DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, në konferencën e BQK-së

Puna e Bankës Qendrore dhe e institucioneve të tjera financiare ndikon në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në stabilitetin institucional e funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës.

I nderuar Guvernator Gërguri,
E nderuar ambasadore Jacobson,
I nderuar ambasador Cliff,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ekonomike e financiare ndërkombëtare prezentë në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
 
Puna e Bankës Qendrore dhe e institucioneve të tjera financiare ndikon në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në stabilitetin institucional e funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës.
 
Qasja dhe angazhimi i gjithëmbarshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës me përgjegjësi dhe seriozitet po vazhdon të dëshmohet me konsolidimin e marrëdhënieve me institucionet financiare ndërkombëtare, dhe në këtë mes marrëveshja  me Fondin Monetar Ndërkombëtar është e një rëndësie të veçantë për sistemin tonë ekonomik e financiar.
 
Anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një e arritur tjetër e rëndësishme, e cila krahas anëtarësimit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe zhvillimin komplementar me vendet e rajonit.
 
Gjatë kësaj periudhe, me gjithë përballjen me  vështirësitë  e shkaktuara nga kriza ekonomike globale, Republika e Kosovës ka arritur të ruaj stabilitetin makroekonomik. Rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive, duke e mbajtur në nivel të arsyeshëm edhe borxhin publik.
 
Megjithatë, normat e rritjes ekonomike në vend  nuk janë të mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të hapjes të vendeve të reja të punës dhe të zbutjes të varfërisë. Gjithsesi vendi ynë do  të krijojë politika zhvillimore që reflektojnë një vizion afatgjatë të zhvillimit ekonomik për të absorbuar numrin e madh të të rinjve të papunë. Prandaj kërkohet të krijojmë kushtet e nevojshme për mbështetjen e bizneseve private. Meqenëse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë boshti kurrizor i këtij zhvillimi atëherë nëpërmjet një strategjie zhvillimore afatgjate  do të krijojmë parakushtet për një politikë ekonomike aktive që do të nxis zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve ekonomike.
 
Kërkohet që mjetet e lira jobankare të qytetarëve tanë të deponuara në botën e jashtme të kthehen në bankat vendore të cilat krahas rritjes së ofertës të kapitalit monetar në tregun e vendit  rrisin konkurrencën dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në normën e interesit si çmim të kapitalit hua.
 
Në këtë kontekst, qenësore është rritja e besimit të qytetarëve dhe e komunitetit të biznesit në bankat komerciale, sepse do të ketë ndikim pozitiv në zvogëlimin e kostos së financimit të kreditimit e që rrjedhimisht do të rezultojë me rritjen e depozitave dhe të kërkesave për kreditim dhe uljen e normave të interesit.
 
Republika e Kosovës përmes strategjisë së zhvillimit ekonomik afatgjatë  të politikës ekonomike aktive – e cila me instrumentet e saja nxit zhvillimin e shpejtuar te ekonomisë dhe absorbon kapitalin e huaj – krahas Planit hapësinor të Kosovës, i krijon parakushtet themelore për një zhvillim të qëndrueshëm.
 
Politika ekonomike e vendit tonë duhet të orientohet në shfrytëzimin e resurseve tona natyrore dhe në fuqinë e re dhe të shkolluar punëtore. Kjo duhet të kontribuojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe të pagesave me botën e jashtme. Duke nxitur prodhimin vendor, jo vetëm për të përmbushur nevojat tona por edhe për eksport gjenerojmë punësim dhe rrisim cilësinë dhe konkurrencën e produkteve dhe të shërbimeve tona, me qëllim të tërheqjes së drejtpërdrejtë të investimeve të huaja. Është e papranueshme që importi i Kosovës të mbulohet me vetëm pesë për qind eksport duke e vënë Kosovën në varshmëri nga produktet e huaja.
 
Prandaj kërkohet që me instrumentet e politikës ekonomike të nxisim zhvillimin e përgjithshëm duke forcuar ekonominë e tregut të mbështetur në resurset tona në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tërheqjen e kapitalit të huaj.
 
Si institucione të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë reformat për forcimin e rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale duke qenë të përkushtuar që dukuritë negative në vend t’i çrrënjosim, pasi ato e pengojnë zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet, e pengojnë jetën e qytetarit tonë duke larguar ardhjen e kapitalit dhe të investimeve. Suksesi në këtë luftë është parakusht për integrimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Zhvillimi i deritashëm i sistemit financiar është një sukses i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Dëshiroj të falënderoj me këtë rast për ndihmën dhe kontributin e pakursyer: Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, USAID-in, Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të gjithë partnerët e tjerë në ndërtimin e një sistemi financiar stabil dhe kredibil.    
 
Ju uroj një vit të begatë!
Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.