Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim të fundvitit ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, zotëri Enver Hoxhajn, me të cilin bisedoi për të arriturat e diplomacisë kosovare dhe për zhvillimet që e presin vendin gjatë vitit të ardhshëm.
Presidentja Jahjaga theksoi se politika e jashtme e Kosovës gjatë këtij viti ishte një politikë dinamike dhe proaktive që solli forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe faktorizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke pasur një varg njohjesh të rëndësishme si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e ndryshme multilaterale dhe bilaterale. Gjithashtu duke pasur konferenca dhe takime të rëndësishme në Prishtinë, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në proceset aktuale. Ministri Hoxhaj e falënderoi Presidenten për mbështetjen dhënë MPJ-së dhe diplomacisë kosovare, duke thënë se Republika e Kosovës po prezantohet dinjitetshëm dhe në mënyrë bashkëkohore me një politikë që respekton parimet dhe konventat ndërkombëtare, një politikë që gëzon respektin e shteteve dhe të forumeve ndërkombëtare. Politika e vendit gjatë vitit të ardhshëm përveç në vazhdimin e procesit të njohjeve do të përqendrohet në synimin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në organizatat dhe në mekanizmat ndërkombëtarë.