Të nderuar Qytetarë te Republikës së Kosovës,
Në vigjilje të kremtimit të Vitit të Ri 2013 ju dëshiroj të gjitha të mirat – shëndet, gëzime dhe suksese në jetën dhe punën tuaj. Ta kalojmë ndërrimin e moteve në familjet tona së bashku me të afërmit dhe miqtë, në solidaritet, në ndihmë dhe përkujdesje ndaj njëri-tjetrit.
Me këtë rast të kujtojmë me pietet dhe krenari ata që u flijuan për Kosovën. Të nderojmë familjet e tyre. Ideali dhe veprimtaria e dëshmorëve të jetë udhërrëfyese nga e cila marrim forcë për t’i tejkaluar të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohemi, dhe për ta bërë Kosovën një vend të zhvilluar, me sistem të avancuar demokratik me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Një shtet me rrugë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përjetshme me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë natë, ju shprehim falënderim të gjithë atyre që sot janë në punë duke e kryer detyrën dhe shërbimet e nevojshme që ne sonte ta kremtojmë këtë natë.
Në këtë natë, i falënderojmë pjesëtarët e KFOR-it, të EULEX-it dhe të misioneve diplomatike në Kosovë dhe shprehim respektin për ndihmën që ata i ofrojnë Kosovës dhe qytetarëve tanë.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Kaluam një vit të suksesshëm të ecjes sonë përpara. Në vitin që po e lëmë pas, përmbyllëm mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë dhe morëm përgjegjësitë e plota për të udhëhequr vendin tonë.
Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është bërë faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Rruga Evropiane e Kosovës është e qartë dhe do të përmbyllet me sukses, sepse institucionet e Kosovës dhe të gjithë qytetarët jemi të përkushtuar që t’i përmbushim të gjitha kushtet dhe t’i kryejmë të gjitha reformat.
Aspirata jonë për t’i përmbushur këto standarde për anëtarësim në BE përputhet edhe me vizionin tonë dhe vlerat në të cilat besojmë për të ndërtuar një shtet demokratik të rendit dhe sundimit të ligjit, me luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Të nderuar qytetarë,
Gëzuar Vitin e Ri! Ta fillojmë vitin 2013 me një përkushtim edhe më të madh për të përparuar Kosovën, atdheun tonë, për të rritur begatinë e familjeve tona.
Zoti ju bekoftë, zoti e bekoftë Kosovë, zoti i bekoftë miqtë tanë ndërkombëtarë!