Presidentja Osmani priti në takim kongresistët Michael Turner dhe Donald Norcross

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kongresistin Michael Turner (R–OH) si dhe Kongresistin Donald Norcross (D–NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës. Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë. Asnjë nga këto të arritura, theksoi Presidentja Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane. Më tej, Presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të. Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e Presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh. Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut. Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen.
Fjalimi i Presidentes Osmani në konferencën “Annual Conference and Internet Freedom Meet (IFM) 2025”

Të nderuar të pranishëm, E nderuar znj. Xharra, Pjesëmarrës të dashur, Sot, jeta jonë rrjedh paralelisht në dy botë: në atë fizike që e prekim dhe në atë digjitale ku çdo ditë lëmë gjurmë, ndërveprojmë dhe ndërtojmë realitete të reja. Internetin e kemi menduar gjithnjë si hapësirë të lirë, ku secili mund të dëgjohet, të mësojë dhe të lidhet me të tjerët pa barriera. Por, përballë këtij potenciali të jashtëzakonshëm, nuk duhet të lejojmë që një hapësirë e krijuar për t’u lidhur, të na ndajë; të mos pranojmë që liria e internetit të përdoret si mburojë për sulme, për shpifje dhe për denigrim. Liria e internetit është kthyer në një nga shtyllat themelore të demokracisë moderne, sepse mishëron lirinë e shprehjes, të informimit dhe të privatësisë në universin digjital. E, pikërisht sepse është hapësirë e lirë, ajo njëkohësisht është më e ekspozuara ndaj keqpërdorimit. Prandaj, shkalla e rrezikshmërisë vazhdimisht po rritet, qoftë për përdoruesit, për përmbajtjen, por edhe për mënyrën se si ndërtohet diskursi publik. Ashtu si liria e shprehjes, e cila jashtë kontekstit mund të shndërrohet në mjet cenimi, edhe interneti mbetet një mjet i fuqishëm, i cili në rast të keqpërdorimit, kthehet në instrument dhune, manipulimi dhe sulmi ndaj individëve apo grupeve. Liria e internetit është një vlerë demokratike, por secila liri kërkon përgjegjësi. Sepse aty ku mungon përgjegjësia, hapet mundësia e abuzimit. E, këtë po e shohim përditë: gjuha e urrejtjes, dezinformimi, kërcënimet anonime, shantazhi dhe bullizmi po rriten me ritme shqetësuese. Të nderuar të pranishëm, Sfera e internetit nuk po përballet vetëm me komente ofenduese, por edhe me përpjekje serioze për ta goditur vetë idenë e tij si hapësirë e sigurt e lirë dhe në të cilën njerëzit janë ndier më të mbrojtur sesa në realitetin fizik. Një nga rreziqet më të mëdha është rritja e ndërhyrjeve në privatësi, e cila po e dëmton rëndë lirinë e internetit. Në këtë hapësirë që do duhej të ishte liri dhe mundësi, po shohim gjithnjë e më shpesh një realitet të dhimbshëm, ku vajzat dhe gratë tona, e po ashtu edhe fëmijët përballen me kërcënime, bullizim, shantazh dhe dhunë digjitale që synon t’ua zbehë zërin dhe mbi të gjitha t’ua thyejë dinjitetin. Kjo nuk është vetëm shkelje e etikës së internetit, por sulm ndaj vetë themeleve të lirive njerëzore. Liria e internetit po keqpërdoret nga individë dhe grupe që fshihen pas anonimitetit për të shpërndarë frikë, për ta cenuar integritetin dhe për t’i heshtur njerëzit. Përballë