Presidentja Osmani: Dilni votoni dhe jepni zë vullnetit tuaj!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë votuar sot në zgjedhjet parlamentare, në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik. Presidentja Osmani ka shkruar: Dilni votoni dhe jepni zë vullnetit tuaj! Sa më masive të jetë pjesëmarrja, aq më e qartë rruga përpara. Konstituimi i shpejtë i Kuvendit dhe krijimi pa vonesë i Qeverisë janë jetike për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Fjalimi i Presidentes Osmani në pritjen për motrat e vëllezërit tanë nga mërgata, si shenjë falënderimi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për atdhe

Shumë të dashur bashkatdhetarë nga mërgata, shumë të dashur motra e vëllezër, Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj! Ka vërtetë një pjesë të atdheut që nuk qëndron gjithnjë brenda kufijve të hartës, por zemra për atdheun u rreh edhe nga mijëra kilometra larg. Ka një Kosovë që përveç gjuhës sonë të zemrës, gjuhës shqipe, flet edhe shumë gjuhë të tjera, që punon në shtete të largëta, por mendimin dhe zemrën gjithmonë i mban këtu. Kjo Kosovë është mërgata jonë, një copë atdheu që jeton larg dhe afër njëkohësisht, që nuk u shkëput kurrë, edhe kur u detyrua të largohej. Nderi i një kombi matet me ata që i qëndrojnë atdheut pranë edhe atëherë kur fizikisht janë larg. Janë disa njerëz, të cilët asnjëherë nuk kërkuan lavdi, mirëpo me veprat e tyre gjithnjë i dhanë lavdinë më të lart atdheut. E tillë është mërgata jonë! Ajo, që i dha mbështetje vendit në kohët më të rënda, e ajo që na gjendet pranë edhe sot teksa vendi ynë përballet me sfida të reja. Ju jeni dëshmi se atdheu nuk është vetëm vend, por është edhe besë, është kujtesë dhe njëkohësisht përgjegjësi. Jeni ata që e mbajtët gjallë emrin e Kosovës në kohët më të rënda, ata që e bartët flamurin tonë kombëtar nëpër botë kur ai ende nuk valëvitej lirshëm këtu në Kosovë, ata që e ruajtët gjuhën edhe krenarinë në ditët më të vështira për ne. Prandaj sot, kur ju themi të gjithëve mirë se erdhët në atdhe, nuk po ju presim si mysafirë, por si pjesë e pandashme e vetvetes sonë. Të nderuar mërgimtarë, Sot jemi këtu bashkërisht, në këtë fundvit, për ta dëgjuar sërish njëri-tjetrin, sepse për ne s’është hera e parë që takohemi, ju kemi pritur e na keni pritur vazhdimisht, pra për ta dëgjuar zërin e kujtesës, zërin e historisë dhe zërin e atdheut, që edhe kur është larg, asnjëherë nuk pushon së thirruri. Kjo, ngase për ne shqiptarët e veçanërisht për mërgatën tonë, atdheu nuk është thjesht një simbol në hartë. Është një ndjenjë, është një kujtim dhe është një mall i pashuar. Është ai imazh që na ndjek në ditët e punës së rëndë dhe në netët e gjata të vetmisë. Është ajo pamje që, sikurse në këngët tona epike, rikthehet vazhdimisht në mendjen tonë. Malet dhe fushat e Kosovës janë kujtesë kolektive, janë historia jonë e përbashkët, janë dëshmi e qëndrueshmërisë së një populli që, edhe kur dhunshëm është shpërndarë nëpër botë, nuk e ka humbur asnjëherë busullën shpirtërore dhe identitetin kombëtar. Mërgata shqiptare, mërgata jonë, ka lindur nga nevoja, nga dhimbja, nga mungesa e perspektivës, por edhe nga padrejtësia, dhuna e dëbimet. Megjithatë, ajo nuk u shndërrua kurrë në harresë. Përkundrazi, u bë forcë, u bë rezistencë dhe u bë mburojë e identitetit tonë kombëtar. Prandaj, veprat e mërgatës sonë nuk janë thjesht pjesë e arkivës së historisë sonë, ato qëndrojnë në vetë themelet e shtetit tonë. Ju jeni dëshmia më e gjallë se mërgata jonë është shtyllë e fortë dhe e pathyeshme e Republikës sonë të lirë e sovrane. Në ditët më të vështira të historisë sonë, kur liria ishte e ndaluar, mërgata ishte ajo që na e mbajti gjallë shpresën. Ishte ajo që organizoi, që protestoi, që foli në emrin e Kosovës dhe të popullit të Kosovës në kancelaritë më të rëndësishme të botës. Ishte ajo që