DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në forumin e organizuar nga EULEX dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës, me temën: “Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”

Mirëmëngjesi të gjithëve!

I nderuar Shef i Misionit të EULEX-it, Gjeneral Barbano,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, z. Hoxha,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, z. Dibrani,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të dashur të pranishëm, ju që punoni pa reshtur mbi parimet e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë,

Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,


Është gjithmonë kënaqësi e veçantë që të rikthehem në ngjarjen vjetore të organizuar nga ju, sidomos kur në fokus të diskutimit është një agjendë kaq e rëndësishme si ajo për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.


Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të japë shumë në këtë fushë. Pavarësisht periudhave të vështira dhe të errëta që përjetoi populli ynë gjatë luftës ne arritëm që të ringrihemi dhe të ndërtojmë lirinë falë forcës, guximit dhe përkushtimit të grave dhe burrave tanë.


Kjo histori qëndrese dhe bashkëpunimi tashmë po shndërrohet në një shembull frymëzimi, të cilin Kosova çdo ditë e ndan me gjithë botën.


Në këtë vit jubilar, që shënon 25 vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne kujtojmë jo vetëm arritjet tona të përbashkëta në kauzën për barazi, por po ashtu reflektojmë mbi përpjekjet e pandërprera për ta çuar përpara këtë mision në Kosovë dhe kudo përtej Kosovës.


Ky përvjetor për ne nuk është thjesht një shënim kronologjik, por dëshmi e një kapitulli të tërë të rezistencës, të vizionit dhe të transformimit të një sistemi të tërë vlerash në sektorin që ndërlidh gratë me vlerat e paqes dhe misionin për forcimin dhe garantimin e sigurisë.


Republika e Kosovës tashmë është shndërruar në sinonim të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm tonë shtetëror.


Sot me krenari shohim pjesëmarrjen gjithnjë në rritje të grave tona në strukturat e sigurisë, gjersa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e lirisë dhe shtetformimit e shtetndërtimit, e fuqizimit të institucioneve tona në vazhdimësi.


Sot dua të nderoj secilën grua, që jo vetëm ka sakrifikuar gjithçka për Kosovën, por po ashtu që edhe sot ka zgjedhur të shërbejë në Republikën tonë, në Forcën e Sigurisë, në Policinë e Kosovës, në Shërbimin Korrektues, në diplomaci, në ekonomi dhe në çdo sektor ku mbrohen paqja dhe ligji, aty ku forcohen edhe vetë themelet e shtetit tonë.


Të nderuar pjesëmarrës,


Barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht parimet udhëheqëse në zbatimin e kësaj agjende.


Këto janë gjithashtu vlerat mbi të cilat funksionon edhe Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë e themeluar në kuadër të Presidencës dhe e vetmja e këtij lloji në tërë kontinentin e Evropës.


Përmes punës së saj, Qendra promovon çdo ditë rolin e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë.


Falë angazhimit të Qendrës, Kosova edhe këtë vit ishte vendtakim i liderëve, aktivistëve, akterë të tjerë botërorë për të trajtuar sfidat aktuale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vendosur në qendër të vëmendjes, jo vetëm perspektivën e grave ndaj situatës së sigurisë, por edhe të brezave të ardhshëm, të cilët meritojnë një të ardhme më të sigurt e më paqësore.


Megjithatë, progresi i arritur nuk duhet të na përmbushë, meqenëse sfidat akoma mbeten prezente, sidomos në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta menaxheriale.


Ju besoj e vërejtët, që në fillim gati se të gjithë që i përshëndeta në krye të institucioneve ishin burra. Do të punojmë së bashku që edhe kjo të ndryshojë.


Duke njohur gjithnjë progresin e jashtëzakonshëm që gratë japin në çdo institucion të sigurisë, duhet të vazhdojmë t’i fuqizojmë gratë në këto sektore, të bëjmë ato më atraktive për pjesëmarrje më të madhe, por edhe më e rëndësishme, t’u japim grave rolin e merituar, të merituar, në vendimmarrje, rol që e kanë merituar tashmë që një kohë të gjatë.


Vetëm duke eliminuar barrierat e imponuara ndaj grave, do të mund ta avancojmë përfaqësimin e tyre në çdo institucion që merret me paqe dhe siguri, duke siguruar që kuadrot profesionale të tyre të mbeten dhe të zhvillohen brenda këtyre institucioneve bazuar në parimet e meritokracisë.


Është thelbësore, prandaj, që të promovojmë shembujt e suksesshëm të grave në pozita vendimmarrëse dhe t’i inkurajojmë ato që të marrin përgjegjësi më shumë, në mënyrë që perspektiva gjinore të jetë pjesë e çdo vendimi që marrim si shoqëri.


Siç e dini, sivjet për shkak të kontributit të grave në Kosovë, vendi ynë u nderua edhe me çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, çmimin vjetor pra, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që është një vlerësim historik për shtetin dhe për popullin tonë e në veçanti për gratë që për dekada të tëra kanë dhënë gjithçka për këtë vend.


Do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që pjesëmarrja e grave në çdo sektor, e në veçanti në sektorin e sigurisë të jetë çdo ditë më me ndikim, çdo ditë më me kompetencë dhe me përfaqësim gjithnjë e në rritje.


Pa gratë në tavolinat ku merren vendimet, siguria nuk është gjithëpërfshirëse, sepse gratë e Kosovës, përveç që janë pjesë e historisë sonë të lavdishme, ato po ashtu janë forca që po shkruajnë çdo ditë të ardhmen më të mirë të Republikës sonë.


Ju faleminderit shumë dhe ju dëshiroj shumë suksese në diskutimet e sotme!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.