presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS TË KËSHILLIT KOMBËTAR KUNDËR KORRUPSIONIT

Në përmbyllje të takimeve të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për vitin 2012, po ofrojmë një pasqyrë të punës dhe të aktiviteteve të bashkërenduara të institucioneve dhe mekanizmave të mandatuara për luftimin e këtyre dukurive.

I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,Të nderuar ministra të Qeverisë të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të Gjyqësorit të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të Prokurorisë të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të Policisë së Kosovës,Të respektuar përfaqësues të shoqërisë civile,Të nderuar Ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,Të respektuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë,Zonja dhe Zotërinj, Në përmbyllje të takimeve të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për vitin 2012, po ofrojmë një pasqyrë të punës dhe të aktiviteteve të bashkërenduara të institucioneve dhe mekanizmave të mandatuara për luftimin e këtyre dukurive.  Ka qenë e nevojshme në Këshillin Kombëtar kundër Korrupsion që të arrihet koordinimi, komunikimi i rregullt dhe debati i përbashkët duke i respektuar plotësisht përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore si dhe duke e ruajtur pavarësinë institucionale të secilit.  Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm luftë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë por edhe angazhim i gjithë shoqërisë sonë dhe synon vendosjen e plote të parimit të rendit dhe sundimit të ligjit, bazuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës.  Kjo luftë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Një shoqëri me shkallë të lartë të korrupsionit, real apo të perceptuar, veçanërisht me dukuritë e korrupsionit në institucione, reflekton imazh të keq brenda shtetit por edhe në skenën ndërkombëtare. Ky reflektim negativ mund të ndryshohet vetëm duke pasur rezultate konkrete e të prekshme në luftën kundër korrupsionit.  Një angazhim dhe përkushtim gjatë këtij viti nuk mungoi edhe pse askush nga ne nuk është i kënaqur sepse kemi ende shumë punë për të bërë. Gjithsesi është për t’u vlerësuar se në saje të angazhimit tonë, rezultatet pozitive të kësaj pune u shprehën në të gjeturat e disa raporteve ndërkombëtare që Republikën e Kosovës e vlerësojnë më mirë për luftën kundër korrupsionit. Në takimet tona janë theksuar dhe evidentuar disa mangësi në legjislacion dhe funksionimin administrativ. Këto përmirësime janë bërë duke ndryshuar dhe përshtatur rregullat dhe procedurat për bashkërendim më të mirë. Të gjitha institucionet kanë bërë ndryshime pozitive në sferën legjislative dhe organizmin e administratës që reflektohen në bashkëpunim më të mirë.  Këto janë sukseset e para, por ato nuk janë të mjaftueshme. Duhet të luftojmë këtë dukuri më vendosmërisht, duke krijuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Është obligim ligjor dhe moral i yni të bëjmë Kosovën vend të prosperueshëm, të rendit dhe sundimit të ligjit.  Do të intensifikojmë edhe më tej bashkërendimin tonë, jo vetëm në kuadër të Këshillit por edhe drejtpërdrejt ndërmjet vete. Për funksionimin e sistemit tonë demokratik duhet të garantohet integriteti i institucioneve që mundëson funksionimin tonë si tërësi unike. Vazhdimi i gjithëpërfshirjes është jetik. Korrupsioni si fenomen duhet të luftohet nga të gjithë ne.  Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen tonë përpara. Se vetëm kështu ne mund garantojmë progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Investitorët e huaj janë të interesuar të punojnë në një shoqëri funksionale ku investimet e tyre mbrohen nga institucionet dhe klima biznesore është e sigurt. Ne e kemi përmirësuar legjislacionin dhe punën e administratës, por ka ende për t’u bërë. Janë disa ligje specifike të cilat duhet të amendamentohen në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu duhet të rrisim efikasitetin tonë në implementimin e ligjeve ekzistuese. Vullneti politik ekziston por është përgjegjësi e të gjithëve që këtë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete. Të nderuar pjesëmarrës, Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar rezultate pozitive që sigurisht do të jenë më të mëdha me forcimin dhe qartësimin e koordinimit të kësaj agjencie me institucionet tjera, duke u definuar disa çështje që lidhen me ndjekjen penale dhe veprat konkrete të korrupsionit Policia e Kosovës po bën përpjekje të shtuara në ngritjen e kapaciteteve për specializim në ndjekjen e veprave të korrupsionit, që do të tregojë rezultate pozitive në mbledhjen e informacioneve dhe profesionalizëm në ndërtimin e rasteve. