Presidentja Osmani takoi Komandantin e KFOR-it, Generalmajor Enrico Barduani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n. Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin. Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale. Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit, Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për rolin thelbësor në procesin e shtetndërtimit. Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj Presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO. Presidentja Osmani, poashtu falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për adresimin e sfidave dhe avancimin e aspiratave të përbashkëta, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale me Turqinë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, duke potencuar se Turqia mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës. Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes turke ndaj Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, njohje të mëtejmë dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e interesave të përbashkëta të të dyja shteteve, duke përforcuar lidhjet miqësore dhe bashkëpunimin afatgjatë.
Adresimi i Presidentes Osmani për konferencën “Nga Rezoluta në Revolucion: Shënimi i 25-vjetorit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”

Gjatë kësaj jave në Washington D.C. u mbajt konferenca “Nga Rezoluta në Revolucion: Shënimi i 25-vjetorit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, e organizuar nga Ambasada e Japonisë, Instituti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, dhe Fondacioni Sasakawa për Paqe në SHBA. Në adresimin e saj virtual, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, foli për punën që po bën Kosova për të avancuar këtë agjendë ndër vite, me theks të veçantë tek rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm për mbështetjen e mbi 20,000 të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Presidentja Osmani kujton Smajl Hajdarajn në 23-vjetorin e vrasjes

Në 23-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt Smajl Hajdarajn, deputetin, aktivistin politik dhe komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra pabesisht në një pritë më 17 janar 2002. Ai nuk u ndal as në luftë, as në paqe, duke qëndruar gjithmonë besnik ndaj idealeve të lirisë dhe të pavarësisë. Por, fatkeqësisht, ai u vra në një kohë kur Kosova kishte nevojë për njerëz si ai – për ndërtimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë. Liria për të cilën ai luftoi nuk mund të jetë e plotë pa drejtësi, ndaj është e domosdoshme që autorët të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Smajl Hajdaraj do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si simbol i qëndresës dhe sakrificës. Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Presidentja Osmani bëri homazhe në Dubovik për nder të Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe në Prishtinë tek busti i Kadri Zekës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, sot në mëngjes bëri homazhe në Dubovik për nder të Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe në Prishtinë tek busti i Kadri Zekës. Me këtë rast Presidentja deklaroi: “Sot, sikurse çdo vit, në Dubovik për t’i nderuar patriotët Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, të cilët 43 vjet më parë, së bashku me Kadri Zekën, u vranë pabesisht në një atentat në Gjermani. Vrasja e tyre ishte një përpjekje për t`i shuar këta zëra të fuqishëm të kauzës dhe rezistencës sonë kombëtare. Por, historia e ka dëshmuar se e vërteta dhe idealet nuk mund të vriten asnjëherë. Lavdi jetës dhe veprës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës!”
Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga znj. Petra Bayr, i cili do t`i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë. Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend. Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit. Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Presidentja Osmani priti në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian. Ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryesuesja Loiseau diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike. Presidentja Osmani nëpërmes një letre të dërguar më 3 shtator 2024 Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013. Ajo theksoi se këto janë zgjedhjet e para të rregullta sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke i dhënë një dimension të ri procesit zgjedhor në vend. Në takim me znj. Loiseau, Presidentja Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar z.Borrel, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime. Presidentja vlerësoi se barazia gjinore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të reflektohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Më tej, Presidentja Osmani, bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani: Sot ishim në Reçak, në fshatin e vogël me histori të madhe, aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Reçak. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot ishim në Reçak, në fshatin e vogël me histori të madhe, aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës. Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më. Të rinj, të reja e fëmijë që takuam sot, janë brezi i ri i Reçakut, pasardhësit e viktimave, që dëshmojnë pathyeshmërinë e qëndresën e popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe. Lavdi martirëve e dëshmorëve të Reçakut!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Ceremoninë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Kurti, I nderuar kryetar i komunës, I nderuar ambasador Walker dhe zonja Walker, Të nderuara familje të viktimave të masakrës së Reçakut, Të nderuar të mbijetuar të kësaj masakre, Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, deputetë, ministra, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuar të pranishëm Sikurse në çdo përvjetor, edhe sot jemi në Reçak, në fshatin e vogël me histori të madhe – aty ku 26 vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës. Në një ditë të zymtë të janarit të vitit ‘99, 45 banorë të Reçakut, ndër të cilët burra, gra, të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë, i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë. Pamjet e asaj masakre tronditën botën dhe prekën ndërgjegjen ndërkombëtare e mobilizuan diplomacinë. Krejt kjo në saje të mikut tonë të madh, ambasadorit William Walker, i cili, me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë. Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij: mizoritë e paimagjinueshme, të cilat regjimi gjenocidal serb i kreu mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare këtu në Reçak dhe kudo në Kosovë. Kjo që pashë këtu është një krim kundër njerëzimit. Është një masakër dhe nuk ka fjalë për ta përshkruar ndryshe, ishin fjalët e atëhershme të ambasadorit Walker. Sot ambasadori Walker, i cili është në mesin tonë, mbetet një simbol i ndërgjegjes njerëzore dhe i drejtësisë ndërkombëtare. Ndaj, edhe kisha nderin që në tetor të vitit të kaluar ta dekoroj atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë në emër të popullit të Republikës sonë! Fjalët e thëna me vendosmëri nga ambasadori Walker tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm. Dhe kjo hapi edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s, e cila bashkë me luftën çlirimtare të bijve dhe bijave të Kosovës, vajzave dhe djemve të Ushtrisë sonë Çlirimtare, e bënë më në fund Kosovën të lirë. Ata luftuan me guxim për lirinë, për ta mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar të lirë në tokën tonë. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së ishin përfaqësues të denjë të një brezi që nuk u gjunjëzua asnjëherë përballë shtypjes dhe terrorit të Serbisë gjenocidale. Sot përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tyre dhe kujtimit të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë. Masakra e Reçakut mbetet referencë e përhershme për vuajtjet dhe për luftën tonë për liri. Ajo na kujton jo vetëm dhimbjen e asaj kohe, dhimbje që është akoma prezente në mesin e familjarëve, të mbijetuarve dhe secilit qytetar të Republikës sonë, por na kujton edhe forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ringritur dhe për të triumfuar. Ne nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërtetën që ai përfaqëson. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për ta mbrojtur shtetin tonë të pavarur, sovran, të lirë dhe demokratik. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë, çdo ditë, në çdo forum, kudo në botë duhet ta dëshmojmë se në vitet ’98-‘99 populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Në kohën kur Reçaku dhe e gjithë Kosova akoma kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo çka shohim në Serbi është vazhdimësi e mendësisë së viteve të ’90-ta. Mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë civilë të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin, me emrin Aleksandër Vuçiq. Sot, po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, e mohon atë që bota e pa me sytë e vet, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira dhe si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe, e në anën tjetër dërgon forcat e veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet ‘90, njësoj edhe sot Kosova ka djem e vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të saj. Prandaj, sot jemi të gjithë bashkë që sërish të përulemi para sakrificës së 45 martirëve të Reçakut dhe dëshmorëve që ranë në mbrojtje të tyre. Viktimat e Reçakut ishin viktima të një regjimi që nuk kurseu as pleq, as gra, as fëmijë, njësoj sikurse viktimat anekënd Kosovës. Ata janë dhe do të vazhdojnë të jenë heronjtë tanë, sepse me sakrificën e tyre na treguan se sa e shtrenjtë është liria dhe sa i lartë është çmimi që pagoi populli ynë. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë! Kujtimi i tyre do të jetë referencë e përhershme për çdo gjë që bëjmë. Qoftë i përjetshëm, kujtimi për 45 martirët e Reçakut dhe dëshmorët e Reçakut! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës! Lavdi dëshmorëve! Zoti e bekoftë Reçakun, Kosovën dhe popullin e saj! Ju faleminderit!