ftesë Presidentit francez që ta vizitojë Kosovën në një periudhë të përshtatshme për të. Presidenti i Republikës së Francës, zotëri Francois Hollande, shprehu interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë, për procesin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, si dhe për proceset e integrimit në BE. Ai posaçërisht u interesua për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kapacitet e saj, si dhe ndihmën që Franca dhe BE-ja mund të japin në këtë drejtim. Presidenti Hollande po ashtu shprehu brengën për numrin në rritje të azilkërkuesve nga Kosova në Francë duke thënë se kjo çështje po shkakton probleme dhe po i jep shtetit një imazh të shëmtuar.Presidentja Jahjaga e shprehu angazhimin e saj personal dhe atë të institucioneve të Republikës së Kosovës për të ndalur valën e migrimit ilegal, duke theksuar se motivet e migrimit tash janë ekonomike dhe jo politike. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.