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë disa hapa me të cilat kanë fuqizuar rolin e Prokurorive në ndjekjen e veprave korruptive. Kapacitetet e brendshme të Prokurorisë duhet të shtohen dhe të ruhet standardi i integritetit të lartë të Prokurorëve të rinj.  Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka bërë prioritet të punës shqyrtimin e rasteve te korrupsionit. Duhet të vazhdohet me planifikimin më të mirë të shpërndarjes së rasteve në Gjykata në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve ekzistuese duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Gjyqtarëve në të gjitha nivelet, dhe duke përmbyllur më shumë lëndë të rasteve të korrupsionit brenda vitit. Të nderuar pjesëmarrës, Krahas sukseseve dhe evidentimit të sfidave ne duhet të nisim ndërtimin e politikave konkrete. Është e domosdoshme të vazhdojmë reformat sistemore dhe strukturore duke iu përafruar sa më shumë standardeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu duke inkorporuar specifikat tona me zgjidhje të veçanta dhe të përkohshme që të jemi më efikas në çrrënjosjen e korrupsionit.  Duhet të rrisim efektivitetin e ndjekjes së veprave korruptive prej paraqitjes deri në procedim final, duke i përmbyllur rastet dhe duke marrë vendime adekuate. Nuk do të lejojmë që qytetarët të cilët denoncojnë rastet e korrupsionit të dëshpërohen nga sistemi i ndjekjes dhe i gjykimit për shkak të zvarritjeve procedurale.  Pajtohemi të gjithë se duhet t’i kushtojmë më shumë kujdes fushës së prokurimit, si një fushë më e ndjeshme për atakim nga korrupsioni dhe keqpërdorimet e tjera, e që pasojat negative ndjehen më shumë tek qytetari dhe e gjithë shoqëria.  Duhet të kemi një kontroll të menjëhershëm dhe efikas të të gjithë parametrave të tenderëve, në rastet kur dyshohet në parregullsi.  Ngritja e kapaciteteve është e domosdoshme duke rritur efektivitetin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, që ushtrojnë funksionet e veta të parapara me ligj.  Është shumë e rëndësishme që të përshpejtojmë punën me rekomandimet që dalin në përmbushjen e kritereve afatshkurtra nga Studimi i Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën.  Këtë nuk e bëjmë vetëm për hir të Bashkimit Evropian, por është bindje dhe përkushtim yni që ta bëjmë për ne, për qytetarët e Kosovës, që të kemi një mjedis më të qetë dhe më të sigurt. Duhet të dëshmojmë angazhim të qartë për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që përfshin nisjen e hetimeve për secilin rast dhe kundër çdokujt që është i përfshirë, duke respektuar parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe që në shoqërinë tonë nuk ka të paprekshëm.  Qytetari ynë na do të përgjegjshëm dhe të pastër, me llogaridhënie që punojmë me përkushtim për të ardhmen më të mirë të vendit.  Këtë angazhim do ta bëjmë me një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me EULEX-in dhe Prokurorinë Speciale.  Përmbushja e këtyre kritereve përfshinë edhe miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë dhe përafrimin e ligjeve tjera relevante me Aki komuniter. I tërë ky angazhim duhet të kurorëzohet sa më shpejtë me miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.  Korrupsioni i kalon kufijtë vendorë dhe bëhet transnacional, e kjo ndër të tjera parandalohet përmes deklarimit të pasurisë, kontrollit të prejardhjes së pasurisë, kryerjes së pagesave përmes transaksioneve bankare si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të fushës së drejtësisë dhe të sigurisë. Formë e egër e dukurisë së korrupsionit është edhe evazioni fiskal përkatësisht largimi i parave jashtë vendit që ndërlidhet me aktivitetet ilegale në këtë fushë.  Çrrënjosja e korrupsionit ndikon pozitivisht në imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe në procesin e njohjeve të mëtutjeshme.  Puna e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit po reflekton për të mirë në punën e të gjithë neve. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më konkretisht, të takohemi, të koordinohemi dhe të bashkërendojmë aktivitetet tona. Sa më mirë që ne e bëjmë punën tonë aq më shumë do të rritet suksesi i kësaj lufte, dhe besimi i qytetarëve tek ne dhe në vlerat e shoqërisë demokratike.  Kjo është një rrugë e gjatë dhe përplot sfida, të cilën do ta mbyllim me sukses sepse ky është vullneti dhe përkushtimi ynë. Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.