Konferencë për media e Presidentes Osmani
Presidentja Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës.
Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë si mekanizëm inovativ për lehtësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional e cila në fokus ka sigurimin e mirëqenies së grave dhe vajzave

Në kuadër të konferencës ndër-rajonale “Shënimi i 20-vjetorit të Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës – 30 vjet pas Pekinit: Rruga përpara”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore e Republikës së Kosovës, këshilltarja e Presidentes Osmani, znj. Dora Musa, prezantoi arritjet, prioritetet dhe planet e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë globale, një theks i veçantë iu dha Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si një ngjarje globale që tashmë mbledh në Kosovë akterët kryesorë të fushës për të diskutuar sfidat me të cilat përballen gratë, si dhe mënyrat më efektive për adresimin e tyre. Gjatë diskutimit u trajtuan edhe aktivitetet e fundit të Qendrës, partnerët kryesorë dhe mundësitë e reja për bashkëpunim, të cilat krijojnë hapësirë për iniciativa të reja të bazuara në parimet dhe objektivat e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja: Krenaria është e pafund për këta djem që vazhdojnë ta nderojnë Republikën tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se krenaria është e pafund për këta djem që vazhdojnë ta nderojnë Republikën tonë. “Krenaria është e pafund për këta djem që vazhdojnë ta nderojnë Republikën tonë. Përgjithmonë dhe në çdo sfidë, #MeKosovën! ”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani në takim me kompanitë japoneze: Kosova e përkushtuar për investime japoneze në ICT, inovacion, infrastrukturë dhe projekte të mëdha inxhinierike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim përfaqësues të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO) së bashku me disa prej kompanive më të njohura japoneze. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vuri në dukje potencialin e madh për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke theksuar se Kosova ofron një fuqi punëtore të re, të aftë dhe konkurruese, si dhe një pozitë strategjike të favorshme për qasje në tregjet evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani prezantoi mundësitë e shumta për investime japoneze në sektorin e ICT-së, inovacionit, infrastrukturës, zhvillimit urban dhe projekteve të mëdha inxhinierike, ku bizneset japoneze mund të sjellin përvojën dhe teknologjinë e tyre të avancuar. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ftoi JETRO-n dhe kompanitë japoneze të eksplorojnë mundësitë për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe afatgjata me sektorin privat në Kosovë.
Presidentja: Gjermania ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i afërt në Evropë: në momentet më të vështira dhe në rrugën drejt institucioneve euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul. Presidentja Osmani ka shkruar: Mirë se vini në Kosovë, Ministër Wadephul, një mik i vjetër, një partner i çmuar dhe një zë i rëndësishëm i Gjermanisë për vendin tonë! Gjermania ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i afërt në Evropë: në momentet më të vështira dhe në rrugën drejt institucioneve euroatlantike. Sot riafirmuam partneritetin tonë strategjik dhe përkushtimin për ta thelluar tutje në shërbim të qytetarëve të të dyja shteteve tona.
Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Henning Otte

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Henning Otte. Në takim, Presidentja theksoi mirënjohjen e thellë të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe institucioneve të saj si, Bundestagu e Bundeswehri në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të procesit të tranzicionit dhjetëvjeçar. Presidentja Osmani me z. Otte, përveç tjerash, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes dy institucioneve tona të komisionerëve parlamentar te forcave tona respektive, me shkëmbimin e përvojave profesionale, gjithnjë në funksion të forcimit të mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencë si dhe avancimin e standardeve demokratike në forcat e armatosura respektive. Në vazhdim Presidentja Osmani, ritheksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Kosovës në paqe, siguri, zhvillim e integrim në NATO dhe BE. Ajo rishprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë gratë e burrat ushtarakë të forcave të armatosura gjermane në KFOR e NALT që shërbyen e vazhdojnë të shërbejnë për paqen, sigurinë e stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit në përgjithësi. Në fund Presidentja Osmani tha se edhe me themelimin e institucionit të Komisionerit parlamentar të FSK-së, dëshmojmë se, rruga jonë drejt NATO-s është e bazuar në standard, përgjegjësi dhe vlera demokratike. FSK do të vazhdojë të zhvillohet e avancohet me përkushtim për të qenë shembull i një force mbrojtëse profesionale, etike, dhe të përgjegjshme plotësisht në zbatimin e misionit kushtetues dhe kompetencave ligjore të saj, theksoi Presidentja.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Norvegjisë në Kosovë, Arne Sannes Bjørnstad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, z. Arne Sannes Bjørnstad. Me këtë rast, Presidentja e uroi ambasadorin për detyrën e re dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy shteteve tona në fusha me interes të përbashkët. Presidentja Osmani e vlerësoi Norvegjinë si një partner të rëndësishëm dhe afatgjatë të Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë vendit tonë përmes programeve të ndryshme ndër vite, si dhe për përkrahjen e ofruar në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe mbi mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani dekoroi z. Harry Bajraktari me Urdhrin e Lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar z. Harry Bajraktari me Urdhrin e Lirisë, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Ishte nder i veçantë që sot i ndava Urdhrin e Lirisë, z. Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë. Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare. Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë. Z. Harry Bajraktari, faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën. Urime dhe mirënjohje e përjetshme.