Presidentja: Sot qytetarët vendosin për punën, për përkushtimin dhe për vizionin që duan ta shohin në komunat tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në zgjedhjet lokale (balotazh), ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot qytetarët vendosin për punën, për përkushtimin dhe për vizionin që duan ta shohin në komunat tona. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë me vendosmëri. Të dalim sa më shumë, e të votojmë për katër vjet më të mira, për komuna më të fuqishme, për demokracinë tonë, për Kosovën tonë!

Presidentja Osmani ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Pratipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Pratipati. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe çështje që kanë të bëjnë me sigurinë. Si gjithnjë, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve duke e vlerësuar partneritetin me SHBA-të si strategjik e thelbësor për suksesin e Kosovës.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav dhe pranoi Raportin për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian. Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar. Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo falënderoi Ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të popullit të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Presidentja theksoi se ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë.

Presidentja: Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së, krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së. Presidentja Osmani ka shkruar: E stërvitur dhe e përgatitur sipas doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për ta mbrojtur atdheun në çdo moment dhe në çdo pëllëmbë të vendit, kjo është Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës. Ata nuk mbajnë vetëm uniformën e shtetit, por edhe amanetin e lirisë sonë!

Presidentja Osmani i shprehë ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano

Ai ishte një prej figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe luajti rol në transformimin politik pas viteve ’90. Si themelues dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, Fatos Nano pati rol transformues në drejtimin e saj, duke e shndërruar në një forcë moderne, evropiane dhe të përkushtuar ndaj dialogut politik. Përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare. Në këtë ditë të dhimbjes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nano, të afërmit, Partinë Socialiste dhe bashkëpunëtorët.

Presidentja Osmani priti në takim Kryesuesin e KQZ-së, z. Kreshnik Radoniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale si dhe me përgatitjet që KQZ-ja po bën për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për funksionimin e përgjithshëm të KQZ-së, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin vazhdueshëm të proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.

This site is registered on wpml.org as a development site.