presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga me rastin e shënimit të 50 vjetorit të marrëveshjes franko-gjermane të miqësisë

Pesëdhjetë vjet më parë, në një ditë të ftoftë janari, presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer mblodhën guximin dhe kurajon të bëjnë atë që nuk e kishin bërë paraardhësit e tyre – të ndryshojnë kahun e historisë.

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,I nderuari Ambasador i Republikës Federale Gjermane,E nderuara Ambasadore e Republikës së Francës,Të nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj, Pesëdhjetë vjet më parë, në një ditë të ftoftë janari, presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer mblodhën guximin dhe kurajon të bëjnë atë që nuk e kishin bërë paraardhësit e tyre – të ndryshojnë kahun e historisë. Ata ndryshuan jo vetëm të ardhmen e vendeve të tyre, por në gërmadhat e luftërave dhe gjendjes së pasigurisë së vazhdueshme, vendosën gurthemelin e një Evrope të bashkuar. Një Evrope në paqe dhe në prosperitet, ku shtetet sovrane dhe të pavarura – deri dje të armiqësuara – do të përkushtoheshin ndaj një vizioni të përbashkët evropian. Ky hap do të rriste mirëqenien e tyre dhe do ta zbehte tërësisht mundësinë e ringjalljes së urrejtjes dhe shkatërrimit që i kishte karakterizuar marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore. U pajtuan që gabimet historike, të cilat kishin minuar çdo përpjekje për të ndërtuar një jetë normale për qytetarët e Evropës, nuk do të përmirësoheshin pa e njohur realitetin tashmë të krijuar në këto dy shtete. Që përparimi ekonomik dhe vlerat e idealet e demokracisë nuk mund të realizoheshin pa një përfundim të armiqësive. Që qetësia dhe stabiliteti i brendshëm, që është edhe çelësi për fuqizimin e jashtëm, nuk mund të ndërtoheshin nën kërcënim. Që përparimi i Evropës në përgjithësi dhe i këtyre dy vendeve në veçanti nuk mund të ndodhte pa një pajtim historik në mes tyre; pa harruar historinë dhe sakrificën e gjeneratave të tëra për të ruajtur tërësinë territoriale të dy shteteve, por me betimin që lufta të mos zë kurrë vendin e dialogut dhe që e kaluara e hidhur, plot viktima e vuajtje, të mos përsëritet më. Sot, anë e kënd Evropës, e cila njohu përparimin në këto pesë dekada si kurrë më parë, kujtohet me pietet ky nënshkrim historik i vënë mbi marrëveshjen e një miqësie të lidhur mes dy shteteve të ngërthyer në gjendje lufte, mes dy popujve që në kohërat moderne kishin ditur vetëm urrejtje për njëri tjetrin. Është pikërisht ky Traktat i Elysees që bashkoi Evropën e përçarë, duke i dhënë jetë një unioni vlerash, një aleance bashkëpunimi, një vizioni afatgjatë dhe një alternative që fuqimisht do të sfidonte armiqësinë dhe do ta bënte luftën të paqenë. Të nderuar të pranishëm, Ky reflektim mbi një ngjarje me peshë të këtillë historike bëhet edhe më i përafërt sot, në këtë periudhë zhvillimesh në Ballkan derisa po bëjmë përpjekje të fuqishme që të ndërrojmë kahun e historisë, që të lëmë pas urrejtjen, humbjen dhe vuajtjen që kanë përshkuar jetërat e shumë prej nesh. Siç dëshmojnë memoaret e dy liderëve historik francez dhe gjerman, të vihesh në ballë të këtyre përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve të armiqësuara nuk është gjë e lehtë, sepse për shumë kënd plagët janë ende të hapura dhe vuajtjet janë ende të freskëta. Aq më tepër, drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.  Por, dialogu dhe ndërtimi i mirëbesimit mbesin e vetmja mundësi për të detyruar shtetet që të marrin përsipër obligimet e tyre ndaj njëra tjetrës dhe të sillen me përgjegjësi ndaj fqinjëve, në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, duke mos harruar asnjëherë se kush është agresori e kush viktima.   Është pikërisht kjo bindje e thellë se gjeneratave të reja nuk mund t’ua lëmë barrë armiqësitë e vjetra, që na detyron që sot të trasojmë rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, që bisedojnë me të vetmin qëllim që të përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë, të mbetur peng të politikave agresive dhe hegjemoniste, politikave të një mendësie të shkuar. Si udhëheqës të Republikës së Kosovës, ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë dhe kemi marrë përgjegjësitë, që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dialogojmë me Republikën e Serbisë për të ardhmen më të mirë për qytetarët tanë në një Evropë të Bashkuar. Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet më peng i vullnetit të askujt dhe as i ideve të së kaluarës. Ka ardhur koha të mendojmë për të ardhmen, të përmirësojmë mirëqenien e popujve tanë dhe ta realizojmë synimin tonë strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Mbi këtë agjendë evropiane, premtimin dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian që të mbajë derën hapur për shtetet e Ballkanit, të shohim përpara dhe të bindemi një herë e përgjithmonë se si shtete të pavarura dhe sovrane do të përshpejtojmë rrugën tonë drejt Brukselit duke bashkëpunuar dhe jo duke penguar njëri tjetrin. Ballkanit Perëndimor nuk i mungon guximi për të ndryshuar të tashmen për hir të së ardhmes. Këtij rajoni i duhet më shumë mbështetje dhe përkrahje për ta ndryshuar botëkuptimin e vjetër dhe për të parë vizionin drejt qytetërimit perëndimor. Bashkimi Evropian, sikurse edhe ne, liderët e të sotmes, ka një rast historik të realizojë premtimin për Evropën e bashkuar. Dhe neve na duhet kurajë dhe forcë shpirtërore më shumë, na duhet më shumë respekt për njëri tjetrin për të hapur derën e madhe të familjes evropiane, të cilës i takojmë.Për hir të sotmes, për hir të së ardhmes. Zonja dhe zotërinj, Pak kohë pasi që palët kishin nënshkruar Traktatin e Miqësisë në Francë, marrëveshja franko-gjermane kishte ngecur në praktikë, duke e shterë Presidentin de Gaulle ta krahasoj atë me jetën e shkurtër të trëndafilit.“Është e vërtetë që trëndafili e ka jetën e shkurtër, por trëndafili është lulja që më së shumti i bën ballë kohës. E përballon dimrin,” kishte deklaruar Kancelari gjerman.“Trëndafili jeton një mëngjes…,” kishte thënë de Gaulle. “Por kopshti me trëndafila ka jetë të gjatë po deshe.Mbijeton dhe lulëzon.”

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.