këtij realiteti, ne nuk guxojmë të qëndrojmë indiferentë. Duhet t’i mbrojmë drejtat e të gjithëve në internet me të njëjtën vendosmëri me të cilën i mbrojmë në jetën reale, sepse dinjiteti i tyre nuk njeh kufij në mes të botës fizike dhe asaj digjitale. Prandaj, duhet ta bëjmë internetin hapësirë ku gratë dhe vajzat tona janë të pranishme me dinjitet, e jo me frikë. Ku fëmijët tanë mbrohen, e jo bullizohen. Na duhet një pakt i ri shoqëror për hapësirën digjitale, i cili nënkupton humanizëm, siguri dhe respekt. Sepse, në qoftë se nuk bëhet kjo, atëherë fenomeni me të cilin po përballemi përbën rrezik real për lirinë e internetit, sepse e kërcënon jo vetëm nga abuzimet individuale, por edhe nga mungesa e rregullimit dhe vakumi etik që shpesh e karakterizon hapësirën digjitale. Të nderuar të pranishëm, Kosova përballet edhe me sfida strategjike që prekin sigurinë dhe demokracinë tonë digjitale. Ju e dini që meqenëse gjuha shqipe ende nuk njihet në platformën Google, kjo nënkupton se algoritmet nuk e zbulojnë dot shpeshherë gjuhën e urrejtjes apo abuzimet në shqip. Për këtë arsye kam zhvilluar takime me drejtuesit e Google, duke kërkuar jo vetëm njohjen e gjuhës shqipe nëpërmjet identifikimit të gjuhës së urrejtjes dhe abuzive, por në të njejtën kohë edhe pranimin në të gjitha platformat e tyre të tjera, si dhe zgjidhjen e problemeve me llogaritë e zhvilluesve. Një hap i rëndësishëm u arrit vitin e kaluar, në dhjetor, me anëtarësimin e Kosovës në platformat Amazon, pas takimit që kisha me drejtuesit e kompanisë në Washington D.C, si dhe me shumë kompani të tjera të cilat do ta ndihmojnë Kosovën në platformat digjitale. Ky ishte jo vetëm një hap teknik, por një hap i rëndësishëm strategjik në krijimin e infrastrukturës sonë digjitale dhe forcimin e lirisë së internetit. E ky angazhim do të vazhdojë, ndonëse sfidat akoma janë të shumta. Fakti që nuk jemi ende anëtar në INTERPOL, e vështirëson hetimin e shumë sulmeve kibernetike dhe dhunës online. Megjithatë, problemi kryesor nuk është mungesa e lirisë, por mungesa e përgjegjësisë, mbrojtjes dhe etikës. Nëse duam një shoqëri më të sigurt, më të drejtë dhe më humane, atëherë duhet ta mbrojmë hapësirën digjitale me të njëjtin përkushtim me të cilin mbrojmë realitetin fizik, sepse thirrja për dhunë, thirrja për vrasje, thirrja për dhunim, abuzimi e bullizimi nuk janë liri e shprehjes, ato janë krim. Prandaj, ne së bashku, duhet të ndërtojmë një ekosistem digjital shumë më të sigurt. Liria vërtetë fillon me fjalën, por civilizimi i vërtetë fillon me mënyrën se si e përdorim atë. Prandaj, le ta mbrojmë internetin si hapësirën tonë të përbashkët, sepse vetëm kësisoj mbrojmë njëkohësishtë edhe dinjitetin e njëri-tjetrit. Ju faleminderit!
Deklarimi i sotëm për media i Presidentes Osmani
Presidentja: Një mbrëmje e paharrueshme në Marines Ball

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Ballon e Marinsave amerikanë. Presidentja Osmani ka shkruar: Një mbrëmje e paharrueshme në Marines Ball, së bashku me aleatët tanë të përhershëm dhe në nderim të marinsave amerikanë që kanë qenë krah nesh në ditët më vendimtare të vendit sonë — dhe që vazhdojnë të kontribuojnë për paqe, në Kosovë dhe kudo në botë. Mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe partneritetin e pathyeshëm që na ka bashkuar gjithmonë.