hapi rrugë, ishte ajo që ndërtoi ura e miqësi. Ishte ajo që ndihmoi familjet, që mbajti gjallë arsimin nën okupim, që përkrahu luftën për liri dhe dinjitet. Ishte mërgatë, e gatshme kurdoherë për t`u kthyer në atdhe, madje edhe duke rrezikuar jetën. Këtë e dëshmuan shumë pjesëtarë të mërgatës sonë duke iu bashkuar fillimisht rezistencës paqësore të ndërtuar nga Ati themeltar i Republikës sonë, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Duke ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës kur neve na mohohej liria e dëshmuan sërish kur djem e vajza nga mërgata u kthyen në tokën e Kosovës për të luftuar për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kapitullit më të lavdishëm të historisë sonë. E këtë e dëshmoni secili prej jush edhe sot, sa herë ktheheni në Kosovë, sa herë mbështetni familjet tuaja, sa herë investoni këtu, sa herë jeni prezentë. Ju, jo vetëm që e ndihmoni Kosovën, ju bashkërisht me secilin prej nesh ndërtoni të ardhmen e vendit tonë. Sot shumë të rinj e të reja kthehen në Kosovë edhe për të investuar, për të zhvilluar Kosovën e për ta bërë edhe më të fortë. E ky refleks i kthimit, kjo thirrje e brendshme, ka qenë gjithmonë pjesë e shpirtit të mërgatës sonë. Pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova hyri në një kapitull të ri. Një kapitull të mbushur me shpresë, por edhe me sfida. Në këtë proces, mërgata nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por mbi të gjitha është partner i së ardhmes. Sot, Kosova sërish ka nevojë për kontributin tuaj, për idetë tuaja, për përvojën tuaj, për dijen që keni fituar në vendet ku jetoni dhe punoni. Ka nevojë për nisma që sjellin akoma më shumë zhvillim, për projekte që krijojnë vende pune, për teknologji dhe inovacion. Ka nevojë për ekspertë që kthehen, qoftë përkohësisht apo përgjithmonë, për të ndarë dijen, për të ndërtuar institucione edhe më të forta, për të ngritur standarde edhe më të fuqishme profesionale. E po aq sa Kosova ka nevojë për mërgatën, edhe mërgata ka nevojë për një shtet që e dëgjon, që e respekton dhe që e përfshin. Një shtet që vazhdon të krijojë kushte të drejta, ligje të fuqishme dhe një klimë besimi, ku kthimi fizik apo profesional nuk është sakrificë, por është një mundësi e përbashkët. Kjo zemër që vjen me vrap drejt Kosovës gjithnjë, sa herë që kemi nevojë është edhe thirrje për bashkëpunim. Është dëshirë për të qenë gjithnjë pjesë e diçkaje më e madhe se vetvetja. Është dëshmi se lidhja ndërmjet Kosovës dhe mërgatës nuk është thjesht një nostalgji, por edhe kapital njerëzor dhe moral. Prandaj, sot, më shumë se kurrë, kjo
Presidentja: Kosova jonë është më e fortë pikërisht falë kësaj fryme bashkëjetese, mikpritjeje dhe solidariteti, që na ka mbajtur të lidhur ndër breza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmë është pritur në familjen e Vjekoslav Tošić nga komuniteti kroat si dhe në familjen e Anton Gashit, të dyja familjet në Janjevë, për t`ua përcjellë urimet më të sinqerta dhe frymën përbashkuese të festës së Krishtlindjes. Presidentja Osmani ka shkruar: Në festat e fundvitit, kur vlerat njerëzore marrin kuptim më të thellë dhe shtëpitë mbushen me ngrohtësi, mbrëmë patëm nderin të jemi mysafir në familjen e Vjekoslav Tošić nga komuniteti kroat si dhe në familjen e Anton Gashit, të dyja familjet në Janjevë, për t`ua përcjellë urimet më të sinqerta dhe frymën përbashkuese të festës së Krishtlindjes. Festat gjithnjë na kujtojnë se paqja, dashuria dhe shpresa janë vlera që jetojnë në familjet tona dhe në traditën tonë të përbashkët për kremtimin e festave, siç i kemi ndarë gjithmonë, së bashku, me respekt e mirëkuptim. Kosova jonë është më e fortë pikërisht falë kësaj fryme bashkëjetese, mikpritjeje dhe solidariteti, që na ka mbajtur të lidhur ndër breza. Falënderim i sinqertë për mikpritjen e ngrohtë në të dy familjet!
