Fjalimi i Presidentes Osmani para nxënësve nga mbarë Kosova, organizuar nga Këshilli Rinor i Kosovës

Shumë faleminderit dhe mirë­mëngjes të gjithëve! I nderuar zoti Fetahu, Shumë të dashur anëtar të Këshillit Rinor nga mbarë Republika e Kosovës, Të nderuar zoti O’Malley dhe zonja Vashchenko, Shumë të dashur nxënës, Është vërtetë kënaqësi e veçantë që sot të jem në mesin tuaj, pikërisht në ditën ndërkombëtare të nxënësve. Në një konferencë që vendos nxënësit në qendër të bisedës për paqen dhe sigurinë, ashtu siç duhet të jetë, në fakt në secilin vend demokratik. Më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti që kjo konferencë po i bashkon mbi 200 nxënës, nga shkollat e mesme, nga secili qytet e fshat dhe komunitet në Kosovë. Kjo larmi është fotografia më e bukur e vendit tonë. Një Kosovë gjithëpërfshirëse që ndërton ura, ku secili nxënës ndihet i mirëpritur dhe ku paqja fillon pikërisht aty ku formoheni ju, pikërisht në klasën tuaj dhe në ëndrrat tuaja për të ardhmen. Në historinë e vendit tonë, të rinjtë dhe nxënësit kanë qenë gjithmonë në ballë të proceseve jetike për vendin tonë. Në periudhat më të errëta, kur shtëpitë tona u shndërruan në shkolla, për shkak se shkollat u mbyllën me dhunë për ne dhe fëmijët helmoheshin në mënyrë sistematike nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit, ishin studentët dhe të rinjtë tanë që bartën barrën më të rëndë, por ishin po ata që ngritën zërin për liri, për dinjitet dhe për të drejtën në arsim. Një të drejtë që ju sot e ushtroni lirshëm, të mendoni lirë, të mësoni të lirë dhe të kontribuoni për këtë shtet, i cili sot është i lirë falë shumë nxënësve e studentëve që sakrifikuan gjithçka, në mënyrë që sot ju dhe gjithë ne të frymojmë në liri. E pikërisht kjo histori na kujton se rinia kurrë nuk është thjesht dëshmitare e largët e proceseve, rinia është pikërisht forca që i ndryshon ato procese. Edhe sot, përgjegjësia për të ndërtuar një shoqëri të sigurt fillon pikërisht në shkolla. Shkolla duhet të jetë hapësira e sigurt e jetës tuaj, një vend ku respektoheni, ku dëgjoheni dhe ku nuk frikësoheni në asnjë moment për të qenë vetvetja juaj. Kjo nënkupton një ambient pa dhunë, pa bullizim, pa përjashtim dhe pa stigmatizim të askujt. Ndërtimi i një ambienti të tillë kërkon përkushtim të për çdoditshëm nga secili prej nesh dhe bashkëpunim të sinqertë mes nxënësve, mësuesve dhe institucioneve. E pjesë thelbësore e sigurisë është edhe shëndeti mendor. Shumë prej nxënësve, të rinjve tanë përballen me presione që shpesh nuk shihen nga jashtë, por ndihen thellë përbrenda. Prandaj, është e domosdoshme që secila shkollë të ofrojë mbështetje profesionale, e po ashtu edhe hapësira të sigurta, ku nxënësit mund të flasin për shqetësimet e tyre. Kërkimi i ndihmës asnjëherë nuk është dobësi, është guxim dhe askush nuk duhet të ndihet i vetmuar në këtë drejtim. E po aq e rëndësishme është edhe siguria në hapësirat digjitale. Një pjesë e madhe e jetës suaj zhvillohet online dhe ajo që ndodh në internet nuk mbetet vetëm në ekran. Gjuha e ligë, ngacmimi online apo shpërndarja e pamenduar e diçkaje që mund të dëmtojë dikë brenda sekondave, për këtë arsye është e rëndësishme që të ushtroni përgjegjësi dhe kujdes sa herë që komunikoni në rrjetet sociale. E po ashtu duhet të sigurohemi që institucionet tona të sigurisë ta mbrojnë çdo nxënës që mund të përballet me fenomene të tilla. Ju jeni brezi që mund të vendosë standarde të reja të sjelljes digjitale dhe të tregojë se respekti vlen njësoj si në jetën reale ashtu edhe në hapësirat virtuale. Të dashur nxënës, ju nuk jeni thjesht nxënës që mësoni në shkolla, ju jeni aktivist, jeni inovator, jeni krijues të ideve të reja dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në paqen dhe sigurinë tuaj dhe në paqen dhe sigurinë e vendit tonë. Jo rastësisht në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të mbajtur në qershor të këtij viti, kemi vendosur temë bosht mbrojtjen e fëmijëve dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën publike dhe të vendimmarrjes. Roli juaj i domosdoshëm në çdo hap, nga parandalimi i dhunës te ndërtimi i besimit mes bashkëmoshatarëve e deri te krijimi i një shoqërie të drejtë për të gjithë është i pazëvendësueshëm. Por, për këtë pjesëmarrja juaj duhet të jetë e vërtetë dhe e garantuar, shkollat duhen të jenë ambiente që ju motivojnë për mendimin kritik, ju motivojnë të ngrisni zërin dhe të jepni ide për zgjidhjet që ju i shihni çdo ditë. Potenciali juaj është i jashtëzakonshëm, jeni brezi i paqes dhe brezi i së ardhmes së ndritur të Kosovës, dhe sado që juve mund të ju duket e largët, ju siguroj që e ardhmja kur ju do të udhëhiqni këtë vend në çdo sektor vjen shumë, shumë shpejt. Dua t’iu siguroj se si gjithmonë, Presidenca do të jetë e hapur për ju, për idetë tuaja, por edhe për shqetësimet tuaja. Potenciali juaj siç e thashë është i madh dhe ne duhet të sigurohemi që ai të shfrytëzohet për ta shpier shtetin tonë përpara. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me përkushtim, të jeni kureshtarë, të mbroni njëri-tjetrin dhe të mbani në qendër të çdo veprimi tuaj të mirën e përbashkët e interesin e vendit tonë të dashur. Ju jeni ata që do të shkruani kapitujt e ardhshëm të historisë së shtetit tonë! Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese në vazhdimin e kësaj konference!

