Ju falënderoj për punën e çmuar që e keni kryer në Misionin tuaj tejet të rëndësishëm në Republikën e Kosovës për rendin dhe sundimin e ligjit.
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës,I nderuar Kryeministër Thaçi,I nderuar Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë z. Zbogar,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,I nderuar z. De Marnhac, Ju falënderoj për punën e çmuar që e keni kryer në Misionin tuaj tejet të rëndësishëm në Republikën e Kosovës për rendin dhe sundimin e ligjit. Misioni i EULEX-it është një mision i ftuar nga institucionet e Republikës së Kosovës për të dhënë kontribut dhe për të na ndihmuar me përvojën dhe angazhimin konkret në fushat shumë të rëndësishme të rendit dhe sundimit të ligjit në periudhën e tranzicionit, dhe në periudhën e ndërtimit të proceseve demokratike. Policia, prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it gëzojnë respektin e qytetarëve të vendit tim për angazhimin dhe për përkushtimin e tyre që t’i kryejnë edhe detyrat më të vështira, duke respektuar ligjin dhe procedurat dhe duke aplikuar përvojat më të mira të vendeve evropiane nga të cilat vijnë. Të nderuar pjesëmarrës, Shteti ynë po i ndërton të gjitha kapacitete e nevojshme që duke i marrë të gjitha përgjegjësitë t’i kryejë të gjitha detyrat duke bërë vendin tonë vend në të cilin mbretëron sundimi i ligjit dhe duke luftuar me sukses të gjitha të këqijat dhe dukuritë negative, sidomos korrupsionin dhe krimin e organizuar qe nuk njohin kufij dhe që kërcënojnë progresin e përgjithshëm dhe të ardhmen evropiane. Thellë besojmë që këtë vit Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, sepse vetëm duke qenë anëtar të rrjetit ndërkombëtar në luftimin e krimit ne mundemi me sukses të japim kontributin tonë në këputjen e linjave dhe në luftimin efikas të krimit transnacional. I nderuari z. Marnhac, Po e përfundoni misionin e dytë në Republikën e Kosovës. Që të dy, edhe ai ushtarak edhe ky në sundimin e ligjit, shumë të përgjegjshëm, duke dhënë një kontribut konkret dhe të prekshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe në ngritjen dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore, duke u shquar me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe me një koordinim të plotë dhe efikas. Ju shprehim falënderimet e institucioneve dhe popullit te Kosovës për gjithë atë që keni bërë, duke ju pasur përherë një mik të qëndrueshëm të Kosovës, të promovimit të vlerave dhe të ardhmes së saj.