Presidentja Osmani përkujton Latif Berishën e Agim Hajrizin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar humanistët Latif Berisha e Agim Hajrizi. Deklarata e plotë e Presidentes: Kur lufta jonë për çlirim mori hov dhe në të njëjtën ditë nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal serb, Kosova humbi dy humanistë: shkrimtarin e intelektualin Latif Berisha dhe veprimtarin sindikal Agim Hajrizi së bashku më nënën dhe djalin. Që të dytë ishin veprimtarë të devotshëm të përpjekjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe që të dytë u vranë në të njëjtën ditë nga regjimi gjenocidal serb. Le të ruajmë kujtimin për ta krahas admirimit e respektit për punën dhe kontributin e tyre. Ata do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë dhe do të jenë frymëzuese për brezat e ardhshëm!
Presidentja: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit. Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit. Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit. Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet. Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike. Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim!
Presidentja Osmani: NATO-ja parandaloi shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali u ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 24 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s, me të cilin iu dha fundi gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës së perëndimore, botës së lirë, e cila u vu në anën ë duhur të historisë, në anën e së drejtës. “Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, theksoi Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani theksoi se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës. “Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, është shprehur Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, liria është një guri themeltar i dinjitetit njerëzor. “Megjithatë, këto vlera nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ruajtur. Po jetojmë në një kohë kërcënimesh për të gjithë ne. Prandaj, sërish botës së lirë i duhet unitet kundrejt tiranëve, autoktratëve e diktatorëve. Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara. Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, ndaj duke ruajtur aleancën me partnerët tanë do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka falënderuar gra e burra të shteteve anëtarë të NATO-s, për kontributin e tyre më 1999 për lirinë e Kosovës dhe ka potencuar se secili nga ta gëzon mirënjohjen e thellë e të vazhdueshme të popullit të Kosovës.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, përfshirë dakordimin e arritur për planin e zbatimit në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimin ndërshtetëror dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier kanë nderuar ish-sekretaren Albright, në përvjetorin e ndarjes nga jeta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, kanë nderuar sot ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, në përvjetorin e ndarjes nga jeta. “Populli i Kosovës do ta kujtojë atë përgjithmonë si një fener shprese gjatë kohërave tona më të errëta. Ne vazhdojmë të udhëhiqemi nga lidershipi i saj shembullor”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani në Gala koncertin- Gratë Artiste për komunitetin

Të nderuar përfaqësues të institucioneve, I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Rama, Të dashura Besa, Kristale, Të nderuar ambasadorë, ambasadore, Të nderuar përfaqësues të komunitetit artistik, Të nderuar përfaqësues nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Gra aktiviste, Të nderuara vajza e gra dhe të gjithë ju pjesëmarrës sot që jeni, Natyrisht që, këtu jemi në radhë të parë për koncertin, por nuk ka asgjë më të mirë sesa kur shijojmë edhe muzikën dhe njëkohësisht ndihmojmë, dhe shtyjmë përpara kauza që janë afër zemrës sonë dhe ndihmojmë njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë. Prandaj, jam e nderuar që jam sot në mesin e grave artiste nga Kosova dhe Shqipëria në këtë aktivitet që synon të kontribuojë në përpjekjen për parandalimin, luftimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit kundër trafikimit me qenie njerëzore. Sonte, jemi