Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin William G. Walker

Në prag të përvjetorit të Masakrës Reçakut, Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin William G. Walker, të cilin e falënderoi për kontributin e tij për të vërtetën për Reçakun. Sipas Presidentes Osmani, Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit, të cilët u masakruan brutalisht më 15 janar 1999. “E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin

Gjatë javës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, së bashku me ekipin e tij, të cilëve u uroi suksese të mëtejme në detyrën e përfaqësimit të interesave të qytetarëve të Bujanocit. Gjatë takimit, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i mbështetur vazhdimisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet më të larta për të drejta të njeriut. Po ashtu, në këtë kontekst, Presidentja dhe Kryetari Pajaziti diskutuan edhe për lehtësimin e procedurave të shtetësisë për qytetarët nga këto komuna, duke theksuar rëndësinë e adresimit të sfidave me të cilat përballen ata. Kryetari i Bujanocit falënderoi Presidenten për ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve në Luginë në të gjitha forumet ndërkombëtare, ndërkaq diskutuan edhe për një sërë iniciativash nëpërmjet të cilave mund të përkrahen shqiptarët në Presheve, Medvegjë e Bujanoc.

Presidentja Osmani kujton veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes

Enver Maloku ishte profesionist i fjalës së shkruar, luftëtar i mendimit të lirë dhe njeriu që me guxim dhe përkushtim mbrojti idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ai ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm në kohë të errëta, kur e vërteta rrezikohej nga dhuna dhe shtypja. Kujtimi për Enver Malokun është i përhershëm, teksa puna dhe sakrifica e tij janë pjesë e historisë sonë, ndaj e vërteta që ai mbrojti do të jetojë gjithmonë dhe do të mbrohet kur autorët të dalin para drejtësisë. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!

Presidentja Osmani priti në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma. Në këtë takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces. Të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim u diskutua për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik. Presidentja Osmani dhe Sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale.

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së gjatë vitit 2025. Në prag të vizitës së Zëvendës Sekretarit të Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, u diskutua për qëllimin e kësaj vizite, si dhe u fol për disa nga temat kryesore që do të trajtohen. Gjatë bisedës, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati theksuan rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në adresimin e çështjeve të interesit të përbashkët.

Presidentja Osmani: Përgjatë vitit 2024, pjesa më përmbushëse e angazhimit ishin takimet me qytetarë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përgjatë vitit 2024, pjesa më përmbushëse e angazhimit ishin takimet me qytetarë. “Përgjatë vitit 2024, pjesa më përmbushëse e angazhimit ishin takimet me qytetarë. Bashkëbisedimet tona për sfidat dhe sukseset janë shtysa më e madhe për të vazhduar punën me përkushtim edhe në këtë vit të ri dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

Në këtë ditë feste, uroj të gjithë besimtarët ortodoksë për paqe, harmoni dhe begati në familjet e tyre. Kjo festë na kujton dashurinë, solidaritetin dhe shpresën, vlera që na bashkojnë dhe na forcojnë si shoqëri. Qoftë kjo kremtë një moment reflektimi dhe gëzimi për të gjithë! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen ortodokse!

Presidentja Osmani u nënshkrua në Librin e Zisë për Presidentin Carter

Gjatë ditës së sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u nënshkrua në Librin e Zisë për Presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka shkruar: Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter. Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave. Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë.

Presidentja Osmani kujton Heroin e Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, në 22-vjetorin e vrasjes

Në 22-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt Heroin e Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, ushtarakun e UÇK-së dhe njërin nga figurat më të shquara të luftës për liri. 22 vjet më parë, ai u vra pabesisht në hyrje të Pejës, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin. Vrasësit, të cilët lanë pas tragjedinë dhe dhimbjen, ende nuk janë ndëshkuar. Kjo është një dhimbje që nuk mund të fshihet, një plagë që është ende e hapur. Vepra e kolonel Tahir Zemajt, si një udhëheqës i paepur dhe guximtar, vazhdon të frymëzojë brez pas brezi. Emri i kolonelit do të jetë gjithmonë simbol i sakrificës dhe i luftës për liri dhe pavarësi, ndaj zbulimi i autorëve të vrasjes dhe vënia para drejtësisë janë të domosdoshme. Nderim të përjetshëm për Kolonel Tahir Zemajn, Enisin dhe Hasanin!

This site is registered on wpml.org as a development site.