Presidentja Osmani: Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot gjeneralë, kolonelë e oficerë tjerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në mesin e gjeneralëve, kolonelëve e oficerëve tjerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe më gjerë. Ata po vizitojnë Kosovën me rastin e Simpoziumit Ndërkombëtar të Akademive Ushtarake (ISOMA) i cili mbahet për herë të parë në vendin tonë. Kjo shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe pasqyron jo vetëm sukseset e Akademisë së Mbrojtjes të FSK-së, por edhe rolin tonë në rritje në ngritjen e standardeve profesionale dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Krenare me FSK-në! Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë!

Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend. Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë. Presidentja gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë. Në përmbyllje, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, si dhe të drejtave të njeriut. Në vazhdë të kësaj, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, siç është diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës (IKKL), z.Atdhe Hetemin, me të cilin diskutoi mbi punën e deritanishme të institutit, sfidat, si dhe rëndësinë e vazhdimit të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Presidentja Osmani përgëzoi ekipin e IKKL-së për punën e tyre dyvjeçare dhe dorëzimin e raportit të dytë vjetor të institutit. Në takim u theksua se deri më sot, IKKL-ja ka grumbulluar rreth 400 metra linearë material fizik dhe mbi 20 terabajtë të dhëna digjitale, të siguruara nga 650 burime të ndryshme. Sipas Presidentes Osmani, dokumentimi, arkivimi dhe hulumtimi mbi krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë janë thelbësore jo vetëm për të ruajtur kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, por edhe për të hedhur dritë mbi të vërtetën e gjenocidit nga ana e Serbisë. “Nuk duhet të lejojmë që historia të harrohet, përkundrazi, duhet ta forcojmë thirrjen tonë të përbashkët që drejtësia të vihet në vend”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, për të siguruar që çdo dëshmi të përdoret në funksion të drejtësisë. Presidentja Osmani, gjithashtu vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarët, ndaj ftoi ata që të kontribuojnë në punën e IKKL-së, duke ofruar materiale dhe dëshmi që ndihmojnë në ndriçimin e vuajtjeve të familjeve të tyre gjatë luftës.

Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e TİKA-s, Abdullah Eren

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta. Presidentja Osmani e përgëzoi z. Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit. Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.

Presidentja Osmani dekretoi 20 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri. Presidentja Osmani theksoi se drejtësia e pavarur mbetet themeli i çdo shteti demokratik dhe garant i zhvillimit të tij institucional e shoqëror. Ajo shtoi se gjyqtarët me integritet dhe profesionalizëm janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve në drejtësi dhe garantohen të drejtat e barabarta për të gjithë.

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Bangladeshit, z. Muhammad Zulqar Nain

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Republikës Popullore të Bangladeshit në Republikën e Kosovës, z. Muhammad Zulqar Nain. Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Nain dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Bangladeshi i ka dhënë Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ajo përmendi takimin me Kryeministrin e Bangladeshit gjatë Javës së Nivelit të Lartë të KB-së në New York, Muhammad Yunus, ku u ritheksua përkushtimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, në frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy popujve. Nga ana e tij, ambasadori Nain shprehu vullnetin e Bangladeshit për të forcuar më tej marrëdhëniet diplomatike dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis dy vendeve. Ai përcolli urimet e përzemërta të udhëheqjes së Bangladeshit për popullin e Kosovës, duke shprehur bindjen se raportet ndërmjet dy shteteve do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në forumin e organizuar nga EULEX dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës, me temën: “Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”

