I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Kurti,
I nderuar kryetar i komunës,
I nderuar ambasador Walker dhe zonja Walker,
Të nderuara familje të viktimave të masakrës së Reçakut,
Të nderuar të mbijetuar të kësaj masakre,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, deputetë, ministra, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm
Sikurse në çdo përvjetor, edhe sot jemi në Reçak, në fshatin e vogël me histori të madhe – aty ku 26 vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës.
Në një ditë të zymtë të janarit të vitit ‘99, 45 banorë të Reçakut, ndër të cilët burra, gra, të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes.
Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë, i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë.
Pamjet e asaj masakre tronditën botën dhe prekën ndërgjegjen ndërkombëtare e mobilizuan diplomacinë. Krejt kjo në saje të mikut tonë të madh, ambasadorit William Walker, i cili, me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë.
Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij: mizoritë e paimagjinueshme, të cilat regjimi gjenocidal serb i kreu mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare këtu në Reçak dhe kudo në Kosovë.
Kjo që pashë këtu është një krim kundër njerëzimit. Është një masakër dhe nuk ka fjalë për ta përshkruar ndryshe, ishin fjalët e atëhershme të ambasadorit Walker.
Sot ambasadori Walker, i cili është në mesin tonë, mbetet një simbol i ndërgjegjes njerëzore dhe i drejtësisë ndërkombëtare. Ndaj, edhe kisha nderin që në tetor të vitit të kaluar ta dekoroj atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë në emër të popullit të Republikës sonë!
Fjalët e thëna me vendosmëri nga ambasadori Walker tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm.
Dhe kjo hapi edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s, e cila bashkë me luftën çlirimtare të bijve dhe bijave të Kosovës, vajzave dhe djemve të Ushtrisë sonë Çlirimtare, e bënë më në fund Kosovën të lirë.
Ata luftuan me guxim për lirinë, për ta mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar të lirë në tokën tonë. Vajzat dhe djemtë e UÇK-së ishin përfaqësues të denjë të një brezi që nuk u gjunjëzua asnjëherë përballë shtypjes dhe terrorit të Serbisë gjenocidale.
Sot përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tyre dhe kujtimit të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë. Masakra e Reçakut mbetet referencë e përhershme për vuajtjet dhe për luftën tonë për liri.
Ajo na kujton jo vetëm dhimbjen e asaj kohe, dhimbje që është akoma prezente në mesin e familjarëve, të mbijetuarve dhe secilit qytetar të Republikës sonë, por na kujton edhe forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë për t’u ringritur dhe për të triumfuar.
Ne nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërtetën që ai përfaqëson. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për ta mbrojtur shtetin tonë të pavarur, sovran, të lirë dhe demokratik.
Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë, çdo ditë, në çdo forum, kudo në botë duhet ta dëshmojmë se në vitet ’98-‘99 populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Në kohën kur Reçaku dhe e gjithë Kosova akoma kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo çka shohim në Serbi është vazhdimësi e mendësisë së viteve të ’90-ta. Mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë civilë të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin, me emrin Aleksandër Vuçiq.
Sot, po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, e mohon atë që bota e pa me sytë e vet, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira dhe si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe, e në anën tjetër dërgon forcat e veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet ‘90, njësoj edhe sot Kosova ka djem e vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të saj.
Prandaj, sot jemi të gjithë bashkë që sërish të përulemi para sakrificës së 45 martirëve të Reçakut dhe dëshmorëve që ranë në mbrojtje të tyre.
Viktimat e Reçakut ishin viktima të një regjimi që nuk kurseu as pleq, as gra, as fëmijë, njësoj sikurse viktimat anekënd Kosovës. Ata janë dhe do të vazhdojnë të jenë heronjtë tanë, sepse me sakrificën e tyre na treguan se sa e shtrenjtë është liria dhe sa i lartë është çmimi që pagoi populli ynë.
Ne nuk do t’i harrojmë kurrë! Kujtimi i tyre do të jetë referencë e përhershme për çdo gjë që bëjmë.
Qoftë i përjetshëm, kujtimi për 45 martirët e Reçakut dhe dëshmorët e Reçakut!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!
Lavdi dëshmorëve!
Zoti e bekoftë Reçakun, Kosovën dhe popullin e saj!
Ju faleminderit!