Presidentja Osmani pranon letra urimi nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, L.T. Charles III, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e letrave të shumta të urimit nga liderë botërorë me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka pranuar mesazhe urimi edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, L.T. Charles III, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron dhe Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Në letrat e tyre, liderët kanë përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe më gjerë. Thank you! 🇬🇧 Danke! 🇩🇪 Merci! 🇫🇷 Grazie! 🇮🇹            

Presidentja Vjosa Osmani i ndan Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, znj. Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e saj të palëkundur për paqe dhe siguri në Kosovë dhe në rajon. Gjatë ceremonisë, Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast, Presidentja Osmani e cilësoi deputeten Kearns si një mike të madhe të Kosovës, duke theksuar se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për përkrahjen e saj të vazhdueshme, si dhe për kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Presidentja Osmani priti në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale. Në fokus të takimit ishin, para së gjithash, koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike. Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin. Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit. Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.

Presidenti Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij drejtuar Presidentes, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët, si dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë. Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë. Në fund të mesazhit, Presidenti Trump shpreh besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.      

Presidentja Osmani uron Ditën e Komunitetit Ashkali në Kosovë

Në mozaikun e identitetit të Republikës së Kosovës, komuniteti ashkali zë një vend të veçantë, me traditat, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë e tij të pasur që e kanë bërë vendin tonë më të larmishëm. Trashëgimia kulturore e ashkalinjve është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës. Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për një Kosovë ku çdo komunitet ndihet i barabartë dhe i respektuar. Forca e Kosovës qëndron pikërisht në shumëllojshmërinë e saj, në ndërthurjen e traditave, në respektin reciprok dhe të ardhmen e përbashkët me dinjitet për të gjithë.

Kongresistët republikanë Zach Nunn dhe Pete Sessions i japin mbështetje të fuqishme edhe për një mandat Presidentes Osmani dhe vizionit euroatlantik të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letra mbështetëse nga kongresistët republikanë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zach Nunn dhe Pete Sessions, në të cilat ata shprehin mbështetjen për lidershipin e saj dhe besimin në vazhdimin e mandatit të dytë presidencial. Në letrat e tyre, ata rikonfirmojnë gjithashtu përkrahjen për drejtimin euroatlantik të Kosovës. Kongresisti Zach Nunn ka nënvizuar besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidershipin e Presidentes Osmani. “Në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin, përkushtimi ndaj parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit ka ofruar stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik”, thuhet në letër. Mëtej, ai ka shtuar: “lidershipi juaj i qëndrueshëm ju pozicionon në mënyrë unike për të vazhduar ta udhëhiqni Kosovën përpara”. Ndërkaq, Kongresisti Pete Sessions ka theksuar se Presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në mënyrë shembullore në arenën ndërkombëtare dhe se lidershipi i saj ka ngritur drejtpërdrejt pozitën dhe kredibilitetin e Kosovës ndër aleatët demokratikë. “Kam besim të madh në aftësinë tuaj për të vazhduar si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera kongresisti Sessions. Të dy kongresistët kanë riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Kosovës, zhvillimin demokratik, integrimin euroatlantik dhe perspektivën e saj drejt anëtarësimit në NATO — shtylla kyçe për paqe, stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon. Këto mesazhe përbëjnë një dëshmi të qartë të partneritetit të fortë dhe strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe të besimit të vazhdueshëm në lidershipin e Presidentes Osmani, por edhe në rrugën euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Osmani përgëzon deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare: Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Presidentja Osmani ka shkruar: Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi. 🇽🇰

Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë e bipartizan në udhëheqjen e Presidentes Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self. “Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse. Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”. Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar. Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj. Kjo mbështetje e qartë nga një prej figurave kyçe të politikës së jashtme në Kongresin amerikan përbën një konfirmim të fuqishëm të besimit në lidershipin e Presidentes Osmani dhe në drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.