Mirëmëngjesi të gjithëve! I nderuar Shef i Misionit të EULEX-it, Gjeneral Barbano, I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, z. Hoxha, I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, z. Dibrani, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Të dashur të pranishëm, ju që punoni pa reshtur mbi parimet e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ambasadorë, Zonja dhe zotërinj, Është gjithmonë kënaqësi e veçantë që të rikthehem në ngjarjen vjetore të organizuar nga ju, sidomos kur në fokus të diskutimit është një agjendë kaq e rëndësishme si ajo për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të japë shumë në këtë fushë. Pavarësisht periudhave të vështira dhe të errëta që përjetoi populli ynë gjatë luftës ne arritëm që të ringrihemi dhe të ndërtojmë lirinë falë forcës, guximit dhe përkushtimit të grave dhe burrave tanë. Kjo histori qëndrese dhe bashkëpunimi tashmë po shndërrohet në një shembull frymëzimi, të cilin Kosova çdo ditë e ndan me gjithë botën. Në këtë vit jubilar, që shënon 25 vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne kujtojmë jo vetëm arritjet tona të përbashkëta në kauzën për barazi, por po ashtu reflektojmë mbi përpjekjet e pandërprera për ta çuar përpara këtë mision në Kosovë dhe kudo përtej Kosovës. Ky përvjetor për ne nuk është thjesht një shënim kronologjik, por dëshmi e një kapitulli të tërë të rezistencës, të vizionit dhe të transformimit të një sistemi të tërë vlerash në sektorin që ndërlidh gratë me vlerat e paqes dhe misionin për forcimin dhe garantimin e sigurisë. Republika e Kosovës tashmë është shndërruar në sinonim të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm tonë shtetëror. Sot me krenari shohim pjesëmarrjen gjithnjë në rritje të grave tona në strukturat e sigurisë, gjersa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e lirisë dhe shtetformimit e shtetndërtimit, e fuqizimit të institucioneve tona në vazhdimësi. Sot dua të nderoj secilën grua, që jo vetëm ka sakrifikuar gjithçka për Kosovën, por po ashtu që edhe sot ka zgjedhur të shërbejë në Republikën tonë, në Forcën e Sigurisë, në Policinë e Kosovës, në Shërbimin Korrektues, në diplomaci, në ekonomi dhe në çdo sektor ku mbrohen paqja dhe ligji, aty ku forcohen edhe vetë themelet e shtetit tonë. Të nderuar pjesëmarrës, Barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht parimet udhëheqëse në zbatimin e kësaj agjende. Këto janë gjithashtu vlerat mbi të cilat funksionon edhe Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë e themeluar në kuadër të Presidencës dhe e vetmja e këtij lloji në tërë kontinentin e Evropës. Përmes punës së saj, Qendra promovon çdo ditë rolin e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë. Falë angazhimit të Qendrës, Kosova edhe këtë vit ishte vendtakim i liderëve, aktivistëve, akterë të tjerë botërorë për të trajtuar sfidat aktuale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vendosur në qendër të vëmendjes, jo vetëm perspektivën e grave ndaj situatës së sigurisë, por edhe të brezave të ardhshëm, të cilët meritojnë një të ardhme më të sigurt e më paqësore. Megjithatë, progresi i arritur nuk duhet të na përmbushë, meqenëse sfidat akoma mbeten prezente, sidomos në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta menaxheriale. Ju besoj e vërejtët, që në fillim gati se të gjithë që i përshëndeta në krye të institucioneve ishin burra. Do të punojmë së bashku që edhe kjo të ndryshojë. Duke njohur gjithnjë progresin e jashtëzakonshëm që gratë japin në çdo institucion të sigurisë, duhet të vazhdojmë t’i fuqizojmë gratë në këto sektore, të bëjmë ato më atraktive për pjesëmarrje më të madhe, por edhe më e rëndësishme, t’u japim grave rolin e merituar, të merituar, në vendimmarrje, rol që e kanë merituar tashmë që një kohë të gjatë. Vetëm duke eliminuar barrierat e imponuara ndaj grave, do të mund ta avancojmë përfaqësimin e tyre në çdo institucion që merret me paqe dhe siguri, duke siguruar që kuadrot profesionale të tyre të mbeten dhe të zhvillohen brenda këtyre institucioneve bazuar në parimet e meritokracisë. Është thelbësore, prandaj, që të promovojmë shembujt e suksesshëm të grave në pozita vendimmarrëse dhe t’i inkurajojmë ato që të marrin përgjegjësi më shumë, në mënyrë që perspektiva gjinore të jetë pjesë e çdo vendimi që marrim si shoqëri. Siç e dini, sivjet për shkak të kontributit të grave në Kosovë, vendi ynë u nderua edhe me çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, çmimin vjetor pra, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që është një vlerësim historik për shtetin dhe për popullin tonë e në veçanti për gratë që për dekada të tëra kanë dhënë gjithçka për këtë vend. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që pjesëmarrja e grave në çdo sektor, e në veçanti në sektorin e sigurisë të jetë çdo ditë më me ndikim, çdo ditë më me kompetencë dhe me përfaqësim gjithnjë e në rritje. Pa gratë në tavolinat ku merren vendimet, siguria nuk është gjithëpërfshirëse, sepse gratë e Kosovës, përveç që janë pjesë e historisë sonë të lavdishme, ato po ashtu janë forca që po shkruajnë çdo ditë të ardhmen më të mirë të Republikës sonë. Ju faleminderit shumë dhe ju dëshiroj shumë suksese në diskutimet e sotme!

Presidentja Osmani nderoi ushtarët britanikë në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar

Në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, bën homazhe për t’i nderuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR). Katërmbëdhjetë ushtarët britanikë që sakrifikuan jetën gjatë misionit në Kosovë, u vlerësuan si urë e fortë lidhjeje dhe dëshmi e miqësisë së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Presidentja Osmani theksoi se ata do të nderohen në çdo përvjetor, si kujtesë e rrugës së vështirë drejt lirisë dhe gjithashtu në shenjë falënderimi për rolin vendimtar të Mbretërisë së Bashkuar, në rrugën tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

This site is registered on wpml.org as a development site.