...

Kongresistët republikanë Zach Nunn dhe Pete Sessions i japin mbështetje të fuqishme edhe për një mandat Presidentes Osmani dhe vizionit euroatlantik të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letra mbështetëse nga kongresistët republikanë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zach Nunn dhe Pete Sessions, në të cilat ata shprehin mbështetjen për lidershipin e saj dhe besimin në vazhdimin e mandatit të dytë presidencial. Në letrat e tyre, ata rikonfirmojnë gjithashtu përkrahjen për drejtimin euroatlantik të Kosovës.

Kongresisti Zach Nunn ka nënvizuar besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidershipin e Presidentes Osmani. “Në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin, përkushtimi ndaj parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit ka ofruar stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik”, thuhet në letër. Mëtej, ai ka shtuar: “lidershipi juaj i qëndrueshëm ju pozicionon në mënyrë unike për të vazhduar ta udhëhiqni Kosovën përpara”.

Ndërkaq, Kongresisti Pete Sessions ka theksuar se Presidentja Osmani e përfaqëson Kosovën në mënyrë shembullore në arenën ndërkombëtare dhe se lidershipi i saj ka ngritur drejtpërdrejt pozitën dhe kredibilitetin e Kosovës ndër aleatët demokratikë. “Kam besim të madh në aftësinë tuaj për të vazhduar si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera kongresisti Sessions.

Të dy kongresistët kanë riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Kosovës, zhvillimin demokratik, integrimin euroatlantik dhe perspektivën e saj drejt anëtarësimit në NATO — shtylla kyçe për paqe, stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon.

Këto mesazhe përbëjnë një dëshmi të qartë të partneritetit të fortë dhe strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe të besimit të vazhdueshëm në lidershipin e Presidentes Osmani, por edhe në rrugën euroatlantike të Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.