Faleminderit shumë,
I nderuar Drejtor Dibrani,
I nderuar ministër në detyrë, z.Sallahu,
E nderuar nënkryetare e Kuvendit, znj. Haxhiu,
I nderuar Gjeneral Barbano,
I nderuar Ambasador McGurk,
Udhëheqës të institucioneve të Kosovës,
Avokat i popullit,
Drejtor i AKI-së,
Të gjithë ju të pranishëm,
Asnjë shtet nuk mund të qëndrojë i drejtë pa forcën e rendit, të ndërgjegjes dhe të drejtësisë. Shërbimi Korrektues i Kosovës, e mishëron këtë secilën ditë.
Është nder i veçantë të jem sot këtu me ju, në këtë ditë që shënon një moment të rëndësishëm për shtetin tonë, pra 26-vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ky shërbim, edhe pse pak i dukshëm për publikun, në botën demokratike njihet si një nga hallkat më të rëndësishme të shtetit modern. Sepse shtetet testohen edhe për mënyrën se si i trajtojnë ata që kanë gabuar. Kosova, falë punës suaj, ka dëshmuar pjekuri, dinjitet dhe profesionalizëm.
Në këto 26 vite, Shërbimi Korrektues ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim. Drejtësia është përgjegjësi, është ndërtim dhe është besim.
Ju, zyrtarët e këtij shërbimi, çdo ditë punoni në një mjedis sfidues, ku kërkohet vigjilencë e lartë, stabilitet emocional dhe profesionalizëm i palëkundur. Ky është një profesion që kërkon zemër dhe humanizëm.
Falë punës suaj, të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë, sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit, por edhe në rehabilitimin, edukimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës është dëshmi se si një shtet i vogël mund të ndërtojë institucione të mëdha e të forta, të cilat çdo ditë nderojnë shtetin me seriozitetin, integritetin dhe profesionalizmin e tyre.
Që nga themelimi i tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kaluar në faza të shumta transformimi, profesionalizimi dhe modernizimi. Në çdo fazë, përgjegjësia ka qenë e madhe, sepse misioni juaj është i ndërlikuar dhe kërkon standarde të larta etike e profesionale.
Shërbimi Korrektues është institucion ku bashkohen drejtësia, humanizmi dhe përgjegjësia. Pikërisht për këtë arsye, puna juaj ka rëndësi të madhe, sepse ajo prek jetën e njerëzve, ndikon në rrugën e riintegrimit të tyre, si dhe ndihmon që shoqëria jonë të jetë më e sigurt, më e fortë dhe më e drejtë.
Zonja dhe zotërinj,
Pavarësisht vështirësive, ju keni dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se jeni të përkushtuar ndaj detyrës dhe ndaj shërbimit të vendit.
Sot, gjithashtu, është momenti i duhur të përmend edhe mbështetjen e fuqishme që i është ofruar Shërbimit Korrektues nga vendet aleate dhe nga organizatat ndërkombëtare, mbështetje kjo që dëshmon se puna juaj është vlerësuar edhe jashtë kufijve tanë.
Shërbimi Korrektues është pranuar si anëtar në rrjetin europian për burgje dhe shërbime korrektuese EuroPris, arritje kjo shumë e rëndësishme që tregon se instituti ynë i burimeve për zbatim të dënimeve funksionon edhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Shërbimi Korrektues po ashtu ka fituar çmimin ndërkombëtar për ekselencë në International Corrections and Prisons Association (ICPA), në sektorin e rehabilitimit dhe kujdesit shëndetësor, duke treguar përkushtimin tuaj për cilësi dhe standarde të larta.
Në dritën e këtyre sukseseve, mbështetja ndërkombëtare nuk është vetëm fjalë, por është investim në institucionet tona, është besim në kapacitetet tuaja dhe është sfidë që mos të ndalemi edhe në rrugën përpara. E ju keni treguar se mund ta përmbushni çdo herë këtë besim.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sistemi korrektues modern ngrihet mbi konceptin e risocializimit. Qëllimi përfundimtar i dënimit nuk është vetëm ndëshkimi, por krijimi i kushteve që personat të kthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm, me mundësi më të reja dhe po ashtu me perspektivë më të mirë. Prandaj, puna që bëni ka ndikim të drejtpërdrejtë në parandalimin e recidivizmit, në forcimin e paqes sociale dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të sigurt.
Në këtë mision, roli juaj është thelbësor, si: në punën me të burgosurit, në administrimin e institucioneve, në sigurimin e proceseve të brendshme apo në krijimin e kushteve të nevojshme që drejtësia të zbatohet me integritet. Ju i shërbeni shtetit, por njëkohësisht i shërbeni edhe shoqërisë, përmes punës që shpesh mbetet e padukshme, por gjithnjë me ndikim të madh.
Në këtë 26-vjetor, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ju, që vazhdoni të jepni kontribut tejet të çmuar. Mirënjohje me respekt të veçantë edhe për ata që kanë shërbyer në periudhat më të vështira, në kohë ndryshimesh të mëdha, dhe që kanë ndihmuar të ngritët ky institucion në nivelin ku është sot.
E falënderimi më i veçantë nga unë sot vjen për gratë. Për gratë që shërbejnë në këtë institucion, e të cilat janë përballur me sfida të jashtëzakonshme përgjatë këtyre 26 viteve, por që sot përbëjnë do të thoja shtyllën më të fortë të këtij institucioni.
Falë edhe përkrahjes së ish-Ministres së Drejtësisë, tani Nënkryetare e Kuvendit kemi gati 300 gra në këtë institucion, një ndër përqindjet më të mëdha nga të gjitha institucionet e tjera.
Dhe, natyrisht që secila prej tyre ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të gjitha sukseset, të cilat po i festojmë sot.
26 vjet Shërbim Korrektues do të thotë 26 vjet përvojë, sfida dhe fitore.
Do të thotë mbi një çerek shekulli profesionalizëm në shërbim të të drejtave të njeriut, në shërbim të sigurisë, rendit dhe ligjit.
Le të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë institucion si një shembull, me standarde që nderojnë shtetin tonë dhe i afrojnë qytetarët tanë më shumë me Kosovën që duam, e cila është e drejtë, e sigurt dhe evropiane.
Urime 26-vjetori i Shërbimit Korrektues të Kosovës!
Faleminderit për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj të përditshëm ndaj Republikës sonë!
