presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Gala koncertin- Gratë Artiste për komunitetin

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Rama,
Të dashura Besa, Kristale,
Të nderuar ambasadorë, ambasadore,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit artistik,
Të nderuar përfaqësues nga Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore,
Gra aktiviste,
Të nderuara vajza e gra dhe të gjithë ju pjesëmarrës sot që jeni,

Natyrisht që, këtu jemi në radhë të parë për koncertin, por nuk ka asgjë më të mirë sesa kur shijojmë edhe muzikën dhe njëkohësisht ndihmojmë, dhe shtyjmë përpara kauza që janë afër zemrës sonë dhe ndihmojmë njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë.

Prandaj, jam e nderuar që jam sot në mesin e grave artiste nga Kosova dhe Shqipëria në këtë aktivitet që synon të kontribuojë në përpjekjen për parandalimin, luftimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Sonte, jemi bashkë këtu për të kontribuar për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, një dukuri e cila nuk prek vetëm kategori të caktuara të shoqërisë, fatkeqësisht kjo mund t’i duket dikujt si një fenomen shumë i largët, megjithatë për fat të keq edhe Kosova, sikurse çdo vend tjetër në botë është prekur jashtëzakonisht shumë nga ky fenomen i tmerrshëm.

Miliona vajza e gra, miliona të rinj janë viktima të trafikimit çdo vit. Diku mbi 2/3 e viktimave janë vajza të mitura, fëmijë.

Viktimat e trafikimit janë të pambrojtur, ato iu nënshtrohen akteve të papërshkrueshme të dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit. Atyre u rrëmbehet liria, dinjiteti dhe humaniteti.

Ne si shoqëri nuk duhet t`i mbyllim sytë ndaj kësaj plage, e cila në kohën e sotme njihet si skllavëri moderne.

Prandaj, duhet të bashkohemi për ta rritur ndërgjegjësimin për trafikimin e qenieve njerëzore, sikurse edhe për të ndërmarrë veprimeve për ta parandaluar këtë fenomen.

Duhet t`i mbështesim organizatat që në baza ditore punojnë për t`i trajtuar viktimat, duke u ofruar atyre burimet e nevojshme për ta rindërtuar jetën e tyre.

Përgjigjja jonë si shtet dhe si shoqëri duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur.

Natyrisht që kjo nuk është një gjë e lehtë, por është e mundshme, sikurse edhe e arritshme.

Në Kosovë, statistikat tregojnë se 86% e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza, ndërkohë që më shumë se 2/3 e tyre janë nën moshën 18-vjeçare.

Këto shifra duhet të na alarmojnë, por mbi të gjitha të na mobilizojnë të gjithëve në një front të përbashkët për një mjedis ku secili fëmijë, secila vajzë dhe secila grua ndihet e lirë.

Ne duhet ta bëjmë Kosovën strehë të sigurt për të gjithë pa dallim!

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne kemi jo vetëm përgjegjësi ligjore e institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale e njerëzore. Ta bëjmë këtë përgjegjësi kolektive.
Ta bëjmë këtë përgjegjësi veprim për ta luftuar trafikimin me Qenie Njerëzore, sikurse edhe ta ofrojmë mbështetjen në mbrojtjen adekuate për viktimat.

Prandaj ky aktivitet i sontëm është në funksion të ngritjes së vëmendjes së shoqërisë sonë për këtë dukuri të rrezikshme jo vetëm për shoqërinë tonë në fakt, por për të gjithë globin.

Nisma e artisteve për të kontribuar për komunitetin e viktimave të trafikimit vjen në kohën e duhur dhe është tejet e çmuar. Për aktivitete bamirësie dhe për kauza që e ndihmojnë shoqërinë asnjëherë nuk është vonë.

Gjithnjë është momenti i duhur. Çdo ditë duhet të jetë në funksion të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët tanë pa dallim.

Për këtë arsye, sonte jam para jush për të kërkuar që t`i ndihmojmë ata e ato që në këto momente nuk mund ta ndihmojnë veten e tyre, për shkak se u është rrëmbyer liria.

Të nderuar pjesëmarrës,

Puna e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Njerëzve është kritike për t`i ndihmuar viktimat ta rindërtojnë jetën e tyre dhe për ta rritur ndërgjegjësimin për ta parandaluar trafikimin.

Kjo Qendër është e përkushtuar për t`i dalë ndihmë viktimave, ndaj sikurse ajo duhet të bëjmë edhe secili prej nesh.

Megjithatë, Qendra nuk mund ta bëjë këtë punë e vetme. Kanë nevojë vazhdimisht për ndihmën tonë. E mbështetja e secilit prej nesh mund të bëjë ndryshimin e nevojshëm në jetën e atyre që kanë pësuar nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Të bashkuar dhe duke kontribuar ua dërgojmë një porosi të qartë këtij komuniteti – Ju nuk jeni vetëm!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.