Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, nga të cilët është njoftuar për organizimin e marshit qytetarë të 17 shkurtit në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, vlerat e luftës çlirimtare, si dhe për përgjegjësinë për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Presidentja Osmani theksoi se e mbështet çdo iniciativë qytetare që kërkon drejtësi, duke nënvizuar se Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit dhe rezultat i një sakrifice shekullore. Ajo rikujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër për liri, ndërsa gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit minon besimin në drejtësi dhe dëmton paqen afatgjatë, duke riafirmuar se e vërteta historike për luftën çlirimtare nuk mund të tjetërsohet dhe as të rishkruhet.
Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Presidenten e Republikës për pritjen dhe mbështetjen, duke ftuar qytetarët që më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, të bashkohen në Prishtinë për marshin me moton “Drejtësi, jo politikë.”