bashkë këtu për të kontribuar për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, një dukuri e cila nuk prek vetëm kategori të caktuara të shoqërisë, fatkeqësisht kjo mund t’i duket dikujt si një fenomen shumë i largët, megjithatë për fat të keq edhe Kosova, sikurse çdo vend tjetër në botë është prekur jashtëzakonisht shumë nga ky fenomen i tmerrshëm. Miliona vajza e gra, miliona të rinj janë viktima të trafikimit çdo vit. Diku mbi 2/3 e viktimave janë vajza të mitura, fëmijë. Viktimat e trafikimit janë të pambrojtur, ato iu nënshtrohen akteve të papërshkrueshme të dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit. Atyre u rrëmbehet liria, dinjiteti dhe humaniteti. Ne si shoqëri nuk duhet t`i mbyllim sytë ndaj kësaj plage, e cila në kohën e sotme njihet si skllavëri moderne. Prandaj, duhet të bashkohemi për ta rritur ndërgjegjësimin për trafikimin e qenieve njerëzore, sikurse edhe për të ndërmarrë veprimeve për ta parandaluar këtë fenomen. Duhet t`i mbështesim organizatat që në baza ditore punojnë për t`i trajtuar viktimat, duke u ofruar atyre burimet e nevojshme për ta rindërtuar jetën e tyre. Përgjigjja jonë si shtet dhe si shoqëri duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur. Natyrisht që kjo nuk është një gjë e lehtë, por është e mundshme, sikurse edhe e arritshme. Në Kosovë, statistikat tregojnë se 86% e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza, ndërkohë që më shumë se 2/3 e tyre janë nën moshën 18-vjeçare. Këto shifra duhet të na alarmojnë, por mbi të gjitha të na mobilizojnë të gjithëve në një front të përbashkët për një mjedis ku secili fëmijë, secila vajzë dhe secila grua ndihet e lirë. Ne duhet ta bëjmë Kosovën strehë të sigurt për të gjithë pa dallim! Të nderuar pjesëmarrës, Ne kemi jo vetëm përgjegjësi ligjore e institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale e njerëzore. Ta bëjmë këtë përgjegjësi kolektive. Ta bëjmë këtë përgjegjësi veprim për ta luftuar trafikimin me Qenie Njerëzore, sikurse edhe ta ofrojmë mbështetjen në mbrojtjen adekuate për viktimat. Prandaj ky aktivitet i sontëm është në funksion të ngritjes së vëmendjes së shoqërisë sonë për këtë dukuri të rrezikshme jo vetëm për shoqërinë tonë në fakt, por për të gjithë globin. Nisma e artisteve për të kontribuar për komunitetin e viktimave të trafikimit vjen në kohën e duhur dhe është tejet e çmuar. Për aktivitete bamirësie dhe për kauza që e ndihmojnë shoqërinë asnjëherë nuk është vonë. Gjithnjë është momenti i duhur. Çdo ditë duhet të jetë në funksion të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët tanë pa dallim. Për këtë arsye, sonte jam para jush për të kërkuar që t`i ndihmojmë ata e ato që në këto momente nuk mund ta ndihmojnë veten e tyre, për shkak se u është rrëmbyer liria. Të nderuar pjesëmarrës, Puna e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Njerëzve është kritike për t`i ndihmuar viktimat ta rindërtojnë jetën e tyre dhe për ta rritur ndërgjegjësimin për ta parandaluar trafikimin. Kjo Qendër është e përkushtuar për t`i dalë ndihmë viktimave, ndaj sikurse ajo duhet të bëjmë edhe secili prej nesh. Megjithatë, Qendra nuk mund ta bëjë këtë punë e vetme. Kanë nevojë vazhdimisht për ndihmën tonë. E mbështetja e secilit prej nesh mund të bëjë ndryshimin e nevojshëm në jetën e atyre që kanë pësuar nga trafikimi i qenieve njerëzore. Të bashkuar dhe duke kontribuar ua dërgojmë një porosi të qartë këtij komuniteti – Ju nuk jeni vetëm!
Presidentja Osmani uron muajin e shenjtë të Ramazanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar muajin e shenjtë të Ramazanit. Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani: Sonte fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, muaj i sakrificës, përkushtimit, solidaritetit dhe mirësisë. Gjatë këtij muaji, secili nga besimtarët, përveç sakrificës personale dhe paqes shpirtërore, manifeston shpirtin solidar e tolerant në raport me tjetrin, në raport me njerëzit në nevojë. Populli ynë gjithmonë e ka kultivuar solidaritetin, ndaj në këtë muaj uroj që secila zemër e secila sofër të jetë plot, në mënyrë që respekti i ndërsjellë dhe dashuria të jenë udhërrëfyes përherë. Zoti ju bekoftë në këtë muaj të shenjtë dhe ju pranoftë lutjet, agjërimin dhe veprat e mira!