Fjalimi i Presidentes Osmani në pritjen e organizuar në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë me rastin e Festës së Krishtlindjes

I nderuar Ipeshkëv i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gëzuar edhe një herë për ju dhe gjithë të pranishmit, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Shumë të dashur të pranishëm, Jam e lumtur që sonte, në natën e Krishtlindjes, në këtë festë dashurie, bashkimi dhe shprese jemi bërë bashkë në shtëpinë shpirtërore që mban emrin e shenjtores tonë, Nënë Terezës. Në këtë natë festive rikujtojmë shembullin tonë më të madh të mirësisë, Gonxhen tonë, Nënë Terezën. Nëna jonë e madhe iu kushtua njerëzimit, më të varfërve dhe mbi vuajtjet e tyre ndërtoi shëmbëlltyrën e shpresës, të dashurisë dhe të ndihmës së pakursyer. Sonte, sipas shembullit të saj, ne nuk mjaftohemi vetëm duke uruar njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellë mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave që vezullojnë dhe simbolizojnë shpresën, reflektojmë mbi bujarinë, solidaritetin dhe bashkimin tonë si komb dhe si shoqëri. Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Kjo festë na fton për respekt të ndërsjellë, ndaj familjes që na do pa kushte, ndaj miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve tanë, me të cilët na lidhë gjuha, gjaku dhe shpresa e përbashkët. Magjia e Krishtlindjes na bën sonte ta kthejmë vëmendjen edhe drejt atyre që janë larg, në shërbim, por mbi të gjitha drejt atyre që kanë më së shumti nevojë për kujdesin tonë. Prandaj, sipas shembullit të Shën Terezës, le të kujdesemi jo vetëm sonte, por gjatë gjithë vitit që vjen, për ata që presin ndihmën tonë dhe kanë nevojë për ngrohtësinë njerëzore. Një buzëqeshje e sinqertë, një gjest dashurie, mund ta ndriçojë botën e dikujt dhe ta bëjë më të bukur edhe botën tonë. Krishtlindja na kujton se drita gjithmonë e gjen rrugën përballë errësirës dhe se dashuria ka fuqinë që t`i transformojë njerëzit. Kjo natë ka një domethënie edhe më të gjerë shpirtërore, por edhe historike për ne. Historia jonë e pasur është e gërshetuar me traditën tonë shpirtërore, ndër shekuj. Ndaj, sonte kujtojmë edhe Letrën që Apostulli Pal, u kishte drejtuar Romakëve ku shkruan se Ungjilli u shpall “nga Jerusalemi e deri në Iliri”, duke dëshmuar se këto troje kanë qenë pjesë e hershme e historisë së krishterimit. Në këtë vazhdimësi historike qëndrojnë edhe figura madhore ilire sikurse Konstandini i Madh dhe Justiniani I, që të dy dardan, të cilët transformuan duke përqafuar krishterimin dhe duke i vendosur parimet e tij në të drejtën romake. Pastaj, Shën Jeronimi ilir, përkthimi i të cilit i Shkrimeve të Shenjta i dha botës Biblën e Shenjtë. Papa Klementi, i njohur po ashtu si Papa Albani, trashëgimia e të cilit formësoi jo vetëm identitetin shpirtëror të Evropës, por edhe arkitekturën morale dhe juridike të qytetërimit perëndimor. Në këtë natë të Krishtlindjes, s`ka si të mos i kujtojmë edhe martirët e parë katolikë, shenjtorët tanë Florin dhe Laurin nga Ulpiana. Me aktin e flijimit, ata dëshmuan besimin dhe lanë një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë brezat. Lidhja jonë e hershme me vlerat perëndimore na shpie tek kujtimi i kryetrimit “Atletit të Krishtit dhe Mbrojtësit të Krishterimit” – Princit të Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me guxim dhe sakrificë mbrojti këto vlera që formësuan trashëgiminë tonë shpirtërore. Ky frymëzim historik gjen vazhdimësinë tek Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili në gusht të vitit 2005, gjatë vendosjes së gurthemelit të Katedrales, theksoi se kjo katedrale “do të jetë një shenjë e paqes, e dialogut dhe e respektit ndërmjet të gjithë qytetarëve tanë, duke shërbyer si një urë mes besimeve dhe kulturave tona”. Të dy figurat, ndonëse në kohë të ndryshme, janë të lidhur ngushtë me vlerat perëndimore, ndaj janë udhërrëfyes