presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në Akademinë përkujtimore në shtatëvjetorin e vdekjes së Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Në shtatëvjetorin e vdekjes së Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga bëri homazh dhe vuri lule mbi varrin e Presidentit Rugova në lagjen Velania të Prishtinës.

Presidentja Jahjaga më pas vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e Presidentit Rugova. Në vijim të aktiviteteve të shënimit të këtij përvjetori, në Teatrin Kombëtar, në patronazhin e Presidentes Jahjaga, u mbajt Akademia përkujtimore për Presidentin Rugova. Në vijim po sjellim fjalën që Presidentja Jahjaga mbajti në këtë akademi: Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuara familje të dëshmorëve,Të nderuar miq, shokë e bashkëpunëtorë të Presidentit Ibrahim Rugova,Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,E nderuara Znj Fane, Mendim, Ukë, Teutë,E Nderuar familje Rugova, Jeta dhe veprimtaria e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, na bënë të ndjehemi krenar për rrugën që si popull bashkërisht e kemi kaluar. Ne sot duke i vlerësuar të arriturat tona, me pietetet i kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan, që ranë në altarin e lirisë, që punuan për të mirën e popullit dhe të atdheut, që u shkrinë në përkushtimin për të qenë të lirë dhe zot në trojet tona. Për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat dhe në mekanizmat ndërkombëtar dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E gjithë kjo rrugë, ky vizion, na bënë që të nderojmë dhe të kujtojmë me respekt të thellë liderin, arkitektin e pavarësisë, udhëheqësin tonë largpamës i cili përfundimisht e orientoi vendin e popullin tonë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përqafim të vlerave perëndimore. Ne sot e  kujtojmë Presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira, diti të marrë vendime të rëndësishme që i dhanë kahje  historisë duke e përcaktuar përfundimisht  fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut. Të nderuar pjesëmarrës, Në nisje të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në parakohën e dominimit të hegjemonizmit, që rrinte kërcënueshëm mbi fatet e popujve, Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e  krijimit të mendimit filozofik e politik të pikëpamjes së atdhetarizmës të formësuar,  si filozofi e politikës aktive paqësore, që mobilizoi popullin e etshëm për liri, për pavarësi e për demokraci, për zhvillim të jetës pluraliste, për avancim të proceseve demokratike dhe për shtet ndërtim. Kjo i  dëshmoi aftësitë organizative të popullit, për të pasur dhe për të mbajtur shtet. Patëm një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, të pashënuar ndonjëherë në historinë tonë, që kulmoi me intervenimin ushtarak humanitar të NATO-s në këto hapësira, për të parandaluar gjenocidin dhe  spastrimin etnik. Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova së bashku me intelektualët e tjerë krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë Demokratike në historinë tonë, që vepronte publikisht, e orientuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Së bashku me partitë e tjera krijoi jetën shumëpartiake për shtet ndërtim duke iu kundërvënë me shumë sukses sistemit okupues. E gjithë kjo punë dhe veprimtari e bazuar mbi vlerat dhe standardet demokratike, Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj i drejtoi në gjirin e popujve dhe të shteteve të lira të Evropës. Me nismën e liderit Ibrahim Rugova, u Krijua Këshilli i Partive Politike të Kosovës, e më vonë edhe Këshilli Koordinues i njëmbëdhjetë Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi,  që mbi bazën e barabartë të parlamentarizmit, ndërtoi dhe miratoi “Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi “ . Duke bashkërenduar të gjitha aktivitetet ndërtoi një sistem efikas qeverisjeje e administrimi për Republikën e Kosovës, shtet demokratik dhe të lirë, të gjithë qytetarëve të barabartë. Dr. Ibrahim Rugova ishte strategu i shtetit të Kosovës, i Republikës së Kosovës, që e kishte legjitimitetin e përkrahjen e gjithëmbarshme popullore dhe bazën legale të veprimit e të funksionimit. Në shtator të vitit 1991 u organizua Referendumi për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur ndërsa në tetor zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës që pati të gjitha strukturat ministrore duke ndërtuar kështu mekanizmat e pushtetit dhe të vendimmarrjes. Me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe Presidenciale u bënë përpjekjet për funksionimin e procesit zgjedhor, nën kushtet e okupimit, si një dëshmi dhe një vullnet se populli i Kosovës do dhe di të mbajë shtet. Filozofia politike rugoviane karakterizohej si  një politikë aktive paqësore e bazuar në përvojën historike të mbijetesës së popullit tonë. Ishte ky një program politik i përshtatur rrethanave të kohës për krijimin e kushteve për çlirim, duke ruajtur qenien biologjike dhe tërësinë territoriale. Filozofia e Rugovës ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës duke fituar përkrahje duke demaskuar politikën agresive hegjemoniste. Presidenti Rugova shpresonte shumë që në Kosovë do të mund të evitonte luftën kundër popullit të pambrojtur, duke llogaritur se bota përparimtare kishte marrë mësim nga luftërat e përgjakshme në Kroaci dhe në Bosnje dhe do të parandalonte gjenocidin dhe shpërnguljen e popullit të Kosovës. Mirëpo kur filloi lufta, dr. Ibrahim Rugova pa as më të voglin hezitim në Konferencën e Rambujesë ia kaloi udhëheqjen e delegacionit dhe rolin prijës përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rugova gjithmonë i vlerësonte meritat historike dhe e respektonte faktorin real të përfaqësimit. Politikani Ibrahim Rugova iu nënshtrua procesit të zgjedhjeve dhe me gjithë mbështetjen e fituar nëpërmjet të votave, ishte përkrahës i opsionit për koalicionin gjithëpërfshirës të qeverisjes në ndërtimin e shtetit dhe në avancimin e proceseve demokratike. Presidenti Dr. Ibrahim Rugova njihet për sintagmën LIRI PAVARËSI, DEMOKRACI që ishte platforma e Tij politike; të punojmë, të fitojmë lirinë të shpallim pavarësinë të ndërtojmë demokracinë. Kjo tashmë është bërë realitet, ashtu si edhe vizioni për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentit Rugova i takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit properëndimor e demokratik, duke kultivuar  karakterin liridashës, atdhetar dhe civilizues të kombit duke hequr përgjithmonë nga këto hapësira ideologjinë komuniste, si një e keqe që i shkaktoi vuajtje popullit në të kaluarën. Të nderuar pjesëmarrës, Republika e Kosovës nderon bijtë dhe bijat e veta, që kontribuuan që ne sot të jemi të lirë, të pavarur, të barabartë e dinjitoz në trojet tona. Presidenti Ibrahim Rugova është në piedestalin e këtyre intelektualëve, veprimtarëve, politikanëve që si udhëheqës i zoti diti ta drejtoj popullin dhe atdheun drejtë të ardhmes evropiane. Ju faleminderit! Respekt dhe nderim i përjetshëm për veprën e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.