Presidentja Osmani dhe ministri Vitia inspektuan parapërgatitjet finale për funksionalizimin e shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Klinikën e Gjinekologjisë, në të cilën po realizohen parapërgatitjet finale për t`u funksionalizuar shërbimet e reja të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikës. Presidentja Osmani dhe ministria Vitia u pritën në takim nga drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe nga stafi mjekësor, e të cilët më pas bashkërisht vizituan edhe repartin ku do të fillojë që të ofrojë shërbimet e IVF. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e ofrimit të këtij shërbimi për qytetarët. “Një shërbim, i cili qifteve në Republikën tonë deri tani iu ka kushtuar diku rreth 5 milion euro, dhe që tani e tutje, pas procedimit edhe me blerjen e aparaturës, e cila siç diskutuam me ministrin pritet të përfundojë gjatë këtij viti, do të jenë pra, shërbime që do të ofrohen edhe në institucionet publike shëndetësore. Në një repart, i cili ishte rinovuar dhe është tërësisht i ri dhe do të mund të ofrojë shërbime jashtëzakonisht cilësore për qiftet e reja që dëshirojnë të bëhen prindër, dhe do t’i shfrytëzojnë natyrisht metodat e fertilizimit të asistuar mjekësor”, ka thënë Presidentja Osmani. Mëtej presidentja Osmani ka falënderuar ministrin, drejtorin dhe gjithë stafin për punën e palodhshme në mënyrë që këto shërbime sa më parë që të jetë e mundur të fillojnë t’ju ofrohen qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Duke e ditur siç e përmenda sa shumë kanë kushtuar ato për dekada të tëra për qytetarët tanë, dhe në të njëjtën kohë si Presidente kam ofruar gjithë përkrahjen e nevojshme për aq sa kemi kompetenca në mënyrë që të ndihmohet jo vetëm ky sektor, por Klinika e Gjinekologjisë në veçanti, si një Klinikë edhe ku fillon jeta. Dhe kam pas mundësinë që për së afërmi ta shoh nga lindja e fëmijëve të mi, por edhe në shumë vizita që i kemi pasur përgjatë viteve, sfidat me të cilat ballafaqohet kjo klinikë dhe këto sfida duhet të merren me urgjencë”, ka theksuar Presidentja. Presidentja Osmani së bashku me ministrin Vitia së bashku me stafin kanë diskutuar edhe për që sa më parë që të jetë e mundur të trajtohet ndryshimi i ligjit për prokurim publik. “Shpeshherë vonesat që bëhen në procedurat e prokurimit, që nuk janë vonesa që janë në duart e mjekëve apo edhe të ministrit shkaktojnë vonesa totalisht të paarsyeshme qoftë për furnizim me materiale mjekësore, qoftë për furnizim me barna, qoftë për furnizim me aparaturë dhe të gjitha këto pastaj shkaktojnë edhe rrezikim të jetëve njerëzore, rrezikimi të jetës së qytetarëve tanë. Prandaj, procedurat e prokurimit sa i përket çështjeve të shëndetësisë besoj se duhet të trajtohen njësoj si procedurat e prokurimit të sigurisë kombëtare. Pra, në atë nivel. Në nivel shumë më të lartë, dhe të kryhen në procedura më të përshpejtuara, natyrisht duke marrë për bazë edhe modelet më të mira ndërkombëtare e evropiane, që na mundësojnë që të parandalojmë keqpërdorimet, por në të njëjtën kohë është e patolerueshme që për vite të tëra këto procedura të prokurimit të stërzgjasin edhe vet furnizimin e klinikave tona me mjetet që atyre u duhen, në mënyrë që të ofrohen shërbime shëndetësore për qytetarët tanë’, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani priti drejtorët në largim dhe në ardhje të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT)

Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe drejtorin e ardhshëm të NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein. Gjatë takimit, Presidentja Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë. Ky objektiv mbetet prioritet kryesor strategjik i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për Kosovën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Presidentja shfrytëzoi rastin për të shprehur vlerësimin e saj për mbështetjen e rëndësishme, si dhe asistencën zhvillimore të ofruar nga NALT-i, në kuadër të misionit dhe mandatit të vet. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e dhënë nga ekipi i NALT-it ka qenë e rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën të arrijë përparim të dukshëm drejt synimit të saj për anëtarësim në NATO. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të NALT-it në Kosovë, Presidentja Osmani e dekoroi drejtorin në largim të NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për mbështetjen e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe aftësimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Ky nderim pasqyron vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për përpjekjet e jashtëzakonshme të gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe ekipeve të NALT-it. Duke shprehur mirënjohje për gjeneral brigade në largim Joachim Hoppe, Presidentja Osmani shprehu gjithashtu përkushtimin e saj për të punuar ngushtë me drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein për ta forcuar bashkëpunimin në të ardhmen. Presidentja Osmani ka potencuar se është e përkushtuar që të punojë ngushtë me NATO-n dhe të gjithë partnerët e saj për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Republikës dhe rrjedhimisht të rajonit, duke theksuar se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj prioritetit të saj strategjik – integrimit e plotë në institucionet euroatlantike.
Gjeneral brigade Sefer Isufi emërohet këshilltar ushtarak i Presidentes

Me kërkesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani, FSK ka dërguar gjeneral brigade Sefer Isufi, anëtar i personelit ushtarak të shërbejë si këshilltar ushtarak i Presidentes. Gjeneral brigade Sefer Isufi ka përvojë të gjatë ushtarake dhe është i diplomuar në fushën e sigurisë në Kolegjin e Luftërave Tokësore, pastaj në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, respektivisht Institutin për Komandim dhe Drejtim Strategjik të Forcave të Armatosura në Stamboll. Përgjatë karrierës së tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Isufi ka realizuar detyra me përgjegjësi të lartë në hartimin e politikave dhe planeve të mbrojtjes, si dhe zbatimit të tyre në nivel strategjik dhe operacional. Presidentja Osmani, duke i uruar mirëseardhje Gjeneral Isufit, ka theksuar se përvoja e tij profesionale do te kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.