në vizionin tonë euroatlantik. Trashëgimia e tyre dhe vizioni i tyre, së bashku me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj njerëzimit, na frymëzojnë të ruajmë dhe të përforcojmë lidhjet shpirtërore, kulturore dhe diplomatike, duke ndërtuar një të ardhme ku paqja, drejtësia dhe solidariteti do të jenë vlera që na bashkojnë. Në këtë vazhdimësi historike dhe shpirtërore, kam pasur nderin të pritem ditë më parë në audiencë private nga Shenjtëria e Tij, Papa Leoni XIV. Gjatë këtij takimi, i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij dhe ftesën e përzemërt për një vizitë në Republikën e Kosovës. Në këtë frymë, biseduam edhe për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën historike të qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës sonë. Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për ta avancuar miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë: paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë. Të dashur miq, Në këtë natë Krishtlindjeje, le të kujtojmë se drita e shpresës dhe dashuria për të tjerët janë ato që mund të transformojnë botën përreth nesh. Le t`i hapim zemrat dhe shtëpitë tona, jo vetëm për gëzim dhe festë, por edhe për mirësi, përkujdesje dhe solidaritet. Le të marrim frymëzim nga shembulli i Nënë Terezës dhe të gjitha figurave tona historike, duke e përhapur dashurinë dhe shpresën tek të tjerët, duke i mbajtur të gjalla traditat dhe vlerat tona. Qofshin ditët tuaja të mbushura me paqe, shëndet, gëzim dhe dashuri të pakufishme.! Për shumë mot, gëzuar Krishtlindjen dhe një Vit të Ri plot bekime për të gjithë!
Urimi i Presidentes Osmani për Krishtlindje

Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi. Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe e mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim. Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!
Presidentja Vjosa Osmani takoi Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau, në Washington, D.C

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike. Presidentja Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump. Në këtë takim, Presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje. Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë. Në takim me Zëvendës Sekretarin Landau, që përbën takimin e dytë bilateral brenda këtij viti, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatin e përhershëm të Kosovës.
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët”, njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80. “Xhamadani vija vija” mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy vjet më parë, Shemin dhe grupin “Ilirët”, i vlerësuam me Medaljen Pesidenciale të Meritave. Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë përmes muzikës që na la trashëgimi. I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasiqin- Shemin!
Presidentja: Kosova ecën përpara duke fituar miq!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova ecën përpara duke fituar miq! Përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruam edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Deklarimi për media i Presidentes Osmani së bashku me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis, lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës nga Bahamas
Presidentja Osmani nënshkruan marrëveshjen për njohje me shtetin e Bahamas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar marrëveshjen për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Bahamas. Lidhur me këtë vendim historik, Presidentja Osmani ka shkruar: Bahamas njeh Kosovën. Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë! Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis. Deklarata e plotë: Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv. Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv. Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.