Presidentja Osmani: Xhemail Mustafa, një nga zërat më të artikuluar për liri dhe pavarësi

Në këtë përvjetor kujtojmë me nderim Xhemail Mustafën, një nga zërat më të artikuluar të lirisë, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur. Ai ishte bashkëpunëtori i palëkundur i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot. Por, plagët e së kaluarës nuk mbyllen pa drejtësi. Zbardhja e kësaj vrasjeje politike nuk është vetëm kërkesë morale, por detyrim i Republikës. Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Xhemail Mustafës!
Fjalimi i Presidentes Osmani në 26-vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Faleminderit shumë, I nderuar Drejtor Dibrani, I nderuar ministër në detyrë, z.Sallahu, E nderuar nënkryetare e Kuvendit, znj. Haxhiu, I nderuar Gjeneral Barbano, I nderuar Ambasador McGurk, Udhëheqës të institucioneve të Kosovës, Avokat i popullit, Drejtor i AKI-së, Të gjithë ju të pranishëm, Asnjë shtet nuk mund të qëndrojë i drejtë pa forcën e rendit, të ndërgjegjes dhe të drejtësisë. Shërbimi Korrektues i Kosovës, e mishëron këtë secilën ditë. Është nder i veçantë të jem sot këtu me ju, në këtë ditë që shënon një moment të rëndësishëm për shtetin tonë, pra 26-vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ky shërbim, edhe pse pak i dukshëm për publikun, në botën demokratike njihet si një nga hallkat më të rëndësishme të shtetit modern. Sepse shtetet testohen edhe për mënyrën se si i trajtojnë ata që kanë gabuar. Kosova, falë punës suaj, ka dëshmuar pjekuri, dinjitet dhe profesionalizëm. Në këto 26 vite, Shërbimi Korrektues ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim. Drejtësia është përgjegjësi, është ndërtim dhe është besim. Ju, zyrtarët e këtij shërbimi, çdo ditë punoni në një mjedis sfidues, ku kërkohet vigjilencë e lartë, stabilitet emocional dhe profesionalizëm i palëkundur. Ky është një profesion që kërkon zemër dhe humanizëm. Falë punës suaj, të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë, sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit, por edhe në rehabilitimin, edukimin dhe riintegrimin e personave të dënuar. Shërbimi Korrektues i Kosovës është dëshmi se si një shtet i vogël mund të ndërtojë institucione të mëdha e të forta, të cilat çdo ditë nderojnë shtetin me seriozitetin, integritetin dhe profesionalizmin e tyre. Që nga themelimi i tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kaluar në faza të shumta transformimi, profesionalizimi dhe modernizimi. Në çdo fazë, përgjegjësia ka qenë e madhe, sepse misioni juaj është i ndërlikuar dhe kërkon standarde të larta etike e profesionale. Shërbimi Korrektues është institucion ku bashkohen drejtësia, humanizmi dhe përgjegjësia. Pikërisht për këtë arsye, puna juaj ka rëndësi të madhe, sepse ajo prek jetën e njerëzve, ndikon në rrugën e riintegrimit të tyre, si dhe ndihmon që shoqëria jonë të jetë më e sigurt, më e fortë dhe më e drejtë. Zonja dhe zotërinj, Pavarësisht vështirësive, ju keni dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se jeni të përkushtuar ndaj detyrës dhe ndaj shërbimit të vendit. Sot, gjithashtu, është momenti i duhur të përmend edhe mbështetjen e fuqishme që i është ofruar Shërbimit Korrektues nga vendet aleate dhe nga organizatat ndërkombëtare, mbështetje kjo që dëshmon se puna juaj është vlerësuar edhe jashtë kufijve tanë. Shërbimi Korrektues është pranuar si anëtar në rrjetin europian për burgje dhe shërbime korrektuese EuroPris, arritje kjo shumë e rëndësishme që tregon se instituti ynë i burimeve për zbatim të dënimeve funksionon edhe sipas standardeve ndërkombëtare. Shërbimi Korrektues po ashtu ka fituar çmimin ndërkombëtar për ekselencë në International Corrections and Prisons Association (ICPA), në sektorin e rehabilitimit dhe kujdesit