Shumë faleminderit dhe mirëmëngjes të gjithëve!
I nderuar zoti Fetahu,
Shumë të dashur anëtar të Këshillit Rinor nga mbarë Republika e Kosovës,
Të nderuar zoti O’Malley dhe zonja Vashchenko,
Shumë të dashur nxënës,
Është vërtetë kënaqësi e veçantë që sot të jem në mesin tuaj, pikërisht në ditën ndërkombëtare të nxënësve. Në një konferencë që vendos nxënësit në qendër të bisedës për paqen dhe sigurinë, ashtu siç duhet të jetë, në fakt në secilin vend demokratik.
Më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti që kjo konferencë po i bashkon mbi 200 nxënës, nga shkollat e mesme, nga secili qytet e fshat dhe komunitet në Kosovë.
Kjo larmi është fotografia më e bukur e vendit tonë. Një Kosovë gjithëpërfshirëse që ndërton ura, ku secili nxënës ndihet i mirëpritur dhe ku paqja fillon pikërisht aty ku formoheni ju, pikërisht në klasën tuaj dhe në ëndrrat tuaja për të ardhmen.
Në historinë e vendit tonë, të rinjtë dhe nxënësit kanë qenë gjithmonë në ballë të proceseve jetike për vendin tonë. Në periudhat më të errëta, kur shtëpitë tona u shndërruan në shkolla, për shkak se shkollat u mbyllën me dhunë për ne dhe fëmijët helmoheshin në mënyrë sistematike nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit, ishin studentët dhe të rinjtë tanë që bartën barrën më të rëndë, por ishin po ata që ngritën zërin për liri, për dinjitet dhe për të drejtën në arsim.
Një të drejtë që ju sot e ushtroni lirshëm, të mendoni lirë, të mësoni të lirë dhe të kontribuoni për këtë shtet, i cili sot është i lirë falë shumë nxënësve e studentëve që sakrifikuan gjithçka, në mënyrë që sot ju dhe gjithë ne të frymojmë në liri.
E pikërisht kjo histori na kujton se rinia kurrë nuk është thjesht dëshmitare e largët e proceseve, rinia është pikërisht forca që i ndryshon ato procese. Edhe sot, përgjegjësia për të ndërtuar një shoqëri të sigurt fillon pikërisht në shkolla.
Shkolla duhet të jetë hapësira e sigurt e jetës tuaj, një vend ku respektoheni, ku dëgjoheni dhe ku nuk frikësoheni në asnjë moment për të qenë vetvetja juaj. Kjo nënkupton një ambient pa dhunë, pa bullizim, pa përjashtim dhe pa stigmatizim të askujt.
Ndërtimi i një ambienti të tillë kërkon përkushtim të për çdoditshëm nga secili prej nesh dhe bashkëpunim të sinqertë mes nxënësve, mësuesve dhe institucioneve.
E pjesë thelbësore e sigurisë është edhe shëndeti mendor. Shumë prej nxënësve, të rinjve tanë përballen me presione që shpesh nuk shihen nga jashtë, por ndihen thellë përbrenda.
Prandaj, është e domosdoshme që secila shkollë të ofrojë mbështetje profesionale, e po ashtu edhe hapësira të sigurta, ku nxënësit mund të flasin për shqetësimet e tyre.
Kërkimi i ndihmës asnjëherë nuk është dobësi, është guxim dhe askush nuk duhet të ndihet i vetmuar në këtë drejtim.
E po aq e rëndësishme është edhe siguria në hapësirat digjitale.
Një pjesë e madhe e jetës suaj zhvillohet online dhe ajo që ndodh në internet nuk mbetet vetëm në ekran.
Gjuha e ligë, ngacmimi online apo shpërndarja e pamenduar e diçkaje që mund të dëmtojë dikë brenda sekondave, për këtë arsye është e rëndësishme që të ushtroni përgjegjësi dhe kujdes sa herë që komunikoni në rrjetet sociale.
E po ashtu duhet të sigurohemi që institucionet tona të sigurisë ta mbrojnë çdo nxënës që mund të përballet me fenomene të tilla.
Ju jeni brezi që mund të vendosë standarde të reja të sjelljes digjitale dhe të tregojë se respekti vlen njësoj si në jetën reale ashtu edhe në hapësirat virtuale.
Të dashur nxënës, ju nuk jeni thjesht nxënës që mësoni në shkolla, ju jeni aktivist, jeni inovator, jeni krijues të ideve të reja dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në paqen dhe sigurinë tuaj dhe në paqen dhe sigurinë e vendit tonë.
Jo rastësisht në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të mbajtur në qershor të këtij viti, kemi vendosur temë bosht mbrojtjen e fëmijëve dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën publike dhe të vendimmarrjes.
Roli juaj i domosdoshëm në çdo hap, nga parandalimi i dhunës te ndërtimi i besimit mes bashkëmoshatarëve e deri te krijimi i një shoqërie të drejtë për të gjithë është i pazëvendësueshëm.
Por, për këtë pjesëmarrja juaj duhet të jetë e vërtetë dhe e garantuar, shkollat duhen të jenë ambiente që ju motivojnë për mendimin kritik, ju motivojnë të ngrisni zërin dhe të jepni ide për zgjidhjet që ju i shihni çdo ditë.
Potenciali juaj është i jashtëzakonshëm, jeni brezi i paqes dhe brezi i së ardhmes së ndritur të Kosovës, dhe sado që juve mund të ju duket e largët, ju siguroj që e ardhmja kur ju do të udhëhiqni këtë vend në çdo sektor vjen shumë, shumë shpejt.
Dua t’iu siguroj se si gjithmonë, Presidenca do të jetë e hapur për ju, për idetë tuaja, por edhe për shqetësimet tuaja.
Potenciali juaj siç e thashë është i madh dhe ne duhet të sigurohemi që ai të shfrytëzohet për ta shpier shtetin tonë përpara.
Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me përkushtim, të jeni kureshtarë, të mbroni njëri-tjetrin dhe të mbani në qendër të çdo veprimi tuaj të mirën e përbashkët e interesin e vendit tonë të dashur.
Ju jeni ata që do të shkruani kapitujt e ardhshëm të historisë së shtetit tonë!
Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese në vazhdimin e kësaj konference!