shëndetësor, duke treguar përkushtimin tuaj për cilësi dhe standarde të larta. Në dritën e këtyre sukseseve, mbështetja ndërkombëtare nuk është vetëm fjalë, por është investim në institucionet tona, është besim në kapacitetet tuaja dhe është sfidë që mos të ndalemi edhe në rrugën përpara. E ju keni treguar se mund ta përmbushni çdo herë këtë besim. Të nderuar pjesëmarrës, Sistemi korrektues modern ngrihet mbi konceptin e risocializimit. Qëllimi përfundimtar i dënimit nuk është vetëm ndëshkimi, por krijimi i kushteve që personat të kthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm, me mundësi më të reja dhe po ashtu me perspektivë më të mirë. Prandaj, puna që bëni ka ndikim të drejtpërdrejtë në parandalimin e recidivizmit, në forcimin e paqes sociale dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të sigurt. Në këtë mision, roli juaj është thelbësor, si: në punën me të burgosurit, në administrimin e institucioneve, në sigurimin e proceseve të brendshme apo në krijimin e kushteve të nevojshme që drejtësia të zbatohet me integritet. Ju i shërbeni shtetit, por njëkohësisht i shërbeni edhe shoqërisë, përmes punës që shpesh mbetet e padukshme, por gjithnjë me ndikim të madh. Në këtë 26-vjetor, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ju, që vazhdoni të jepni kontribut tejet të çmuar. Mirënjohje me respekt të veçantë edhe për ata që kanë shërbyer në periudhat më të vështira, në kohë ndryshimesh të mëdha, dhe që kanë ndihmuar të ngritët ky institucion në nivelin ku është sot. E falënderimi më i veçantë nga unë sot vjen për gratë. Për gratë që shërbejnë në këtë institucion, e të cilat janë përballur me sfida të jashtëzakonshme përgjatë këtyre 26 viteve, por që sot përbëjnë do të thoja shtyllën më të fortë të këtij institucioni. Falë edhe përkrahjes së ish-Ministres së Drejtësisë, tani Nënkryetare e Kuvendit kemi gati 300 gra në këtë institucion, një ndër përqindjet më të mëdha nga të gjitha institucionet e tjera. Dhe, natyrisht që secila prej tyre ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të gjitha sukseset, të cilat po i festojmë sot. 26 vjet Shërbim Korrektues do të thotë 26 vjet përvojë, sfida dhe fitore. Do të thotë mbi një çerek shekulli profesionalizëm në shërbim të të drejtave të njeriut, në shërbim të sigurisë, rendit dhe ligjit. Le të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë institucion si një shembull, me standarde që nderojnë shtetin tonë dhe i afrojnë qytetarët tanë më shumë me Kosovën që duam, e cila është e drejtë, e sigurt dhe evropiane. Urime 26-vjetori i Shërbimit Korrektues të Kosovës! Faleminderit për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj të përditshëm ndaj Republikës sonë!
Presidentja Osmani u ndanë mirënjohje Diar Terziut, Anik Terziut dhe Rajana Terziut për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Fëmijëve, u ka ndarë mirënjohje Diar Terziut, Anik Terziut dhe Rajana Terziut për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, në Ditën Botërore të Fëmijëve, pata kënaqësinë t’i pres në takim tre heronjtë e vegjël që na dhanë një shembull të jashtëzakonshëm ndershmërie: Diar Terziun, Anik Terziun dhe Rajana Terziun. Ata gjetën një portofol me para dhe e dorëzuan në polici, duke treguar vlera të larta morale. Atyre ju ndava mirënjohje për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke u shndërruar në shembull frymëzues për të gjithë fëmijët e vendit.
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike. Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Në këtë frymë, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, ashtu siç ishte diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike. Në takim u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik.
Konferencë për media e Presidentes Osmani